FMN: Ekonomia shqiptare do përshpejtohet në 2015-n
Shqipëria do të vazhdojë të përballet me rreziqe të jashtme, veçanërisht nga performanca e dobët ekonomike e ekonomive të tjera europiane, pohon përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së në Shqipëri, Jens Reinke, në një intervistë për mediat. Për më tepër, trendi i thellë rënës i çmimeve të naftës mund të ndikojë sektorin e naftës. Reformat strukturore mbeten të rëndësishme për të zgjeruar potencialin e rritjes dhe për të përmirësuar rezistencën e ekonomisë ndaj goditjeve. Gjithsesi, z.Jens Reinke mbetet optimist se ekonomia shqiptare do të përshpejtohet në 2015-n, ndonëse sërish nën potencial….
Si do ta vlerësonit ecurinë e ekonomisë shqiptare në 2014-n?
Po konstatohet një rimëkëmbje me bazë të gjerë e ekonomisë, por rritja mbetet nën potencial. Besimi i sektorit privat po përmirësohet, pjesërisht për shkak të kthimit të detyrimeve të prapambetura. Niveli i lartë i kredive me probleme (NPL) vazhdon t’i mbajë bankat të kujdesshme në drejtim të kreditimit, ndërsa rritja e huasë ka qenë e vakët, pavarësisht lehtësimit të politikës monetare. Zhbalancimet makroekonomike po reduktohen, megjithëse do të duhet kohë që ato të zhduken. Papunësia është tepër e lartë, por punësimi është rritur vitin e kaluar. Dhënia e statusit kandidat për Shqipërinë ishte e merituar dhe do të ndihmojë për t’i dhënë më shumë frymëmarrje vendit.
Cilat janë pritshmëritë për vitin 2015?
Rritja pritet që të përshpejtohet në mënyrë modeste në 2015-n, në rreth 3%, e udhëhequr nga rimëkëmbja e vazhdueshme e kërkesës së brendshme dhe investimet e huaja më të larta. Reformat e filluara në vitin 2014, veçanërisht ajo e pensioneve dhe ajo në sektorin e energjisë, do të fillojnë të japin përfitime përgjatë 2015-s. Përmirësimi i besimit, se bashku me reduktimin gradual të zhbalancimve makroekonomike, normat e ulëta të interesit dhe një rimëkëmbje modeste e investimeve publike, do të ndihmojnë gjithashtu. Inflacioni do të vazhdojë të jetë modest në kontekstin e çmimeve të lira të importit dhe rënien e çmimeve të energjisë. Deficiti tregtar mund të rritet më tej në 2015-n për shkak të projekteve të mëdha të investimeve, që kërkojnë importe intensive (psh projekti Trans Adriatic Pipeline, TAP). Shqipëria do të vazhdojë të përballet me rreziqe të jashtme, veçanërisht nga performanca e dobët ekonomike e ekonomive të tjera europiane. Për më tepër, trendi i thellë rënës i çmimeve të naftës mund të ndikojë sektorin e naftës. Reformat strukturore mbeten të rëndësishme për të zgjeruar potencialin e rritjes dhe për të përmirësuar rezistencën e ekonomisë ndaj goditjeve.
Në afatin e mesëm dhe të gjatë, cilat janë sfidat kryesore të ekonomisë shqiptare?
Në afatin e mesëm, situata është përgjithësisht e favorshme, megjithëse ka disa rreziqe që mund të ndikojnë. Rritja pritet të zgjerohet gradualisht në afatin e mesëm, e udhëhequr nga shtimi i produktivitetit si rrjedhojë e reformave strukturore ambicioze, dhe rimëkëmbjes së partnerëve kryesorë të tregtisë. Procesi i integrimit në Baashkimin Europian mund të nxisë më tej reformat strukturore dhe investimet. Balanca e rreziqeve për këtë panoramë është e zvogëluar. Dobësia e rregullave të lojës, përfshirë zbatimin e kontratave dhe pronësinë e tokës mbetet ndoshta pengesa kryesore për të përshpejtuar rritjen dhe për të përmirësuar mirëqenien. Vonesat në zbatimin e reformave strukturore kritike dhe konsolidimi i pamjaftueshëm fiskal mundet gjithashtu të ulin besimin e investitorëve dhe perspektivën e rritjes në afatin e gjatë.
