Furtuna Donald Lu!

 

 

Nga Skënder Minxhozi

Tashmë po bëhet gjithnjë e më e qartë se shpresa e vetme që ky vend të dalë nga stanjacioni dhe amullia e tranzicionit postkomunist, është që të gjejë forcat, vullnetin dhe mbështetjen për të kaluar një reformë të thellë të sistemit të drejtësisë.

E kanë kuptuar këtë më shpejt dhe natyrisht me më shumë sinqeritet se politikanët shqiptarë, partnerët ndërkombëtarë që merrem me Shqipërinë. Ata që në kohë krizash na kanë dërguar ushtarë, thasë me miell nga ajri, që na kanë dhënë paratë për të ndërtuar një pjesë të rrugëve, shkollave , ujësjellësave dhe që mbajnë sot në vendet e tyre disa qindra mijë shqiptarë të ikur në 25 vjetët e fundit.

Fjalët e Lu për “ministrat e korruptuar, deputetët kriminelë, gjykatësit e paaftë dhe prokurorët që marrin para”, janë në fakt sinteza e problemit madhor që ka ky vend: mungesën e drejtësisë dhe të zbatimit të standarteve të shtetit ligjor. Ambasadori amerikan e tha hapur se sot në Shqipëri “asnjë shqiptar nuk beson se sistemi i drejtësisë është i pavarur”. Më qartë se kaq ndoshta këtë koncept e ka artikuluar vetëm paraardhësi i tij Aleksandër Arvizu, i cili shprehej dikur se shumë nga gjykatësit do të donte t’i shihte në burg. Por Arvizu ishte drejt fundit të mandatit, Donald Lu ka “ende” kohë që të arrijë në “pikën e vlimit”.

Identifikimi i reformës në drejtësi, si korsia preferenciale e perëndimorëve për të vënë rregull në shoqërinë demokracinë e korruptuar shqiptare, është në fakt identifikimi i prioritetit që do ta kthejë vendin tonë në hullinë e duhur, pas dekadash endjeje nëpër kallamishtet e tranzicionit.

Donald Lu i davariti të gjitha dyshimet në lidhje me paketën e ndryshimeve kushtetuese. “Unë ju siguroj se SHBA mbështet plotësisht propozimet aktuale për ndryshimet kushtetuese. Ne kemi marrë pjesë në shkrimin dhe diskutimet e ekspertëve për secilin prej këtyre ndryshimeve. Kjo është një reformë rrënjësore që për herë të parë do të ndërmarrë hapa konkretë për të larguar gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar nga sistemi i drejtësisë”, tha ambasadori amerikane, duke ja bërë të qartë të gjitha palëve politike në Tiranë, se mosvotimi i paketës së reformës, është jo një akt rebelimi apo mosmarrëveshjeje e brendshme politike, por një kundërvënieje e një vullneti të qartë ndërkombëtar, për ta ndryshuar një herë e mirë sistemin shqiptar të drejtësisë. Dhe një qëndrim i tillë vlen shumë këto kohë, kur në Tiranë ka ende shumë skepticizëm rreth paketës që pret përgjigjen e Komisionit të Venecias. Mesa duket kësaj rradhe do të jetë e vështirë që reforma në drejtësi të vijojë të mbetet një lodër e brishtë që nuk i hyn punë askujt, veç spekulantëve politikë.

SHKARKO APP