Fushata antiarabe nuk e çon Kosovën askund

 

Nga Enver Robelli

Pas dështimit të përpjekjeve të Prishtinës zyrtare dhe të mbështetësve të saj në arenën e politikës botërore për ta anëtarësuar Republikën e Kosovës në UNESCO, paniku mes publikut facebookian dhe twitterian në Kosovë dhe diasporë është i madh. Shpesh dominon toni fatalist, aty-këtu lulëzojnë fraza bajate, edhe më keq: nganjëherë shtetet që nuk e mbështetën nismën për hyrjen e Kosovës në nënorganizatën e OKB-së po mallkohen me fjalor racist. Nuk mund të bëhet gabim më i madh se ky. Për shumë shkaqe.

Së pari: Palestina, për shembull, ka votuar kundër hyrjes së Kosovës për t’ia dhënë një flakaresh Amerikës. Ky shtet para disa vitesh e pati luftuar ashpër pranimin e Palestinës në UNESCO. Kur nuk arriti të pengojë këtë, Washingtoni i ndërpreu kontributet financiare për UNESCO-n. Shqipëria, ndërkaq, dy herë ka abstenuar kur Palestina përpiqej të hynte në UNESCO dhe në OKB (si vëzhguese).

Së dyti: Shtete të tjera arabe si Iraku, i cili abstenoi, ende vuajnë pasojat e intervenimit amerikan më 2003. Kjo luftë u bë mbi fakte të rrejshme – se gjoja regjimi kriminal i Sadam Huseinit kishte lidhje me al-Kaidën dhe posedonte armë kimike dhe biologjike. Këto ditë edhe vetë George Bush, babai i George W. Bush, në një libër e qortoi të birin, sepse si president u kishte dhënë shumë kompetenca dhe liri nënpresidentit Dick Cheney dhe ministrit të Mbrojtjes Doland Rumsfeld. Sipas Bushit reagimi i tyre pas sulmeve të 11 shtatorit ishte «tepër i hekurt».

Së treti: Kosovarët duhet të kenë kujdes dhe të mos merren me teori konspiracioni, të cilat janë tipike për Ballkanin. Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO dështoi për shkak të shumë faktorëve. S’bën punë tani as akuzimi i të tjerëve, as mbivlerësimi i potencës diplomatike të Kosovës. Tash duhet të fillojë beteja e re – dhe në asamblenë e ardhshme Kosova mund të bëhet pjesë e UNESCO-s.

Së katërti: Ky dështim duhet t’i faturohet edhe Bashkimit Europian. Diplomatë të BE-së përherë kanë theksuar se dialogu dhe marrëveshjet me Serbinë do ta afrojnë Kosovën me organizatat ndërkombëtare, madje Beogradi nuk do të pengojë këtë proces. Tash këta diplomatë duhet të ballafaqohen me një reagim të palës kosovare. Për këtë Kosova duhet të ketë përfaqësim më të denjë se deri më tani në Bruksel. Në delegacionin e Kosovës nuk ka njerëz që punojnë në mënyrë sistematike dhe serioze. Disa janë të preokupuar me frizura, të tjerët me kozmetikë, ndonjë me ngjyrën e thonjëve. Dështimi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO është edhe bankrotim i politikës së Brukselit, i cili e ledhaton Serbinë në vend se t’i vë kushte të qarta: ose njohje të Kosovës si shtet – ose mbyllje e derës së integrimeve europiane.

Së pesti: Duhet të jemi të vetëdijshëm se depërtimi në ligën e parë të politikës botërore është proces i gjatë. Dhe si shembull këtu mund të marrim edhe Palestinën. Dallimi këtu është se Kosova ka aleatë më të fuqishëm, por në organizata ndërkombëtare edhe shtetet më të vogla kanë votat e tyre. Shumica merr vendim.

Së gjashti: Gjatë tërë ditës në mediat sociale është bërë fushatë kundër Arabisë Saudite, për të cilën thuhej se ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Doli se kjo ishte informatë e rrejshme. Edhe në rast se ky shtet do të votonte kundër apo abstenonte, kjo më shumë do të lidhej me mosmarrëveshjet mes Riadit dhe Washingtonit se sa me Kosovën. Pas arritjes së Marrëveshjes për Atomin me Teheranin SHBA janë shprehur të gatshme të përmirësojnë marrëdhëniet me Iranin, fuqinë tjetër rajonale dhe të urryer nga Arabia Saudite. Sauditët ndihen të lënë anash nga SHBA-të. Rrjedhimisht në forume ndërkombëtare mund të jenë skeptik ndaj nismave amerikane. Kësaj radhe nuk qenë të tillë.

