Fuqia e Madhe ngurruese

Ka 25 vjet që është ribashkuar Gjermania. Në 25 vjet Lindja dhe Perëndimi janë lidhur ngushtë dhe përshtatur – megjithatë në shumë fusha mbeten të ndryshme dhe të huaja për njëra-tjetrën. Për këtë gjermanët ankohen, po kjo është tipike gjermane. Sepse dallimet midis Perëndimit dhe Jugut, midis Veriut dhe Lindjes janë pjesë e historisë së Gjermanisë. Një shtet i centralizuar – siç është ai i vetëkuptueshëm për fqinjët tanë francezë në Perëndim – nuk bën pjesë në imazhin që kanë për vete gjermanët. Gjermania ka qenë gjithmonë një lidhje landesh, rajonesh dhe dallimesh.

Gjermania, një çerek shekulli pas mrekullisë politike të ribashkimit: është një vend që e duan. Është një vend i pranuar. Është një vend i rëndësishëm. Është një vend me fuqi të pabesueshme ekonomike. Me një sistem social, të cilin ia admirojnë në të gjithë botën. Është një vend i cili nuk bazohet në fuqinë ushtarake, tek armët, por tek diplomacia, te vetëpërmbajtja, te fuqia e bindjes. Është një republikë thellësisht civile – e kundërta e Rajhut Gjerman, prej të cilit patën frikë me të drejtë fqinjët dhe më vonë bota.

Njëri prej shteteve më me ndikim

Drejt Gjermanisë – veçanërisht drejt Angela Merkelit – e ka hedhur vështrimin bota. Edhe pa qenë anëtare e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së fjala e Gjermanisë dhe e kancelares ka rëndësi. Në Evropë po se po, por edhe në botë. Gjermania, kjo fuqi e madhe e moderuar, ngurruese është një peshë e rëndë politike, ekonomike dhe bën pjesë me siguri në pesë shtetet më me ndikim në botë. Dhe megjithatë Gjermania është një vend i pasigurtë: i pasigurtë për veten. Sepse e ka të vështirë t'i përgjigjet rolit të saj të ri, shpresave të lidhura me gjermanët. Ajo e di që duhet të marrë më shumë përgjegjësi, madje përbetohet se e do një gjë të tillë. Por thellë brenda vetes – e mbështetur nga pjesa më e madhe e qytetarëve të saj – ajo nuk e do fare këtë. Disa do të preferonin më mirë që Gjermania të ishte një Zvicër e gjelbër. 

Gjermania ka – politikisht- rrënjë të thella në Perëndim. Një politikë oportuniste si më parë është e papërfytyrueshme. E megjithatë, Republika lëkundet: midis pragmatizmit iluminist, politik, racional dhe një tendence me sa duket të pakapërcyeshme për sjellje romantike, për një entuziazëm të tepruar, për një sjellje të paparashikueshme. Vetë Angela Merkeli – si kancelare arsye e personifikuar – nuk është e lirë nga kjo. Nga njëra anë, kur pas Fukushimës ajo shpalli brenda natës kthesën energjetike – pa bërë një llogari shpenzime-dobi për kombin e industrializuar. Nga ana tjetër tani në krizën e refugjatëve, kur i abandonoi për arsye humanitare të gjitha rregullat dhe marrëveshjet dhe i hapi kufijtë – për habinë dhe hutimin e fqinjëve të saj evropianë. Ata këtë e perceptuan – në fakt tronditëse – si "imperializëm moral".

Tendenca gjermane për sjellje romantike

Nga ana tjetër, Gjermania paraqitet në Evropë – për shembull në krizën e Euros, si edukatore e rreptë e të gjithëve – edhe nëse krahasimi me "amvisën kursimtare shvabiane" do të ishte më simpatik. Por edhe kjo sjell huti në Madrid dhe në Paris, për të mos folur për Athinën. Këtu Gjermania tregon muskujt e saj ekonomikë, këtu ajo u dikton rregullat partnerëve të saj evropianë. Këtu ajo e merr përsipër përgjegjësinë e saj – dhe vuan megjithatë kur e kritikojnë. Nga pikëpamja gjermane: me të padrejtë.

"Kur mendoj natën për Gjermaninë, gjumi im merr arratinë" shkruante poeti Heinrich Heine 170 vjet më parë. Kjo i përket së kaluarës. Por Gjermania vazhdon të jetë një vend që vlerëson më tepër Rousseau-në, se Voltaire ose Locke. Me fjalë të tjera: një vend që u dorëzohet herë pas here vërshimit të vlerësimeve romantike, në vend që të veprojë në mënyrë racionale dhe pragmatike. Kjo nuk lë më njeri pa gjumë, por i huton miqtë tanë, fqinjët dhe partnerët.

DWelle

SHKARKO APP