Forumi Kombëtar i Biznesit: Problem, taksat e larta
Forumi Kombëtar i Biznesit bëri të ditur rezultatet e studimii të fundit të tij gjatë Konferencës mbi Këndvështrimet e Biznesit mbi Informalitetin në Shqipëri, ku edhe dha rekomandimet përkatëse, me qëllim formalizimin e ekonomisë apo përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.
Analiza e të dhënave të studimit tregon se dy ndër problemet kryesore për pjesën më të madhe të komunitetit të biznesit shqiptar janë: ’’niveli i lartë i taksave’’ për 2/3 e përfaqësuesve të sipërmarrjeve të intervistuara, (66 %) dhe ”konkurrenca (e pandershme) nga biznese të tjera të paregjistruara’’, për gati 2/3 e tyre, (64 %).
Duke marrë në konsideratë se një ndër pengesat kryesore është edhe konkurenca e pandershme nga biznese që nuk janë të regjistruar, bizneset janë pyetur për arsyet kryesore që mund të pengojnë regjistrimin e tyre. Bizneset e përfshira në studim vleresojnë se tre barrierat kryesore që pengojnë regjistrimin e bizneseve janë: “Detyrimet për të paguar taksa’’ – për më shumë se 3/4 e tyre (77 %); “risk më i lartë për t’u kontrolluar nga kontrolli tatimor’’ – për afro 2/3 e tyre (62 %) dhe “risk më i madh për t’u kontrolluar nga Inspektorati i Punës’’- (57 %).
Përsa i përket nivelit të praktikave informale në komunitetin e biznesit, rezultatet e anketimit vlerësojnë se rreth 1/3 e detyrimeve fiskale përkatese mbi shitjet shmangen nga detyrimet tatimore, (31 %), pothuajse 1/3 e totalit të fuqisë punëtore nuk raportohet fare tek autoritetet tatimore, (29 %) dhe 43 % e pagës totale të punonjësit, paguhet me të holla në dorë (cash). D.m.th pjesa e pagave të punës për të cilën nuk paguhen detyrimet kundrejt sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore është e konsiderueshme.
Bizneset janë pyetur në lidhje me arsyet kryesore të shfaqjes së praktikave informale në nivele relativisht të larta. Sipas rezultatave të anketimit rezulton se tre arsyet kryesore që i pengon ato të jenë plotësisht formal, janë: “Niveli i taksave – në gati 3/4 e rasteve (71 %), Korrupsioni në radhët e zyrtarëve publik’’ në gati 2/3 e rasteve (63 %) dhe, ‘’Kontrolli tatimor’’ në më shumë se gjysmën e tyre (55 % ).
Përfaqësuesit e sipërmarrjeve të intervistuara, u pyetën dhe për faktorët që mund të nxisin pagesat e plota në mënyrë formale të taksave. Nga analiza e të dhënave, rezulton se ndër faktorët që mund të nxisnin pagesat e plota në mënyrë formale të taksave janë edhe: nëse këto të hyra tatimore shkojnë për të financuar shërbime të rëndësishme, për 2/3 e rasteve, (67 %) dhe nëse do të kishim një reduktim të nivelit të taksave që paguajnë bizneset dhe të punësuarit, në afërsisht 2/3 e rasteve, (60 %).
Bazuar në të gjitha problemet e identifikuara nga 400 bizneset e intervistuara në të gjithë sektorët e ekonomisë, me një shtrirje gjeografike në të gjithë Shqipërinë, Forumi Kombëtar i Biznesit ka hartuar një sërë rekomandimesh duke u përqëndruar në tre kategori kryesore të problemeve: barra e taksave dhe motivimi i bizneseve për të paguar taksat, përputhshmëria me marrëdhëniet e punës dhe kontrolli tatimor.