FIFA, Blatter 300 mijë euro federatave për një mandat tjetër
Në prag të zgjedhjeve për kreun FIFA-s, Sepp Blatter vihet sërish në qendër të polemikave, që këtë herë vijnë nga Brazili. E përditshmja “Estaedao” e akuzon presidentin e FIFA-s se u ka premtuar federatave anëtare, por kryesisht të vendeve të vogla, që kanë të drejtën e votës, nga 300 mijë euro në këmbim të votës së tyre. Në vijim të shkrimit, gazeta në fjalë thekson se Blatter e ka nisur fushatën e premtimeve konkrete menjëherë pas shpalljes së kandidaturës së tij, duke penalizuar në një farë mënyre konkurrentët e tjerë në këtë garë. Duke konsideruar faktin se federatat që do të votojnë janë 209, nëse të gjithë pranojnë propozimin e Blatter, shuma në total që duhet të paguajë kreu i FIFA-s është 55 milionë euro. Por federata të fuqishme si ajo gjermane, angleze, italiane, spanjolle, apo të vendeve të pasura si SHBA e Japoni, vështirë se mund të pranojnë ofertën. Gjithsesi, mjafton që ajo të pranohet nga federatat e tjera, që kanë nevojë për para dhe Bletter zgjidhet sërish për një mandat të ri në krye të FIFA-s. “Estaedao” zbulon se presidenti aktual i FIFA-s ka menduar ta justifikojë këtë veprim në një mënyrë aspak korrekte sepse shumën e akorduar për çdo federatë do ta justifikojë me faktin se këto të holla do të mbulojnë shpenzimet e ndeshjeve eliminatore për Kupën e Botës 2018. Nga ana tjetër, kundërshtarët e tij theksojnë se kjo është një mënyrë e jashtëligjshme dhe synon që të afrojë sa më shumë federata rreth kandidaturës së presidentit aktual të FIFA-s. Në këtë drejtim kanë ardhur kritika të ashpra edhe nga vetë UEFA që është deklaruar kategorikisht kundër mënyrës së si po e drejton fushatën elektorale kreu aktual i FIFA-s, Sepp Blatter.