FMN: Presim propozime nga qeveria e re greke
Nga Kujtim Vani
Janë 300 intelektualë nga e gjithë bota që shprehen në favor të Greqisë dhe të Europës, nëpërmjet nënshkrimit të një thirrjeje që publikohet në portalin e njohur “Mediapart”. Me anë të thirrjes, ftohen qeveritë europiane, Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar “të respektojnë vendimin e popullit grek dhe të fillojnë me mirëbesim negociatat me qeverinë e re greke për zgjidhjen e çështjes së borxhit”. Portali që e boton thirrjen nën titullin “Rroftë Greqia. Jemi të gjithë me Greqinë dhe Europën”, nënvizon se nënshkruesit janë ekonomistë dhe universitarë nga e gjithë bota, emra të njohur si James Galbraith, Stephany Griffith Jones, Jacques Sapir, Domenique Mentha, etj. “Greqia ka nevojë për masa të menjëhershme humanitare, një pagë minimale më të lartë, krijimin e vendeve të punës, investimesh dhe masash për korrigjimin dhe përmirësimin e shërbimeve kryesore, si ato të shëndetësisë dhe të arsimit”, theksojnë ndër të tjera 300 nënshkruesit.
Manifestime në përkrahje të qeverisë Cipras
Imazhe të “të Indinjuarve” të vitit 2011 kujtonte mbrëmjen e të enjtes sheshi Syntagma, ku qindra njerëz morën pjesë në tubimin me parullën qendrore “Nuk shantazhohemi, nuk nënshtrohemi, nuk kemi frikë, nuk bëjmë mbrapa, fitojmë”, që u organizua në mënyrë spontane nëpërmjet thirrjeve në rrjete sociale, pas zhvillimeve në negociatat e qeverisë dhe vendimit të Bankës Qendrore Europiane. Qindra njerëz të çdo moshe ishin gjithashtu të pranishëm në tubimin e përkrahjes së qeverisë që u organizua në Selanik, para Kullës së Bardhë. Tubime të ngjashme u zhvilluan edhe në qytete të tjera të vendit.
Të dielën, diskutimi për programin e qeverisë
Rezultatet e vizitave të kryeministrit në kryeqytetet europiane dhe përgatitja për shpalljen e programit të qeverisë, diskutimi i të cilit do të fillojë të dielën dhe do të përfundojë të martën, ishin në qendër të mbledhjes së këshillit të ministrave, nën drejtimin e Aleksis Cipras. Sipas burimeve qeveritare, Cipras i vlerësoi si pozitive rezultatet e vizitave në Itali, Belgjikë, Francë dhe Qipro, ndërsa gjatë mbledhjes u bënë referime edhe ndaj vendimit të BQE për mos të pranuar më bonde greke. U shpreh vlerësimi se është një lëvizje presioni politik nga ana e bankës qendrore që nuk do të ketë pasoja për sistemin bankar grek. I cili sistem është i sigurt sa në nivel likuiditetesh, aq edhe financimi. Kjo u konfirmua edhe nga guvernatori i Bankës së Greqisë, Janis Sturnaras në takimin që kishte me nënkryetarin e qeverisë, Janis Dragasakis. Më herët, duke folur në mbledhjen e parë të grupit parlamentar të SYRIZA-s, kryeministri Aleksis Cipras, theksoi se “i kemi të gjitha mundësitë që të arrijmë dhe të fillojmë gradualisht të korrigjojmë padrejtësitë, por do të lëvizim menjëherë, në mënyrë të rrufeshme për të përfunduar me regjimin e korrupsionit dhe të shtetit klientelist, duke promovuar ndryshime rrënjësore”. Duke iu drejtuar kreditorëve, Cipras tha se qeveria e re do të zbatojë gjithnjë angazhimet dhe shtoi se nuk do të lejojë që qytetarët të mashtrohen sërish. “Nuk kërcënojmë asnjë ekuilibër në Europë, përkundrazi, qeveria e re po vjen që ta vendosë ekuilibrin në Europë”, tha Cipras, duke garantuar se qeveria e tij do të negociojë fuqishëm për t’iu dhënë një fund trojkës dhe politikave të saj.
*Korrespodent i “Koha Jonë” në Athinë
BOX
FMN: Presim ide dhe propozime nga qeveria e re greke
“Jemi të gatshëm dhe të predispozuar të shqyrtojmë idetë, propozimet dhe drejtimet e politikës që dëshiron të ndërmarrë qeveria e re greke”, deklaroi zëdhënësi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Jerry Rice, gjatë konferencës së shtypit në zyrat e Fondit në Uashington, ku pati shumë pyetje për Greqinë. Rice përsëriti “edhe një herë tjetër”, siç tha, se ekziston një “kuadër i dakorduar për borxhin”. I pyetur lidhur me publikime, sipas të cilave FMN dëshiron të largohet nga përbërja e trojkës, Rice përsëriti “mbështetjen dhe ndihmën” që ofron Fondi, mbi bazën e programit ekonomik grek, duke nënvizuar se për një zhvillim të tillë (largimin nga trojka), do të nevojitet një diskutim i gjerë.
ATHINË
Procesi kundër Agimit të Artë pritet të fillojë në muajin prill
Sipas të gjitha gjasave në muajin prill pritet të fillojë procesi gjyqësor kundër të pandehurve për çështjen e Agimit të Artë, një gjyq që shkakton interesim të jashtëzakonshëm, pasi për herë të parë del para drejtësisë një parti politike që akuzohet për veprimtari kriminale. Pas hartimit të akt akuzës kundër 70 të pandehurve, që përbëhet nga më shumë se 1000 faqe, pritet të vendoset data e saktë e hapjes së gjyqit, që sipas të dhënave të deritanishme do të zhvillohet në një sallë të posaçme në burgun e Koridalosit, ku pritet të bëhen modifikimet përkatëse. Në bankën e të akuzuarve do të ulen kreu dhe gjithë deputetët e partisë të periudhës 2012-2014, kuadro dhe anëtarë të organizatës, që do të përballen me akuzën kryesore për krijim organizate kriminale dhe një sërë aktesh penale.