Fondet për bujqësinë 2015, kriteret se kush do përfitojë

Me anë të një vendimi të posaçëm, qeveria ka përcaktuar kriteret bazë të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2015. Konkretisht, sipas tij, ky fond i caktuar në mënyrë të posaçme për mbështetjen e prodhimit bujqësor, blegtoral dhe të agropërpunimit, do të përdoret për: a) investimet për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm të tregut; b) përmirësimin e teknologjisë së kultivimit dhe të mbrojtjes së bimëve; c) prodhimin e perimeve në ambiente të mbrojtura për zbutjen e sezonalitetit të furnizimit të tregut; ç) mbarështimin e blegtorisë, bletarisë dhe akuakulturës; d) furnizimin e qëndrueshëm të tregut dhe rritjen e të ardhurave financiare për familjet e zonave rurale; dh) nxitjen e kreditimit bankar dhe investimeve në sektorin e përpunimit, ruajtjes dhe marketingut të produkteve bujqësore, blegtorale, shpendëve, akuakulturës, mjaltit dhe bimëve medicinale; e) rritjen e mundësisë së fermerëve për mjete të mekanizuara dhe lëndëve djegëse për ngrohjen e ambienteve të mbrojtura; ë) nxitjen e kooperimit dhe organizimin e shoqërive të bashkëpunimit bujqësor (SHBB). Ndërsa shtohet se masat e mbështetjes dhe masa e përfitimit nga ky fond sipas rajonizimit të hartës bujqësore do të jenë: a) Mbështetje për përmirësimin e teknologjisë së kultivimit dhe mbrojtjes së bimëve, si: i. përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes së vreshtave me fidanë të kultivarëve autoktonë, në vlerën 600.000 lekë/ha dhe me fidanë të kultivarëve të tjerë, në vlerën 500.000 lekë/ha; ii. përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes së mollëve, dardhave, kumbullave, qershive, pjeshkëve, nektarinave, fiqve, ftonjve, shegëve, kivit, luleshtrydhes dhe agrumeve, në vlerën 200.000 lekë/ha; iii. përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes së arrave, lajthive dhe bajameve, në vlerën 200.000 lekë/ha për format intensive dhe ekstensive të kultivimit;  iv. përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes dhe kultivimit të bimëve medicinale të kultivuara, si: lavanda, timus, rigon, gjethe qumështore, rozmarinë, mullagë e bardhë, mullagë e zezë, valeriane, mollë e egër, tërfili i kuq, bar blete, lule kalendule, lule dielli (për petale), hithër, helichrysum italicum dhe kokoçeli (lule ciani), në vlerën 250.000  lekë/ha; v. përmirësimi i teknikave të ujitjes nëpërmjet mbështetjes financiare të instalimit të ujitjes me pika, në ullishte, vreshta, pemëtore, agrume, arrore dhe shegë (vetëm për format intensive të kultivimit të tyre), kundrejt faturës tatimore, por jo më shumë se 250.000 lekë/ha, por financimi të bëhet për jo më pak se 0,5 ha dhe jo më shumë se 10 ha; vi. mbrojtja e ullishteve nga dëmtimi i mizës së ullirit në bllok dhe sipas zonave prioritare të prodhimit, në vlerën jo më shumë se 35.000 lekë/ha; vii. instalimi i sistemit të ngrohjes me biomasë (pellete), në serat me ngrohje qendrore, në vlerën jo më shumë se 1.800 000  lekë/dynymi. Teksa sqarohet gjithashtu dhe fakti se sipërfaqja e mbjellë me kulturat e përshkruara sipas masave të përcaktuara në këtë ligj duhet të jetë jo më e vogël se 0.2 ha dhe jo më e madhe se 10 ha.

SEKTORI

Mbarështimi i blegtorisë,

bletarisë dhe akuakulturës

– Në vlerën 1.200 lekë/krerë dele dhe/ose dhi të matrikulluara për fermat të cilat mbarështojnë jo më pak se 100 krerë, por financimi për jo më shumë se 300 krerë;

– Në vlerën 1.000 lekë/koshere bletë për fermerët me jo më pak se 50 koshere bletë;

– Mbështetja e sektorit të akuakulturës, në masën 25% të vlerës së rasatit, por jo më shumë se 600.000 lekë/fermë dhe/ose 25% të vlerës së ushqimeve për peshkun nën kultivim, por jo më shumë se 500.000 lekë/fermë, vërtetuar me faturë tatimore dhe/ose faturë zhdoganimi.

