Fundvit ndryshe për ushtarakët shqiptarë në Bullgari
Efektivët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, të dislokuar me mision në Bullgari, u surprizuan në prag të fundvitit, duke pasur mundësinë të kalojnë momente të veçanta me familjarët e tyre.
Gjatë vizitës në bazën e Grupbatalionit shumëkombësh të NATO-s në Novo Selo, u organizua takimi i ushtarakëve me familjet brenda bazës, një moment i veçantë pas një periudhe të gjatë shërbimi larg shtëpisë. Ky gjest simbolik vlerëson përkushtimin dhe sakrificën e efektivëve tanë në misione ndërkombëtare, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të familjeve të tyre.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në një postim në rrjetet sociale, theksoi rëndësinë e familjes në jetën e ushtarakëve: “Forcat e Armatosura nuk janë vetëm njerëzit e uniformës, por edhe familjarët e tyre, të cilët mbajnë me forcë të heshtur peshën e sakrificës.”
Ai shtoi se: “Çdo efektiv që shërben jashtë vendit, përveç profesionalizmit dhe përkushtimit, merr me vete vlerat e familjes, të komunitetit dhe të Kombit. Në këto ditë festash, më e pakta që mund të bënim ishte t’i afronim, qoftë edhe për disa orë, me familjarët që i presin me mall.”
Ministri Vengu përfundoi me urimet e tij për të gjithë ushtarakët: “Sakrifica juaj dhe e familjeve tuaja njihet dhe vlerësohet. Ju urojmë festë të mbarë dhe një vit të ri të suksesshëm.”
Ky takim simbolik përforcon lidhjen mes efektivëve shqiptarë dhe familjeve të tyre, duke sjellë një frymë festive dhe solidaritet në prag të vitit të ri.
KOHA JONË SONDAZH

