Forumi i Bled-t – BE investime 1 miliard euro në vit për Ballkanin

Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përmirësojnë lidhjet e transportit dhe forcimin e sistemeve të tyre ligjore, ndërsa kërkojnë të tërheqin më shumë investime, tha të martën nënkryetari i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Pierre Heilbronn i tha Reuters se EBRD do të vazhdojë të investojë rreth 1 miliard euro në vit në rajon që përfshin Serbinë, Bosnjën, Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën dhe Shqipërinë, vende këto që aspirojnë të bashkohen me BE-në.

Ai tha se vendet duhet të përqendrohen në atë se si të “heqin pengesat midis këtyre tregjeve, të cilat përndryshe janë mjaft të vogla edhe për investitorët vendas”.

“Gjithçka që lidhet me sundimin e ligjit është shumë e rëndësishme,” tha Heilbronn, gjatë forumit të Bledit në pjesën alpine të Sllovenisë.

Ai tha se BERZH po fokusohet veçanërisht në investimet në energjinë e rinovueshme dhe efikasitetin e energjisë të cilat mund të prodhonin kursime të mëdha.

Me zgjerimin në pritje, BE po i shtyn gjashtë vendet e Ballkanit që të integrojnë ekonomitë e tyre për të nxitur zhvillimin dhe stabilitetin, të shqetësuar për marrëdhëniet ndonjëherë të ngurta në rajon dhe ndikimin e një Rusie të inkurajuar.

Por grindjet politike po pengojnë këto përpjekje, shkruan Reuters. Në një takim të fundit në Trieste të Italisë, Bosnja nuk arriti të nënshkruante një marrëveshje për përmirësimin e lidhjeve të transportit për shkak të kundërshtimeve nga rajoni i saj autonom serb boshnjak, ndërkohë që Kosova kundërshtoi një bashkim doganor të propozuar.

Megjithatë, Ministri i Jashtëm boshnjak Igor Crnadak i tha forumit të Bledit se Bosnja tani kishte vendosur të nënshkruante marrëveshjen e transportit. “Prej sot jemi brenda traktatit të transportit”, tha ai.

Heilbronn tha se përfshirja e Bosnjës në marrëveshjen e transportit do të mundësonte investime më të lehta.

Edhe pse shumica e shteteve të Ballkanit Perëndimor kanë negociuar anëtarësimin në BE për shumë vite, askush nuk i është bashkuar bllokut që nga hyrja e Kroacisë në 2013.

SHKARKO APP