 

LLOJET

Ndihma për furnizim tregu

dhe familjet e zonave rurale:

 

Furnizimi i qëndrueshëm i tregut dhe rritja e të

ardhurave financiare për familjet e zonave rurale për:

 

– Mbështetje për dorëzimin e prodhimit të frutave dhe perimeve në pikat e grumbullimit ose përpunimit, në masën 15% të vlerës së mallit të shitur, të vërtetuar me faturë tatimore.

 

Sasia e dorëzimit është:

– për jo më pak se 30 kv dhe jo më  shumë se 300 kv për frutat;

– për jo më pak se 50 kv dhe jo më shumë se 400 kv për perimet;

– për jo më shumë se 400 kv për fasulen pllaqi.

– Mbështetje, në vlerën 10 lekë/litri qumësht, për fermat blegtorale që dorëzojnë jo më pak se 1.500 litra qumësht në muaj, por jo më shumë se 15.000 litra qumësht në muaj, dhe mbarështojnë jo më pak se 10 krerë lopë të matrikuluara, por financimi të bëhet për jo më shumë se 80 krerë. Pagesa të bëhet kundrejt sasive të qumështit, të deklaruara në organet tatimore;

iii. mbështetje për dorëzimin e prodhimit të midhjeve në qendrat e grumbullimit dhe/përpunimit, në vlerën 10 lekë/kg të dorëzuar (të shitur) e të vërtetuar me faturë tatimore, por financimi të bëhet për jo më pak se 200 kv dhe jo më shumë se 1.000 kv në vit.

NDIHMA

Nxitja e investimeve

dhe kreditimit bankar

Nxitja e investimeve dhe kreditimit bankar në sektorin bujqësisë, blegtorisë, shpendëve, bletarisë, akuakulturës dhe bimëve medicinale, si:

Mbështetja, përmes subvencionit, në masën 70% të normës së interesit, për 7 vite radhazi, për kreditë deri në 30.000.000

lekë që do të merren për aktivitetet e mëposhtme:

– Ndërtimin e objekteve që shërbejnë për mbarështimin e kafshëve, shpendëve dhe akuakulturës;

– Ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës, shpendëve dhe bimëve medicinale;

– Mekanizimin e bujqësisë, blegtorisë, akuakulturës dhe bimëve medicinale.

Mbështetja e investimeve deri në 50% të vlerës së projektit, kundrejt faturës tatimore përfshirë vlerën e tatimit, por jo më shumë se 20.000.000 lekë për një subjekt, për:

– ngritje dhe/ose rikonstruksion ambientesh për grumbullim dhe ruajtje të produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës, shpendëve dhe bimëve medicinale;

– ngritje dhe/ose rikonstruksion të ambienteve për mbarështim të kafshëve, shpendëve, midhjes dhe peshkut;

– linja për standardizimin (paketim, mbushje, konservim, ambalazhim) tharje dhe/ose përpunim, si dhe mjete të specializuara  transporti të prodhimeve bujqësore, blegtorale, mjaltit, bimëve medicinale, produkteve të akuakulturës;

– mbështetje për energjinë e rinovueshme;

– hapje lerash.

Ndërtim të serave për kultivimin e perimeve, prodhim fidanësh dhe produkteve të tjera bujqësore, në masën 60% të vlerës së investimit përfshirë vlerën e tatimit, por jo më shumë se 1.200. 000 lekë për dynym, për sera me sipërfaqe minimumi 2 dynymë dhe jo më shumë se 2 ha;

Mbështetja e investimeve deri në masën 60% të vlerës për traktorë dhe/ose agregate të tjera bujqësore për manovrim në nivel ferme, përfshirë vlerën e tatimit.

SKEMA

Subvencionet, gjatë 2014

përfituan mbi 8000 fermerë

Mbi 8 mijë fermerë nga i gjithë vendi kanë qenë përfitues të fondeve nga skemat kombëtare dhe ato të Bashkimit Europian gjatë vitit 2014. Agjencia e Pagesave ka luajtur një rol kyç për të shpërndarë fondet me përpikmëri tek ato fermerë që kanë plotësuar kushtet. Drejtoresha Suela Popa shpjegon se viti që lame pas ka qenë pozitiv dhe risi i skemave kombëtare ka qenë edhe mbështetja e investimeve. Agjencia e Pagesave ka ndjekur njëkohësisht edhe zbatimin e investimeve me fondet Ipard Like të Bashkimit Europian. Ndërkohë që fermerët mbështeten përmes disa skemave. Bashkimi Europian dhe Ministria e Bujqësisë çdo vit vendosin në dispozicion fonde për mbështetjen e femerëve me grante dhe kultura bujqësore me qëllim zhvillimin ekonomik të këtyre zonave. 

 

SHKARKO APP