Formularët për kompensimin e dritave, si duhet të plotësohen nga 203 mijë kryefamiljarë
Qeveria ka zyrtarizuar kompensimin me 648 lekë në muaj të rreth 203 mijë personave. Me botimin në Fletoren Zyrtare, ditën e premte, ka nisur edhe juridikisht kompensimi i pensionistëve, atyre që marrin ndihmë ekonomike, tetra dhe paraplegjikëve, të verbërve dhe buxhetorëve që marrin më pak se 35 mijë lekë në muaj. Udhëzimi tashmë është shpërndarë në të gjitha dikasteret përgjegjëse për ndarjen e kompensimit.
Por, për të marrë këtë përfitim, secila nga këto kategori duhet të plotësojë një deklaratë personale. Gazeta “Panorama” boton sot tre formularët, për të gjitha kategoritë që do të përfitojnë 648 lekë/muaj për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Bashkë me deklaratat, çdo kategori duhet të përgatisë disa dokumente që plotësojnë kushtet për kompensim.
Kushti i përbashkët është që përfituesi të mos ketë të ardhura të tjera në familje. Pra, në rast se është pensionist, të mos ketë fëmijët apo gruan/ burrin në punë. Edhe në rastet kur janë dy pensionistë, vetëm njëri prej tyre e përfiton kompensimin. Kushti që përfituesi është i vetmi i punësuar vlen edhe për administratën, apo ata që marrin ndihmë ekonomike. Një tjetër kusht është pagesa e energjisë. Pra, që të marrësh kompensimin, duhet të jesh pagues i rregullt i dritave, në të kundërt, në rast se je debitor, nuk përfiton 648 lekë/muaj.
“Fotokopje të librezës së energjisë, që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara”, është fjalia që përsëritet për të tria kategoritë e përfituesve. Për pensionistët procedura tashmë ka nisur. Të gjithë ata që marrin aktualisht kompensim për energjinë, marrin direkt edhe 648 lekët për rritjen e çmimit në 2015. Por brenda 3 muajsh ata duhet të plotësojnë deklaratën e re, ku të vërtetojnë se nuk kanë asnjë anëtar të familjes të punësuar dhe nuk kanë të ardhura të tjera. Kompensimi merret vetëm nga një prej pensionistëve në familje.
Për ata që nuk e plotësojnë deklaratën e re deri më datë 27 prill, përfitimi do të fillojë vetëm për muajin kur bëhet deklarimi. Pra, pensionistët kanë tre muaj kohë që të plotësojnë dokumentet. Ata që i plotësojnë deri më 27 prill, marrin përfitimin edhe për muajt e mëparshëm, ndërsa ata që i plotësojnë pas kësaj date, vetëm për muajin që kanë dorëzuar dokumentet. Paratë e përfitimit do të ndahen në zyrat e postës, ku merret edhe pensioni.