“Monitor”
“Rritja pritet që të përshpejtohet në mënyrë modeste në 2015-n, në rreth 3%, e udhëhequr nga rimëkëmbja e vazhdueshme e kërkesës së brendshme dhe investimet e huaja më të larta. Reformat e filluara në vitin 2014, veçanërisht ajo e pensioneve dhe ajo në sektorin e energjisë, do të fillojnë të japin përfitime përgjatë 2015-s”
VENDIMI
Prodhimi nga HEC-et private,
licencohen 8 kompani të reja
Qeveria shqiptare ka licencuar 8 kompani private për prodhimin, tregtimin dhe furnizimin e rrjetit me energji elektrike. Vendimi është shpallur në fletoren zyrtare, në një kohë kur vetë qeveria ka deklaruar se, strategjia e rritjes së kapaciteteve gjeneruese nëpërmjet ndërtimit të hidrocentraleve është e dështuar. Duke parë realitetin shqiptar, kjo është mëse e vërtetë. Vënia në punë e këtyre hidrocentraleve do ndikojë shumë pak në përmirësimin e kushteve të furnizimit me energji elektrike. Gjatë viteve të fundit, Shqipëria konsumon përgjatë një viti rreth 8 teravatorë energji elektrike, ndërsa prodhimi vendas shkon në 6 teravatorë.
11% e energjisë së prodhuar në vend mbulohet nga hidrocentralet private, duke ndikuar fare pak në uljen e varësisë së vendit tonë nga importi i energjisë. Pamundësia e Shqipërisë për zhvillimin e kapaciteteve të tjera të prodhimit bazuar në diversifikimin e burimeve të rinovueshme thekson varësinë e sistemit energjetik ndaj kushteve klimaterike dhe importit.
Një varësi që me kalimin e viteve pritet të thellohet, duke marrë parasysh se, zhvillimi ekonomik kërkon burime të reja energjie dhe vendi ynë përllogaritet të konsumojë dyfishin e energjisë
aktuale në 10 vitet e ardhshme. Politikat e ndjekura nga qeveria janë përpjekje të vogla në një treg të madh, ndërsa lidhja me
vendet e Bashkimit Europian duket si zgjidhja më e mirë. Një zgjidhje që nuk ul varësinë nga importi, por të paktën operimin në një treg me çmime transparente dhe pa abuzime.
ENERGJIA
Mbulohet konsumi vendas,
por dhe për sa kohë kështu?
Situata hidrike në vend paraqitet pozitive, pasi reshjet e borës kanë krijuar rezerva të larta ujore në basenin e lumit Drin. Sipas të dhënave nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, niveli në
liqenin e Fierzës arrin në 285.5 metra ndërsa prurjet në 326 metër kub ujë në sekondë. Situatë e mirë hidrike paraqitet
edhe në dy hidrocentralet e tjera. Niveli në liqenin e Komanit arrin në 172.6 metra ndërsa prurjet anësore në 250 metër kub ujë. Niveli në liqenin e Vaut të Dejës arrin në 74.2 metra ndërsa prurjet në 305 metër kub ujë në sekondë. Në këto kushte, energjia e konsumuar në vend që arrin në rreth 18 milionë kilovatorë po mbulohet nga prodhimi i hidrocentraleve. Megjithatë, situata energjetike në vendin tonë është totalisht e varur nga kushtet meteorologjike, ndërkohë që në periudhat e thatësirës importi i energjisë rëndon së tepërmi buxhetin e shtetit. Çmimi i energjisë së importuar gjatë kësaj periudhe bëhet më i lartë për shkak të rritjes së kërkesës për këtë produkt në bursat ndërkombëtare. Për më tepër, duke qenë se jemi një vend i varur nga linjat e interkoneksionit me Serbinë, paguajmë çmime më të larta. Enti Rregullator serb përcakton se, në rast se, energjia e transmetuar tejkalon kapacitetet e linjave të tensionit të lartë, atëherë për këtë sasi energjie duhet të zhvillohet një tender dhe të merren parasysh kostot shtesë. Dyshimet për rregullimin e këtyre tenderëve janë të mëdha, pasi mjafton të shohësh çmimin final në vendin tonë. Sipas Entit serb, tarifa e transmetimit të energjisë është rreth 4 euro për megavator. Energjia e blerë në bursat ndërkombëtare në vlerën e saj më të lartë arrin në rreth 45 euro për megavator. Megjithatë, për Shqipërinë aplikohen tarifa të tjera duke u justifikuar me faktin e mbingarkesës së rrjetit.