Së shtati: Lobimi do të jetë i vështirë në shumë vende për shkak se konflikti Kosovë-Serbi nuk ka përfunduar. Ka marrë fund lufta, por jo konflikti. Shumë shtete nuk duan të pozicionohen. Ndoshta edhe Kosova pas disa vitesh do të jetë në një pozitë, kur s’do ta ketë të lehtë të balancojë mes interesave. Në politikën botërore ka interesa. Dhe vetëm ato llogariten.

Së teti: Dështimi na tregon po ashtu se pesha diplomatike e Republikës së Shqipërisë (si shtet me traditë 100-vjeçare) mbetet tepër modeste në politikën ndërkombëtare.

Së nënti: Nuk është pranimi në UNESCO si festivali i Eurovizionit. Gjithçka çka kemi parë javëve të fundit nga diplomacia kosovare ka qenë një garë e krerëve të diplomacisë për të postuar sa më shumë statuse në Facebook. “E fituam edhe një betejë, e fituam edhe një betejë…”. Kështu jehonin fjalët pa e kapërcyer lumin. Beteja për UNESCO shërbeu edhe si karrem për të larguar vëmendjen nga dështimi i procesit për sigurim të njohjeve të reja për Republikën e Kosovës. Kur ekipit për lobim iu shtuan edhe persona privatë me lidhje të dyshimta me Kremlinin dhe regjimin e Slobodan Milosheviqit – ishte shumë e qartë se dështimi ishte afër. Mos të flasim këtu për jo pak përfaqësi diplomatike të Kosovës që ose janë çajtore të PDK-së ose mejhane të LDK-së. Megjithatë, dështimi duhet të shërbejë për të nxjerrë mësime. E mësimi kryesor është që Kosova të ketë jo vetëm diplomaci jopartiake dhe profesionale, por edhe politikanë me duar të pastra, të cilët botës ia prezantojnë një shtet funksional. Shtet i tillë Kosova nuk është ende. Mjerisht, për fajin tonë! Dhe faji ynë nuk i ka rrënjët vetëm te sjellja pa kokë menjëherë pas luftës e disa desperadosëve tanë «çlirmtarë». Dhurata më e çmuar për propagandën serbe kanë qenë trazirat e marsit të vitit 2004. Kishat që digjeshin nuk kanë qenë reklamë e mirë për Kosovën.

Së dhjeti: Nga ky dështim (i përkohshëm) klasa politike në Kosovë duhet të nxjerrë mësime. Megalomania e pushtetarëve, e demonstruar prej muajsh ndaj çdo zëri kritik, sidomos opozitar, mendjelehtësia, me të cilën është zhvilluar dialogu me Beogradin (në stilin «po na thonë këta miqtë»), dhe reagimi absurd i opozitës me gaz lotsjellës në Kuvend kanë pasur efektin e vet negativ për imazhin e Kosovës në botë. Kësisoj, Kosova u bë lajm edhe për mediumet në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine. Përgjegjësinë dhe fajin për këtë qorrsokak politik duhet ta ndajnë të gjithë akterët e skenës politike. Diplomacia kosovare duhet të përgjigjet se përse abstenuan shtete si Polonia, Korea e Jugut dhe Kolumbia, të cilat e kanë njohur Kosovën. Apo Egjipti. Këto shtete do të abstenojnë edhe në të ardhmen nëse Kosova sillet si fëmijë i hidhëruar dhe thotë: «Nuk flasim më me serbët». Jo, strategjia duhet të jetë kjo: po, dialog, por jo vetëm me Serbinë, por dhe sidomos me Brukselin që t’i jepet fund politikës së gabuar të BE-së ndaj rajonit. Për këtë Kosova duhet të ketë, siç u tha, politikanë që kur cenohen interesat e vendit janë në gjendje të braktisnin tavolinën e bisedimeve dhe të japin dorëheqje. Nga ky tip i politikanit jemi larg. Andaj e paguajmë çmimin.

SHKARKO APP