Franca thyen tabunë – Edhe me Asadin në luftë kundër IS
Franca sinjalizon një kthesë radikale në politikën ndaj Sirisë. Gati për të duruar edhe Bashar al-Asadin në luftën kundër IS. Kthesa erdhi pas takimit të enjten të presidentit francez, Hollande me presidentin rus, Putin.
Trupa tokësore me Asadin
Menjëherë të premten erdhi reagimi nga Franca. Mediat njoftuan se Franca nuk e përjashton më një pjesëmarrje të të forcave të armatosura të regjimit sirian në një aleancë kundër terroristëve të IS. Në luftë kundër IS kemi nevojë nga njëra anë për bombat, por nga ana tjetër edhe për trupat tokësore, tha ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius të premten në mëngjes për televizionin RTL. Trupat tokësore mund të jenë forcat e bashkuara të Ushtrisë së Lirë Siriane, forcat sunite dhe „pse jo edhe forca të regjimit“, përmendi Fabius pak para ceremonisë përkujtimore në nder të viktimave të sulmeve terroriste në Paris në katedralen e invalidëve të premten.
Reagimi i forcave opozitare kundër Asadit
Ministri i jashtëm francez bëri të qartë se nuk do të ketë trupa tokësore nga Franca. Me këtë deklaratë bëhet e qartë kthesa e fortë e Francës në politikën ndaj Asadit. Deri më tani Franca e kishte përjashtuar kategorikisht një bashkëpunim me qeverinë e Bashar al-Asadit. Tani që presidenti francez, Francois Hollande pas sulmeve në Paris me 130 viktima po përpiqet të krijojë një aleancë globale në luftën kundër terrorit, vjen edhe ndryshimi i qëndrimit të Parisit.
Në një reagim të parë të kundërshtarëve të regjimit të Asadit shprehet zemërimi për këtë kthesë në politikën franceze. Ahmed Ramadan, një nga drejtuesit e aleancës opozitare me qendër në Stamboll u shpreh se “Ky hap i vlen interesave të terroristit më të madh, Bashar Al-Asad. Ne e dimë se ka pasur gjithmonë një interes të përbashkët mes IS dhe regjimit të Asadit.”
Mediat europiane mbi takimin Hollande Putin
Vizita e presidentit francez, Hollande në Moskë ka qenë pjesë e komenteve të shtypit europian. „Le Monde“ shkruan se po krijohet një aleancë botërore kundër IS.“Çfarë ka arritur Hollande me këtë maratonë diplomatike? Së pari një bashkëpunim më të mirë të SHBA-së me trupat e Francës. Së dyti një ndihmë më konsekuente të Gjermanisë në Siri dhe në Mali. Së treti hyrjen e mundshme të Britanisë së Madhe në koalicionin perëndimor. Së katërti një koordinim me Moskën dhe premtimin se sulmet ajrore do t’i drejtohen vetëm IS. Por ne kemi kuptuar se bota ende nuk është gati për atë koalicion të madh, për të cilin bën fjalë Franca.“
Ndërsa gazeta konservatore çeke, „Lidove Noviny“ vëren se Hollande mund t’ia dalë edhe pa Merkelin në Moskë. „Hollande përfaqësoi në Moskë gati të gjithë Bashkimin Europian. Kanë kaluar kohët kur ai udhëtonte në Moskë si partner më i vogël i Angela Merkelit për të sqaruar se në BE ka dy lokomotiva. Tani kur vjen puna tek lufta kundër xhihadistëve, Hollande mund t’ia dalë edhe vetëm me Putinin, ku ndërkohë Merkeli kalon në pozicionin e partneres më të vogël. Hollande është politikani i parë europian që nuk trembet të përdorë fjalën luftë, dhe me këtë ai është në një linjë me Putinin. Se si duhet përfytyruar kjo luftë… më mirë të mos e bëjmë aspak këtë pyetje.“