Fjalimi, që Basha nuk mbante dot në Shkodër
Nga Mero Baze
Lulzim Basha ishte sot në Shkodër në një miting përkujtimor për vrasjen e katër veprimtarëve të Partisë Demokratike më 2 Prill 1991, në një protestë që pasoi humbjen e zgjedhjeve të 31 marsit nga opozita e atëhershme. Vrasja e katër veprimtarëve të opozitës në atë kohë, ishte ngjarja më e dhimbshme dhe njëkohësisht më e frikshme, për rrjedhën që mund të merrnin zhvillimet politike në vend. Nga një anë ishte padurimi i shqiptarëve për ndryshimin dhe nga ana tjetër dukej se ishte rezistenca e diktaturës për tu larguar.
Vrasja pati një peshë të madhe politike në zhvillimet e mëvonshme dhe është është një nga piketat e para të kujtesës historike të PD-së, në raport me përplasjen me diktaturën.
24 vjet më pas, një kryetar i ri i Partisë Demokratike mund ta përdorte këtë rast, si një histori krenare të partisë së tij dhe një betejë që mund të frymzëojë çdo opozitë në këtë vend.
Por Lulzim basha nuk e mban dot atë fjalim.
Më 2 Prill 1991, Ministër i Brendshëm ishte Gramoz Ruçi. Ai kishte vetëm 40 ditë që ishte emëruar ministër, në fund të Shkurtit dhe ishte në Tiranë në mbledhje kur ndodhi krimi. Pavarësisht kësaj hetimet për ngjarjen u bën të plota dhe para drejtësisë shkuan që nga Ramiz Alia si President i vendit, Gramoz Ruçi si Ministër i Brendshëm, dy zëvendësministra që përfunduan në burg, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë.
Lulzim Basha ishte Ministër i Brendshëm më 21 Janar, në një demonstratë tipike politike, më pak e dhunshme se ajo e 2 Prillit dhe policia e tij vrau po ashtu katër demonstrues të pafajshëm, të paarmatosur dhe të pambrojtur. Ndryshe nga Gramoz Ruçi që shkoi në gjyq në Shkodër dhe u mbrojt para Gjykatës, Lulzim Basha ende sot nuk është thirrur as si dëshmitar për vrasjet e 21 Janarit.
Një lider i ri si ai, në një ngjarje kaq të fortë historike për të djathtën, e ka gojën të mbyllur dhe duart të lidhura, të evokojë atë ngjarje që i dha krahë revanshit të demokracisë mbi diktaturën. Në një ngjarje të tillë analoge 20 vjet më pas, në vitin 2011, ai ka bërë të njëtën gjë që kanë bërë policët e sapodalë nga dikatura, me ndryshimin e madh se ata u gjykuan dhe u dënuan, kurse ky dhe shefi i tij as denjuan dhe akoma nuk kanë shkuar të rrëfehen çfarë kanë bërë më 21 Janar. Përveç mburrjeve të Berishës se ka vrarë për të shtypur një grusht shteti, vrasësi i 21 Janarit nuk ka asnjë version zyrtar para prokurorit për krimin që ka kryer.
Sot Lulzim Basha nuk flet dot siç duhet të fliste një lider i ri i PD-së për 2 Prillin, edhe për faktin se në Kuvendin e Shqipërisë dy deputet po shkojnë drejtë prangave se kanë sajuar një komplot kundër njëri-tjetrit dhe kryetarit të Kuvendit për një skenar vrasjesh. Sali Berisha sajoi një komplot në formë “grusht shteti” pas 21 Janarit për të justifikuar një vrasje të vërtetë dhe nuk është dënuar. Tom Doshi dhe Mark Frroku po dënohen se kanë sajuar një histori vrasjesh ku nuk ka të vrarë. Sali Berisha ka sajuar një histori puçi, për të hequr përgjegjësinë nga katër të vrarët me urdhër të tij dhe është ende i lirë.
Është kjo arsyeja përse Lulzim Basha nuk mban dot fjalimin që duhet të mbante për 2 Prillin. Edhe pse ajo është një ngjarje e hetuar dhe e gjykuar, ajo është ende një krim pa autor konkret. Paranojat të çojnë nga kulisat e Sali Berishës e të Ramiz Alisë, deri tek shërbimet e huaja, por të paktën përgjegjësit janë gjykuar dhe dënuar. Për 21 Janarin nuk janë hetuar as përgjegjësit, as fajtorët dhe as vrasësit edhe pse krimi ndodhi para kamerave dhe e panë gjithë shqiptarët. Nëse dikush e ka fyer në thelb 2 Prillin, janë pikërisht ata që që bën 21 Janarin dhe vranë katër vet, në emër të ruajtjes së pushtetit, duke mos pranuar as të hetohen dhe as të ndëshkohen. Ndaj Lulzim Basha nuk mban dot fjalimin që duhet të mbahet çdo 2 Prill në Shkodër. Ai fjalim nuk kërkon vetëm gjakun e 4 dëshmorëve, por dhe një njeri që nuk ka shkelur mbi idealet e tyre. Lulzim Basha është i riu më i vjetëruar në politikën shqiptare, pasi ai mbart në shpinë një histori vrajsesh politike të pahetuara, të pagjykuara dhe të pandëshkuara. Shumë më keq se ata që u hetuan, gjykuan dhe u ndëshkuan për 2 Prillin. Është njeriu i gabuar që fyen një histori të drejtë, pasi është simbol i pandëshkueshmërisë dhe përdorimit si kamikaze, për të mbrojtur pushtetin e Sali Berishës, ende i dyshuar edhe për 2 Prillin.
Gazeta "Tema"