Flash historik

Rubrika/“Fjalori Diplomatik”

Kështu e kemi titulluar këtë rubrikë të re javore, ku do të jepen shpjegime fare të shkurtra mbi praktika, koncepte dhe raste pikantë diplomatikë. Synimi është të ndihmojmë lexuesin e thjeshtë që të “ përtypë” më lehtë ngjarjet dhe dukuritë e shumta në këtë fushë me ndjeshmëri publike në rritje.  Për këtë kemi ftuar Dr. Jorgji Kote, diplomat aktiv karriere dhe publicist i njohur. Krahas përvojës mbi tre dekada pune në shërbimin e jashtëm, në 17 vitet e fundit ai ka shërbyer në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë,  Ministër Këshilltar në Misionin pranë BE-së në Bruksel dhe në Ambasadën tonë në Berlin dhe sërish tani në Bruksel. Këtë përvojë e ka pasqyruar dhe në 5 botimet e kohëve të fundit – “Berlini pa Mure”; “Fjalor Frazeologjik për Diplomacinë” “ Në Vetrrethim” dhe libri më i ri “ Diplomacia për të gjithë”. Ky i fundit që gjendet në libraritë kryesore të vendit është promovuar së fundi dhe në Bruksel nga një qendër e mirënjohur evropiane.  Mbi këtë bazë, kjo rubrikë do t’i japë përgjigje morisë së pyetjeve mbi diplomacinë zyrtare, por dhe dimensioneve të tjera që lidhen ngushtë me të, si  diplomacia  ekonomike, parlamentare, publike, e kulturës,  qytetare, etj. Së fundi, idetë dhe mendimet e shprehura në këtë rubrikë janë thjesht dhe vetëm të autorit. Lutemi mirëkuptimin tuaj që në respekt të etikës dhe statusit, autori nuk do të hyjë në aspekte të brendshme dhe konkrete të shërbimit diplomatik.

 

Flash historik

Diplomacia zyrtare njihet dhe si diplomaci klasike, tradicionale, dhe profesioniste. Ajo zhvillohet nga pushteti ekzekutiv,  kryesisht nga Ministria e Jashtme dhe përfaqësitë e saj jashtë vendit.

Përkufizimi më i njohur është: “Diplomacia – arti ose praktika e realizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare nëpërmjet negociatave, traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”. Sipas njërit prej ekspertëve më të njohur të kësaj fushe, Jan Melissen, “diplomacia zyrtare ka të bëjë me kujdesin për veprimtarinë ndërkombëtare të një shteti kundrejt një vendi, grup vendesh apo organizmash ndërkombëtarë, që realizohet nëpërmjet përfaqësuesve shtetërorë”. Katër funksionet dalluese të diplomacisë zyrtare janë: përfaqësimi, vëzhgimi, mbledhja e informacioneve dhe mbrojtja e interesave të shtetit dërgues. Ajo ka lindur në Greqinë e lashtë në vitin 432 para erës së re kur krahas forcës ushtarake, Sparta përdori me shumë sukses diplomacinë. Më vonë dinastitë e ndryshme në Kinë, e pastaj India, Rusia, Perandoria Otomane etj., ndjenë nevojën që krahas ligjeve të forta, dhunës, forcës, luftës, konfrontimeve e sundimeve ushtarake, të përdornin edhe diplomacinë, si mjet paqësor për realizimin e qëllimeve të tyre ose për të dalë me sa më pak humbje nga situata të caktuara.

Nisur nga rëndësia dhe vështirësitë e misionit të tyre, diplomatëve ju ofroheshin përfitime dhe privilegje të ndryshme materiale, financiare dhe morale; gjithashtu atyre u garantohej imuniteti lidhur me moscënimin e jetës dhe integritetit, etj. Për këtë, ata pajiseshin me dokumente specifike udhëtimi, të ngjashme me ato të sotmet. “Pasaporta” e parë diplomatike, e njohur si “paiza” u prodhua në Perandorinë Mongole gjatë periudhës 1206-1294.

Më vonë filloi të praktikohej dërgimi për periudha të kufizuara kohe i emisarëve apo të dërguarve të posaçëm për realizimin e negociatave, marrëveshjeve dhe traktateve të ndryshme politike, ushtarake, juridike, ekonomike e tregtare. Për këtë qëllim atyre u jepeshin grada dhe emërtime të ndryshme diplomatike – atashe, konsull, ministër dhe më vonë ambasador, me qëllim që të kishin legjitimitetin dhe aksesin e duhur në oborret mbretërore të shteteve pritës.

Në shekullin XIV filluan të hapeshin dhe ambasadat e para dhe të emëroheshin diplomatë për periudha kohore deri në 4 vjet. Konsullata e parë u hap në Milano dhe në Venecie.  Akreditimi diplomatik në ambasada dhe konsullata filloi të bëhej praktikë e zakonshme pune e vendeve më të zhvilluara. Grada më e lartë diplomatike u caktua Ambasador; këtyre të fundit u bëheshin mjaft favorizime dhe privilegje, duke filluar nga rezidenca e tyre e bollshme, me të gjitha pajisjet; Kjo praktikë dhe traditë vijon edhe në ditët e sotme, me gjithë kufizimet e diktuara nga kriza dhe vështirësitë financiare. Meqenëse ambasadorët vinin nga fusha e politikës atyre u vihej në dispozicion një personel i konsiderueshëm me ekspertë profesionistë. Më vonë u çelën shkollat e para për diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

Selitë e para të ministrive të jashtme u çelën në mesin e viteve 1700; ato ishin tejet të vogla. Kështu, në vitin 1780, MPJ-ja e Francës, më e madhja në Europë kishte 70 punonjës, ndërsa homologet e saj në Britaninë e Madhe dhe në Gjermani kishin vetëm dy drejtori, të cilat që mbulonin kryesisht marrëdhëniet dypalëshe dhe protokollin.

Revolucioni Francez i vitit 1793 i ndërpreu zhvillimet pozitive në këtë fushë. Napoleon Bonaparti njihet për predispozicionin negativ ndaj diplomatëve. Gjithashtu atij nuk i pëlqenin procedurat dhe lëvizjet e ngadalta që ishin dhe mbetën tipar karakteristik i diplomacisë. Madje, shkoi deri aty sa të injoronte imunitetin diplomatik, duke urdhëruar burgosjen e diplomatëve britanikë.  Pas disfatës në Vaterlo, Kongresi i Vjenës 1815 rivendosi dhe njohu ndërkombëtarisht sistemin e hierarkisë së gradave diplomatike dhe siddomos imunitetin diplomatik. Kjo do të thoshte që asnjë diplomat nuk mund të ndiqej e të dënohej nga shteti pritës për asnjë figurë krimi; më e shumta, ai mund të shpallej vetëm “person non-grata” (i padëshiruar) dhe i lihej shtetit dërgues që ta ndiqte penalisht sipas ligjeve të tij të brendshme. Ky “ligj ndërkombëtar” për diplomatët u sanksionua përfundimisht në Konventën e Vjenës të vitit 1961 për marrëdhëniet ndërkombëtare, një dokument ky i njohur botërisht dhe i detyrueshëm për të gjitha palët nënshkruese. Për hir të së vërtetës, do thënë se ai është respektuar edhe nga diktatorët më famëkeq, për t’u shkelur fatkeqësisht në ditët tona, për shkak të veprimeve të dhunshme barbare nga elementë dhe forca ekstremiste e terroriste.  

SHKARKO APP