Figuroni debitor i energjisë? Ja si do ta paguani me këste
Figuroni si debitor i energjisë elektrike dhe rrezikoni ndërprerjen e furnizimit të saj? Nuk duhet të trembeni pasi qeveria ka menduar që të aplikojë ndaj jush një sërë masah lehtësuese, përmes të cilave juve ju jepet mundësia t’i shlyeni pak e nga pak në kohë borxhet e akumuluara prej faturave të papaguara të energjisë. Më konkretisht, mes pagesave me këste, të cilat do të lejohen pikërisht për kategorinë e qytetarëve të cilët figurojnë si debitorë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE). “Të gjithë konsumatorëve familjarë, të cilët rezultojnë debitorë për detyrimet e energjisë (principal dhe kamatë-vonesë), u krijohet mundësia e ekzekutimit me këste të këtij detyrimi. Dhe që nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes për pagesën me këste të detyrimeve, OSHEE nuk do të llogarisë më kamatë- vonesa për periudhën kohore që parashikohet në marrëveshje për ekzekutimin e plotë të detyrimit. Gjithashtu, parashikohet që “shoqëria të marrë masa që të përcaktojë si kusht në marrëveshje detyrimin e konsumatorëve familjarë, që brenda afateve kontraktore të shlyejnë faturën korrente të energjisë dhe një vlerë përkatëse që i korrespondon një pjese të detyrimit të prapambetur. Ku vlera e këstit mujor për ekzekutimin e detyrimit të prapambetur, negociohet rast pas rasti nga shoqëria, por në çdo rast, nuk mund të jetë më e vogël se 2.500 lekë në muaj”, citon vendimi i Këshillit të OSHEE-së. Për të sqaruar më tej edhe faktin se përjashtimisht, “për familjet e kategorizuara në sistemin e ndihmës ekonomike, vlera e këstit mujor për ekzekutimin e detyrimit të prapambetur, negociohet rast pas rasti nga shoqëria por në çdo rast, nuk mund të jetë më e vogël se 1.000 lekë në muaj”. Dhe për konsumatorët familjarë, që kanë detyrime të prapambetura të energjisë elektrike, të cilët bien dakord të shlyejnë menjëherë të gjithë detyrimin e prapambetur (principal +kamatë vonesë), Shoqëria OSHEE sh.a do të aplikojë një zbritje të vlerës së detyrimit të kamatë-vonesave në nivelin prej -80%. Ky kriter do të aplikohet edhe në rastet kur detyrimi i prapambetur përfaqësohet vetëm nga kamatë-vonesa. Dhe kjo mundësi pagese do të jetë e vlefshme deri në datën 1 Mars 2015.