Fitore emigrantësh
Nga Ilir Levonja –
Shteti i Ajovas (Iowa), toka e fermave të misrit. Përmbysi të gjitha parashikimet e sondazheve mbi epërsinë e dukshme të Donald Trump. Bëhet fjalë për garën mes kandidatëve republikanë për Presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara. Atë fitoi Ted Cruz, djali i një emigranti kubanez.
Në fakt fushata Trump filloi me emigrantët. Sidomos me deportimet, kthimin mbrapa, në vendet e origjinës, të të paligjshmëve. Edhe pse në këtë shpurë bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm njerëzish, kombësish etj. Aq sa u ka futur ethet edhe emigrantëve legale. Eshtë një ekuivok i vjetër ky i Amerikës. Sa të habit për shkak edhe të ftohtësisë ligjore. Ka shumë njerëz që jetojnë e punojnë. Që kanë rekorde të shkëlqyera në shtet. Në drejtim të faturave, taksave, punësimit. Dosje të pastërta edhe me drejtësinë. Shkurt, që kanë prona, bëjnë jetë shembullore të një qytetari të lavdëruar. Por prapë konsiderohen ilegalë. Jetojnë me frikën e të deportuarit. Jetojnë me ankthin e pritjes për tu bërë shtetas. Jetojnë me planin që, me që kanë lindur fëmijët këtu, të përfitojnë letrat prej tyre. Ka aq shumë versione jetësh, sa, do duheshin kilometra katrorë, sipërfaqe letre për tu mbushur.
Ndaj deklaratat kundër emigrantëve, nga një biznemes i fortë, kallën një lloj paniku në këto grupe shoqërore. Shto edhe indinjatën e njerzve që, konsiderojnë se problemet e Amerikës, nuk janë tek emigrantët. Dhe se ky shtet i madh që ka burimin e tij po nga emigrantët, nuk mund të rregullohet me aq, deportimin e një meksikani. Apo një siriani të lodhur nga luftrat civile dhe i ardhur aty me një mijë e një sakrifica.
Mirëpo sondazhet i jepnin një avantazh. Ndaj Ajova u kthye në një pritje emigrantësh. Sysh plot pikëllim. Krijesa që donin të dëgjonin verdiktin e popullit. Vërtetë edhe populli mendon si ai?
Starti i parë. Dhe një fillim i mbarë është gjysma e punës. Ai që fitoi përballjen e parë, është pikërisht një djalë emigranti.
Nga ana tjetër, Cruz edhe pse fitoi një betejë brenda të vetëve. Edhe pse është djali i një matematikani emigrant, konsiderohet nga opinioni amerikan si një nga konservatorët më të spikatur i së djathtës. Mjaft të përmendimin që ai është pro dënimit me vdekje, heqjes së pagës minimale etj. Apo se do zhbëjë reformën shëndetësore të Obamës.
Sot herët në mëngjes përmes një statuti në profilin e tij në twitter ai falenderoi popullin e Ajovas. Mirëpo aty kanë filluar edhe akuzat e para. Ka njerëz, qytetarë që dyshojnë për një presion ndaj kandidatit tjetër Carson për tërheqje nga gara. Madje e tregojnë me gisht.
Megjithatë konsiderohet një fitore që palët e kanë përshëndetur. Një disfatë për sondazhet. Dhe bumin mediatik. Një hap i madh. Mbi të gjitha, për emigrantët ilegale. Jo se ky do i shpëtojë. Por të paktën zbehën disi makthin deportim.