Formula e suksesit të Amit, të qenurit me këmbë në tokë
Intervistoi: Viola Thoma
Ajo është një nga femrat më të suksesshme jo vetëm në botën e televizionit, por tashmë edhe në biznes. Emri i Amarda Toskës padiskutim që ngjall kureshtje menjëherë sapo e dëgjon, sepse ajo ka gjithmonë diçka të re për të thënë, për të bërë dhe për t’i prezantuar publikut. Në intervistën e mëposhtme, dhënë për gazetën “Koha Jonë” Ami tregon për përkushtimin e saj në botën e biznesit dhe suksesin e arritur që ia dedikon pikërisht familjes së saj. Ndër të tjera, ajo na zbulon se receta e suksesit të Amit është thjeshtësia, pra “të qënurit me këmbë në tokë”. Gjithashtu ajo zbulon planet e afërta, të cilat nisin me garën e kërcmit në Vizion +, “Dancing with the Stars”!
Jeni duke drejtuar një biznes, i cili nuk operon vetëm në Tiranë, jeni një nënë e përkushtuar dhe njëkohësisht pjesë e botës së televizionit, si arrini t’i menaxhoni të gjitha këto dhe njëkohësisht të keni sukses?!
E gjitha është çështje organizimi dhe nuk ka asgjë që nuk bëhet dot. Nëse ekziston dëshira dhe pasioni në punët që merr përsipër atëherë automatikisht përkushtohesh në maksimum për realizimin e tyre. Pastaj, angazhimet e lartpërmendura kanë periudha të ndryshme angazhimi gjithashtu ka edhe periudha pushimi kur bëhet fjalë për televizionin për shembull, pra ajo që dua të them është secila punë ka kohën e vet dhe një mirëmenaxhimi i tyre gjithmonë është një avantazh pozitiv.
Sa e vështirë është të jesh bussines-woman në Shqipëri dhe si e shikoni veten në raport agjencitë e tjera simotra? Ndjeni konkurrencë?
Shqipëria në fakt nuk është terren i sigurt për biznes, pak rëndësi ka femër, apo mashkull. Biznesi në vetvete për të pasur sukses dhe për t’u konsoliduar dita-ditës ishte i vështirë. Në rastin tim duke qenë një person publik e kam pasur avantazh të madh në raport me konkurrentët. Konkurrencën e shoh si motorin që lëviz shumë komponentë për të çuar drejtë rrugës së perfeksionit.
Përkrahësi, apo mbështetja jote më e madhe, jo vetëm në punë, por edhe përtej saj?
Vetëm familja!
A ka Ami një recetë suksesi jo vetëm si bussines-woman, por edhe si femër e realizuar?
Unë kam pasur gjithnjë filozofinë e të qënit me këmbë në tokë, sado lart kam qenë dhe mendoj se vetëm duke qenë fanatike e kësaj formule, kam arritur të jem racionale dhe mbi të gjitha t’i jap rëndësi më shumë punës, sesa dukjes.
Nisma dhe projekte të reja premtohen nga ana juaj. Çfarë konkretisht? Mund të na zbuloni disa detaje të planeve të “Ami Event”?!
Që në fillimet tona na ka karakterizuar inovacioni në shërbimet tona. Ndaj dhe me kalimin e viteve në krijuam revistën “Ami”, ekskluzivisht për dasmat dhe nuset shqiptare. Krijuam rrjetin e dyqaneve “Ami Event” dhe tashmë sapo kemi përmbyllur punën voluminoze me hapjen katër dyqaneve në Tiranë, Durrës “Ami Party”, ku ka pafund fustane mbrëmjeje për vajzat dhe zonjat. Gjithashtu jam tepër e lumtur që këtë vit koleksionet tona të 2015 përbëhen nga market më të mira në botë, të cilat i përkasin fushës së fustaneve të nusërisë. Kënaqem pafund që i shoh ato fustane aq të veçantë tek klientet tona.
Sa e vështirë është për Amin personalisht dhe për “Ami Event” t’i mbijetojë konkurrencës në treg?!
E thashë edhe më sipër që konkurrenca është një motor që të bën të lëvizësh më shpejt dhe kjo është diçka shumë e mirë për përmirësim. “Ami Event” ka krijuar pozicionin e saj në treg dhe është një brand i konfirmuar tashmë. Nisur nga kjo sfida jonë nuk është më konkurrenca, sesa egoja jonë profesionale për të qenë lider në cilësinë e shërbimit që ofrojmë dhe për ta bërë këtë gjë çdo ditë e më mirë.
Mund të quhet padiskutim një sipërmarrje femërore e suksesshme, kujt i dedikohet e gjithë kjo?
