Fshati që ndihet rrejshëm si Qendra e Botës
Nga Artur Zheji
Që jemi thjesht një fshat, me kafenera dhe vajza të bukura, me klimë me diell dhe me bujari të Zotit në pasuri natyrore e nëntokësore për frymë popullsie, kjo nuk ka dyshim. Sepse jo vetëm jemi fare të vegjël, por në të njëjtën kohë nuk dhe kemi asnjë peshë reale, në vendimmarrjet e mëdha e të mesme të Botës, madje as edhe në të voglat, ato më ngushtësisht rajonalet.
Mendoja se përmasat reale të Shqipërisë, së paku Edi Rama, do t’i kishte parasysh më mirë. Padyshim, ai, kryeministri, në bisedat bilaterale, për nga koeficienti i intelektit dhe i fizikut, nuk ka përse të kompleksohet. Por, nëse jemi më shumë të vetëdijshëm për nivelin e përfaqësimit, të asaj që mund të quajmë, Pesha e Rëndesës së shtetit shqiptar, na përket të jemi gjithsesi, shumë e më shumë modestë.
Dhe ja sepse.
Në të njëjtën kohë që “vlon” Fshati Ynë, nga akuza e kundërakuza dramatike dhe shpesh, më shumë se rrallë, teatrale, konspirative dhe të stisura, Planeti Tokë, Bota pra, nuk po dominon dot një vatër të madhe lufte në Siri dhe duhet të bëjë hesape të kushtueshme, me një krijesë luftarake dhe të armatosur me Doktrinë dhe Armë, si ISIS, por edhe me një krizë ekonomike tejet të gjatë.
Një krizë ekonomike, që në të vërtetë, po lëviz aksin e Peshës Ekonomike të Botës, nga Perëndimi në Lindje.
India, Rusia, Kina, Japonia, Indonezia dhe vende të tjera mbi 100 milionë-banorëshe, kanë në ndërkohë një kosto pune, e për pasojë një kosto prodhimi shumë më të ulët dhe përafërsisht konkurruese edhe për nga cilësia, duke nënshtruar pjesën më të madhe, më dërmuese të Tregjeve Botërore. Janë pra disa disbalanca, që nëse do të vëreheshin 100 vjet më parë, do të kishin prodhuar, si edhe prodhuan dy herë, një Luftë Botërore.
Llahtaria e armës bërthamore, që nuk përcakton dot fitues, ka bërë që Luftë të hapur të mos ketë. Por kjo nuk do të thotë se njëkohësisht ka Paqe. Përkundrazi, ka një Betejë shumëvjeçare dhe shumë të “përgjakshme” ekonomike dhe në fushën e kërkimeve intensive, për të zbuluar apo përsosur Burime Alternative Energjie, që në këtë Shekull dhe në atë që vijon, nëse Zoti e ka Dhënë që të Vijojë, do të jenë çelësi i artë dhe njëkohësisht Beteja Finale, që do të përcaktojë raportin e forcave në Planet.
Në këtë betejë titanësh dhe miliarda njerëzish, roli dhe pesha e Shqipërisë, janë të krahasueshëm me atë të një sardeleje në Oqean. Një sardele pra, që në stuhitë oqeanike që jetojmë, apo ku dhe jemi të kredhur, që sheh ëndrra dhe pastaj, më keq akoma, i beson ëndrrat që sheh, e më pas beson, që simbas asaj çka pa në ëndërr, është pa një pa dy, edhe Qendra e Botës.
E pra, si të thuash, guri i artë, që mund të ndryshojë edhe vetë Peshoren e Madhe.
Ky refleksion, cinik dhe mizor, të sëmbon në kokë, kur sheh me dhimbje këtë mungesë të thellë modestie të atyre, që populli i Fshatit Tonë, u ka deleguar me votë, të drejtojnë rrugëtimin e kësaj sardeleje, në rrymat dhe rrokopujat e Oqeanit të Madh, ku dhe jemi të kredhur.
Modestia do të na ndihmonte të ishim më të mençur dhe të kuptonim se Çfarë realisht mund të prodhojmë e më pas të shkëmbejmë në këtë Treg Kolosal, ku shitet e blihet gjithçka.
Sepse vetëm me atë që do të mund të shkëmbejmë, vetëm me atë mund të rrojmë e të mbahemi në këtë konkurrencë globale, që të fshin, me lehtësinë që një fëmijë këput një fije bari.
Këmbëngul në këtë temë, sepse zhurma dhe debati i zjarrtë, mbi bëmat dhe gjëmat e pangopësisë njerëzore të ministrave apo drejtorëve, apo të ca sipërmarrësve parellinj, që nuk dinë të kenë ndonjë pasion tjetër dhe shije tjetër në jetë, veç shtimit sasior të parave, (lexoni dhe rifreskoni Molierin apo Balzakun e para 200 viteve për këtë temë), këto debate pra, mëse legjitime, mjegullojnë në të njëjtën kohë shikimin dhe na bjerrin vëmendjen nga rrugëtimi që po ndërmerr Sardelja jonë në rrymat oqeanike.
Pjesë e debatit duhet të jetë edhe kjo. Por jam dakord, ky debat fillon e bëhet serioz kur Fshati dhe Kryepleqtë e tij, të mos ndihen më si Qendra e Botës. “Sepse kalliri plot e mban kryet ultë”, thotë populli i Fshatit tonë, më shkruante ime më, pothuajse në dedikimin e çdo libri që më dhuronte.
Por ndoshta edhe më shumë se kaq. Rrezikojmë që kombëtarisht, në këtë rrugë pa rrugë që kemi zënë fill prej shumë vitesh, të përfundojmë në një popull pjatalarës, të pjesës tjetër, vërtet Elitë, të Botës së Madhe.
MAPO