Fitorja e madhe
Nga Marjana Doda
Ky vit shënon 70-vjetorin e Fitores në Luftën e Dytë Botërore kundër fashizmit, ndaj ambasada e Federatës Ruse në Shqipëri në kuadër të këtij jubileu ka zhvilluar aktivitete në disa qytete të rëndësishme në vendin tonë. Këto aktivitete u organizuan nga ambasada ruse në bashkëpunim me Shoqatën e Miqësisë “Shqipëri-Rusi”, dhe veteranët shqiptarë. Ajo e hapi siparin e aktiviteteve në Tiranë me javën e filmit rus, ku u shfaq një dokumentar që tregonte zhvillimin e Luftës së Madhe Patriotike dhe një film i titulluar “Fati i Njeriut”. Të pranishmit patën rastin të shikonin dhe një ekspozitë me fotografi që tregojnë luftën dhe sakrificat deri në vetëmohim të ushtrisë së kuqe. Këto aktivitete patën një shtrirje në disa qytete kryesore të Shqipërisë, si Tiranë, Durrës, Berat.
Ambasadori rus, Aleksandër Karpushin theksoi kontributin e paçmueshëm të Bashkimit Sovjetik në Fitoren e Luftës së Dytë botërore, duke nënvizuar se Bashkimi Sovjetik ka humbur rreth 27 milionë njerëz. Prej tyre 11 milionë ishin civilë, mes të cilëve fëmijë, gra dhe pleq. Ushtria e Kuqe dha një kontribut vendimtar në shpartallimin e armikut tonë të përbashkët. Pikërisht Fronti Lindor ishte front kryesor i Luftës së Dytë Botërore. Atje u zhvilluan betejat më të ashpra dhe ishin përqendruar deri 70% të forcave të agresorit. Në frontin sovjetiko-gjerman u asgjësuan më shumë se 600 divizione të koalicionit fashist, i cili humbi në lindje tre të katërtat aviacionit të tij, si edhe shumicën e tankeve dhe të artilerisë. Për shumicën e vendeve të Evropës humbja në luftën kundër ushtrisë gjermane sillte si pasojë vetëm kapitullimin, për popullin rus humbja nënkuptonte shfarosjen e plotë. Është një fakt i njohur se pikërisht këtë urdhër Hitleri ia dha ushtrisë gjermane kur ndërmori sulmin e pabesë ndaj Bashkimit Sovjetik. Dhe vetëm Fitorja në këtë luftë i ka lejuar Rusisë të mbijetojë si shtet dhe i ka lejuar popullit rus të mbijetojë si komb.
Megjithatë, më duhet të theksoj se Fitorja u arrit në saj të përpjekjeve të përbashkëta të shumë popujve. Ndihmën e madhe Bashkimit Sovjetik ia dhanë aleatët e tij kryesorë nga koalicioni antihitlerian- SHBA-të dhe Britania e Madhe. Gjatë viteve të para të luftës ata jepnin kryesisht ndihmën materiale, duke furnizuar vendin tonë me armatime dhe ushqime. Kurse më vonë, pranë përfundimit të luftës, kur u bë qartë se rezistenca e hordhive hitleriane ishte thyer, më 6 qershor 1944 u hap edhe Fronti i Dytë. Ky operacion ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore, se tregoi qartë unitetin e forcave antifashiste dhe pashmangshmërinë e fitores së popujve liridashës mbi Hitlerin. Më 4 maj, Ambasada e Federatës Ruse dekoroi 24 veterane, me medaljen “70-vjetori i Fitores në Luftën e Madhe Patriotike 1941-1945”.
Kjo medalje, e vendosur me një dekret të Presidentit Putin, u jepet luftëtarëve dhe civilëve të Forcave të Armatosura të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, si dhe luftëtarëve të vendeve të tjera. Ambasadori, Aleksander Karpushin, në këtë dite solemne tha; Dua t’ia shpreh mirënjohjen time të thellë popullit shqiptar, para së gjithash veteranëve të lëvizjes partizane, të cilët që në vitin 1939 u ngritën trimërisht kundër pushtuesve fashistë dhe në fund të fundit çliruan atdheun e tyre me forcat e veta, pa ndërhyrje të ushtrive të huaja. Shqipëria ka humbur 28 mijë të bijve dhe bijave të saj më të mirë, që kanë mbrojtur me armë në dorë pavarësinë e vendit të tyre. Nuk do të harrojmë kurrë heroizmin e popullit shqiptar dhe kontributin e tij në Fitoren mbi fashizmin!”. Ndërsa u ndal në rëndëinë që ka vlerësimi i kësaj lufte. “Sot për sot shumë shqetësuese janë përpjekjet për të falsifikuar historinë e Luftës së Dytë Botërore, për të justifikuar dhe madje ringjallur ideologjinë fashiste dhe për të zvogëluar rolin e Bashkimit Sovjetik në arritjen e Fitores. E gjithë kjo sjell si pasojë përhapjen dhe glorifikimin e ideve të neonazizmit në botën moderne. Jam i bindur se parandalimi i kësaj tendence është një sfidë e përbashkët e të gjitha vendeve dhe popujve. Më vjen mirë të konstatoj se veteranët e lëvizjes partizane të Shqipërisë asnjëherë nuk e kanë vënë në dyshim kontributin vendimtar të BRSS-së në shpartallimin e armikut. Veprat heroike të ushtarëve sovjetikë i frymëzonin patriotët shqiptarë për të vazhduar luftën kundër pushtuesve. Dhe jam i lumtur të takohem sërish me ju – me njerëzit që ruajnë kujtimin e atyre ngjarjeve dhe e dinë shumë mirë se kush e ka bërë të mundur Fitoren mbi fashizmin . Prandaj, Fitorja e Madhe në Luftën e Dytë Botërore u arrit padyshim nga përpjekjet e përbashkëta të popujve të koalicionit antihitlerian. Megjithatë, rolin vendimtar në shpartallimin e bllokut militaro-fashist e ka luajtur Bashkimi Sovjetik dhe Forcat e saj të Armatosura”.