Financimi i bashkësive fetare, në kundërshtim me Kushtetutën

 

Pak ditë më parë qeveria kaloi një vendim që financon me 109 milionë lekë bashkësitë kryesore fetare. Ky lajm ka kaluar në heshtje si nga opozita por edhe nga shoqëria civile, ndoshta për të ruajtur “bashkekzistencën” paqësore të besimeve në Shqipëri, por ndoshta shoqëria civile nuk e di që statusi i këtyre bashkësive është njësoj si gjithë organizatat joqeveritare.

 

Së pari, ky akt është në kundërshtim me Kushtetutën, ku thuhet: “Bashkësitë fetare janë persona juridikë. Ato kanë pavarësi në administrimin e pasurive të tyre sipas parimeve, rregullave dhe kanoneve të tyre, për sa nuk cenohen interesat e të tretëve”. Nuk ka asnjë nen tjetër të Kushtetutës ku mund të bazohet ky vendim e ndoshta dhe asnjë ligj të miratuar në Parlamentin shqiptar, ku mund të mbështetet ky vendim.

 

Njëkohësisht, me sa di unë, nuk ka dhe asnjë eksperiencë të vendeve më demokratike që të kenë kryer një veprim të tillë. Dhe kur është dashur të propozohet një shekull më parë një amendament kushtetues për këtë financim, në SHBA është kundërshtuar me forcë si një shkelje e ligjit civil e që mund të bëhet i rrezikshëm.

 

Po përse është i rrezikshëm një financim i bashkësive fetare?

 

Eksperienca shekullore që nga koha e perandorit bizant Kostandin e deri tani, sidomos në vendet e Lindjes së Mesme, por dhe eksperienca shqiptare në këto vitet të demokracisë, kanë treguar se financimi i bashkësive fetare ka induktuar dhe ideologjitë e shteteve, grupimeve politike, deri dhe organizatave terroriste.

 

Njëkohësisht, financimi i këtyre bashkësive nga shteti u heq atyre pavarësinë, i lidh me politikën, i bën të varura prej tij, duke iu hequr thelbin e shenjtërisë së tyre. Dihet se në të gjithë Librat e Shenjtë, krijimi i një bashkësie fetare është i lidhur ngushtë dhe me detyrimin financiar që ka çdo anëtar i kësaj bashkësie, jo vetëm për mbarëvajtjen e bashkësisë por edhe të dhënies së ndihmave dhe lëmoshave nga institucioni i bashkësisë në emër të Krijuesit.

 

Imagjinoni sikur rreth tridhjetë mijë besimtarë myslimanë që janë në Shqipëri, e që janë të detyruar të japin 2.5% të të ardhurve neto, – po marr një shifër minimale mujore 1000 lekë, – atëherë do të kishim 30 milionë lekë të ardhura, që janë të mjaftueshme për buxhetin e bashkisë, pa përmendur këtu të ardhurat e tjera që u vijnë bashkësive fetare nga klinikat mjekësore, universitetet, e të tjera, të ardhura këto që nuk tatohen nga shteti.

 

Problemet në buxhetin e këtyre bashkësive janë të lidhura; ose besimtarët nuk zbatojnë rregullat e shenjta që janë në kanonet e tyre, ose bashkësitë nuk janë në gjendje ta mbledhin këtë detyrim, ose ka fshehje të të ardhurave (imagjinoni sa të ardhura u vijnë bashkësive fetare vetëm nga klinikat mjekësore, sidomos ato kristiane, që kanë çmime të kripura edhe që nuk tatohen?). A e kemi luksin si shtet për këtë financim?

 

Ky financim nga shteti, në një kohë kur mungojnë financimet në kulturë, mjekësi e të tjera, ka ndoshta një qëllim politik në këtë prag fushate. Turpi është mbi bashkësitë fetare që shkelin rregullat dhe kanonet e shenjta mbi të cilat ato ngrihen, duke humbur dhe kredibilitetin e besimtarëve të sinqertë. Zoti do t’i gjykojë për këtë! Qeveria duhet të jap llogari për shkelje të barazisë para ligjit, si shkelje dhe të Kushtetutës.

 

Nëse shteti do që t’i ndihmojë këto bashkësi t’u japë pronat që u takojnë, të ngrejë një grup hetimor që të zbulojë se ku kanë përfunduar pronat e bashkësive, mbi të cilat, siç më tregoi një besimtar mysliman, është bërë një kasaphanë e vërtetë. Imagjinoni sa besimtarë në shekuj kanë lënë vakëf pronat e tyre dhe zullumqarët i kanë grabitur, duke na futur kështu në një cikël mallkimi që s’po na ndahet.

Zoti na ruajtë!

"Mapo"

SHKARKO APP