Filo: Ekipet e bashkisë në terren për menaxhimin e situatës pas motit të keq

Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, bëri të ditur se punonjësit dhe mjetet e bashkisë janë aktivisht në terren për të mbikëqyrur dhe menaxhuar situatën e krijuar si pasojë e reshjeve të dendura dhe motit të keq. Ai theksoi se të gjitha ekipet e shërbimeve dhe eskavatorët po punojnë në çdo njësi administrative për të vendosur nën kontroll të plotë të gjitha problematikat që kanë dalë.

Në Njësinë Voskopojë, po vijon puna për sistemimin dhe pastrimin e rrugës që të çon drejt varrezave, ndërsa në Njësinë Bulgarec, konkretisht në fshatin Çiflig, po kryhen pastrime të tombinove me eskavator përgjatë rrugës unazore. Në Njësinë Mollaj po bëhet kontrolli i prurjeve të lumit Kamenicë dhe degëzimeve mbi Dvoran, si dhe verifikimi i rezervuarit dhe gjendjes së urave në territor. Në Njësinë Vithkuq, ura që lidh Lubonjën me Rehovën është bërë e kalueshme, ndërsa ekipet vijojnë punimet në rrugën e Rehovës për garantimin e qarkullimit normal. Në Voskop, ekskavatorët po punojnë për riparimin e argjinaturave të dëmtuara, ndërsa fadroma po pastron dhe sistemon rrugën e varrezave.

Në Njësinë Drenovë, situata e borës në Dardhë dhe niveli i lumenjve po monitorohen vazhdimisht, ndërsa në Qatrom është vënë në funksion një çezmë e re për furnizimin me ujë të banorëve. Në Lekas, puna vazhdon për hapjen dhe funksionalizimin e rrugës Tudas–Lavdar–Bozdovec–Mazrekë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Filo shtoi se të gjitha këto ndërhyrje realizohen në koordinim me njësitë vendore dhe ekipet e emergjencës për të garantuar sigurinë dhe qarkullimin normal të banorëve dhe vizitorëve, duke bërë apel që qytetarët të jenë të kujdesshëm gjatë lëvizjes dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe policisë rrugore.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?