Fjalori rrugaçor i politikanëve, pasqyra e sëmundjes sonë

 

Nga Ben Andoni

Në fundjavë, sikur të merrej normalisht parasysh ligji natyral i etikës, shqiptari duhet të pushonte. Por, jo, edhe kjo ditë në Shqipëri është e nëmur dhe duhet t’i takojë politikanëve. Një syresh, derdhi pak orë më parë të gjithë helmin e tij ndaj kryeministrit të vendit me fjalët: Të shporrim pisanjosin nga karrigia, Rama me probleme psiqike. Revolucion! Etj., Në fakt, nuk bën shumë përshtypje, sepse vetë kryeministri nga ana tjetër nuk lë kënd pa cenuar verbalisht me hokat dhe cinizmin e tij. E sikur të mos mjaftojë kjo, logjikën e ofendimit publik e ndjek ende ish-kryeministri Berisha që në çdo moment, kur i jepet mundësia flet për kriminelë, banditë dhe hajna në parlament. Nuk lënë vend deputetët Balla, Braçe, Topalli, nga më aktivët e viteve të fundit sa i përket fjalorit kërcënues, por më shumë qesëndisë dhe shpotisë ndaj kundërshtarëve, që rëndom retorika u mbaron me fjalët ‘e mirësjelljes’ parlamentare shqiptare: Ik more shpifës, hajdut, kriminel! Nuk po flasim për fjalitë kinse të rëndomta tashmë në parlament “Të…robt!” etj…Të gjitha, ashtu si vinë nga tempulli ku bëhen ligjet e shtetit shqiptar të tromaksin, por më shumë të tregojnë se të gjithë reformat në vend që lidhen me dekriminalizim, dekomunistifikim janë thjesht kot dhe të pabesueshme.

Por çfarë ka bërë kjo gjuhë sot?! Shqipëria reale në parlament i ngjan një organi që punon në regjim pushtimi, ku një palë është pala e pushtuesit dhe tjetra është e pushtuara. Dhe, i gjithë diskursi rrjedh në këtë shina. Pasojat e sotme janë katastrofike. Ato që ka deklaruar KLSH-ja, po duken si thjesht humbje make-up. I gjithë vendi duket se është i vendosur në një karusel të madh, ku njëherë shan njëra palë dhe pastaj i vjen radha tjetrës të bëjë të njëjtën.

Publiku, qoftë dhe ai që pretendon se ka një status, nuk ta përton të të thotë në fytyrë deri shprehjen “Të …robt”. Tashmë nën projeksionin e politikanëve ta thonë femrat dhe meshkujt, ta thonë bjerraditësit, ta thonë the përgjuesit e shumtë publikë, që vigjilojnë në çdo moment. Po kush vallë punon në vendin tonë? Askush nuk e di. Një gjë e dimë të gjithë. Prodhuesit e këtyre batutave na drejtojnë realisht dhe janë ata që vendosin ligjet për të menaxhuar jetën tonë. Kjo është arsyeja që shembulli i Shqipërisë nuk i vlen për asgjë sot Kosovës, që prej vitesh nuk po e gjen dot rrugën e demokracisë edhe pse ka një busull evropiane në dorë që ia shtrëngojnë fort. Është kjo mungesë imazhi e Tiranës, që shqiptarët në Maqedoni janë përzierë turpshëm me pushtetin në kurriz të bashkatdhetarëve të tyre.

Duket se është një plagë pa shërim, por më e trishta është se nuk ka asnjë nismë apo asnjë shembull të mirë. Thjesht, një forcë politike ta ketë në kodin e saj etik të mos ofendojë. Kujtuam së përqindja e deputeteve femra do ta zbuste, por asesi edhe kjo nuk funksionoi. Zëri i tyre humbet, anipse ato shpesh janë protagoniste, e në fund edhe ato e kanë të pamundur të ulin gjakrat e kokorroçëve shqiptarë, që na e kanë bërë ditën e enjte, një ditë argëtimi të zi publik.

Në fund të ditës së zakonshme, kur të gjitha shuhen kupton se edhe ti je i sëmurë dhe se ti padashur, po ta mendosh mirë, diku do ta kesh fyer një njeri të dashur, mbase një qenie të pambrojtur, duke përdorur leksik të fjalorit të politikanit shqiptar. Dhe, nuk ke faj, as ti, jeton në Shqipërinë e luftës verbale, ku të gjithë janë të lirë të shajnë dhe askushi të punojë. Po vallë ku po shkojmë? Javanews.al

SHKARKO APP