FMN, Christine Lagarde rizgjidhet sërish në krye të tij
Christine Lagarde është zgjedhur për të shërbyer një mandat tjetër 5-vjeçar në krye të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka njoftuar bordi ekzekutiv i këtij institucioni.
Lagarde, ish-ministre e Financave në Francë, ishte kandidatja e vetme për këtë post. Në krye të FMN-së është zgjedhur në korrik të vitit 2011.
Me 188 vende anëtare, FMN-ja ofron ndihmë financiare për vendet në nevojë.
Udhëheqësi i bordit ekzekutiv, Aleksei Mozhin, e ka përshëndetur lidershipin e fortë dhe të matur të zonjës Lagarde.
“Gjatë kohëve të turbullta në ekonominë globale, zonja Lagarde ka forcuar edhe më mundësitë e Fondit për të mbështetur anëtarët e tij, me këshillime politikash, ndërtim kapacitetesh dhe financim”, citohet të ketë thënë Mozhin në një komunikatë.