FOTO/ Hyundai prezanton autobusin elektrik të së ardhmes, 290 km udhëtim me vetëm 256 kWh
Prodhuesi korean, Hyundai, ka prezantuar autobusin e ri me rrymë, i cili në rrugë do të dalë në vitin 2018.
Autobusi i ri elektrik Elec City është prezantuar në manifestimin Hyundai Truck & Bus Mega Fair në Korenë Jugore.
Kjo është hera e dytë që kompania tenton të krijojë një autobus komercial, pasi prototipi i parë nga viti 2010 nuk mori dritën jeshile për prodhim në seri.
Elec City përdor bateri me kapacitet 256 kWh, e cila sipas prodhuesit jugkorean siguron deri 290 km udhëtim me një mbushje.
“Ende kanë mbetur shumë çështje për tu rregulluar sa i përket infrastrukturës për rimbushje të baterive nëpër qytetet, por ne kemi vendosur që ta hedhim në treg këtë autobus, sepse qeveria po angazhohet në promovimin e makinave me elektricitet”, ka thënë Tak Yeong-duck, zv. Presidenti i kompanisë.
Prodhuesit e makinave nga mbarë bota gjithnjë e më shumë po i japin prioritet prodhimit të makinave me motorë elektrikë.