Në fakt unë jam vetëm ajo që dukem më shumë nga të tjerët, por pas meje është një staf tepër i përkushtuar për qëllimin e përbashkët. Çdo ditë duhet të mbyllet siç duhet, që çdo detaj e shërbim sado i vogël të bëjë të lumtur klientët tanë. Kjo është një punë kolosale e shumë njerëzve që me përkushtim kujdesen për detajet në mënyrë që finalja të jetë ajo që ne shohim në shkrepjen e aparatit. Padiskutim kam fatin të ndajmë këtë punë bashkë me Ermalin, njeriu që ka energjinë dhe intuitën për të çuar përpara projektet.
Ermiri gjithashtu është mbështetje e madhe në punën tonë të përditshme. Dua të falenderoj gjithashtu për përkushtimin e tyre gjithë stafin e “Ami Events”.
Së shpejti do t’i riktheheni ekranit përkrah Drini Zeqos në “Dancing with the Stars”. Si po e prisni eksperiencën e radhës në këtë garë kërcimi?
Më ka marrë malli të kënaqem në atë skenë, sepse aty vërtet nuk ndjehet lodhja. Argëtimi dhe marrëdhënia me njëri-tjetrin në këtë format ka qenë gjithmonë frytdhënëse.
Prej disa vitesh prezantuese, jo vetëm e këtij formati. Mendoni se ka ardhur koha të keni dhe drejtoni një emision tuajin? Në çfarë zhanri emisioni e shikoni veten më të zonjën dhe komode?
Emisionet që drejtoj i quaj të miat për aq kohë sa jam pjesë e tyre. Mendoj që kur merr përgjegjësi më të mëdha në blerjen e patentave kthehet më shumë në një biznes artistik. Nuk e paragjykoj aspak, por që nuk është në interesin tim. Biznesi që mua më përmbush në çdo drejtim është “Ami Event” dhe televizioni mbetet një projekt artistik.
Cila është strategjia që ka përdorur Ami jo vetëm për të qëndruar gjatë në ekran, por edhe për të qenë e suksesshme në nismat e saj?!
Nuk di të bëj strategji sinqerisht, sepse gjithmonë “dal në dritë” (qesh). Nuk jam munduar kurrë të hiqem ajo që s’jam, ose ajo që do doja te isha. Mbase, ngaqë kam qenë gjithnjë e përmbushur nga gjërat që kam dashur të bëj. Kam luksin që nismat e mia në çdo drejtim të mos orientohen nga nevoja financiare dhe kjo më zgjidh shumë punë. Unë zgjedh atë që dua, jo që duhet.
Këshillat e suksesit në biznes që Ami ndjek i mban sekret, apo i ndan edhe me miq?
Vetëm punë me përulësi.
Këto ditë djali juaj ka festuar 1-vjetorin e lindjes dhe festa që i organizuat ishte mjaft e bukur. E surprizoni herë pas here djalin, apo me receta nga frika se mos llastohet?
Epo një herë ë vit e meriton të llastohet gjithë ditën (qesh)!
Me ç’muzikë (titull kënge, apo instrumentale) do ta pagëzonit dashurinë për djalin?
Parajsë shpirtërore.
Agjenda e një dite të zakonshme e Amit?
Zgjimi 07:30, 2 orë me djalin, pastaj me vrap në punë, pastaj varet dhe shumë nga angazhimet e asaj dite. Disa orë të pashmangshme në “Ami Event”. Ora 19:00 në mbrëmje zakonisht më gjen në shtëpi për ritualet e darkës me Joelin. Pasi Joeli fle është përsëri momenti për të bërë ndonjë punë nga laptopi, ose diçka që duhet për të lexuar.
Raporti juaj me kohën?
Do doja të kishte vetëm dita 24 orë!
I frekuentoni Kinematë, Teatrin, Ekspozitat?
Më parë më shumë, tani prej Joelit darka është pak më e kufizuar në daljet tona.
Tani që jeni bërë prindër i frekuentoni ende clubet me Ermalin, apo i keni reduktuar argëtime të tilla?
Edhe më parë në fakt kemi qenë shumë selektivë në vendet që frekuentojmë, më shumë na pëlqen të mblidhemi me miqtë në shtëpi.
Çfarë e bën të bukur jetën tënde Ami dhe si do ta cilësoje lidhjen me Ermalin?
Jetën time e zbukuron familja ime së pari, më pas gjithçka që bëj dhe që e kam ndërtuar vetë më jep një lumturi të pamasë. Lidhjen me Ermalin e cilësoj shumë të vrullshme dhe të jetuar me shumë intensitet.
Është Ermali po aq i përkushtuar me beben, po aq sa ju (nëna). Kam ndërmend këtu zgjimet në orët e vona të natës nga të qarat e djalit, etj.. Shërbime që fëmija kërkon?
Nëna është lindur për të bërë rolin e nënës dhe mirë do ishte të mos ngatërroheshin shumë këto role!