Fushata e luksit dhe vala e ikjes

 

Ambasadori gjerman Hellmut Hoffman dhe kolegë të tjerë të disa vendeve të BE-së janë investuar disa herë gjatë muajve të fundit në apelin kundër fenomenit të emigrimit ekonomik. Të dhënat zyrtarë tregojnë se më shumë se 100 mijë persona janë larguar përgjatë një viti, shumica e grupuar në familje dhe me destinacion vendet kryesore të BE-së. Në zona të caktuara si Vlora, Kukësi, Orikumi, Rrogozhina etj, media ka raportuar organizime masive ikjesh.

Gjendja është e njëjtë edhe për zona të tjera jashtë vëmendjes mediatike. Ndaj fenomenit të emigrimit ka pasur reagim deklarativ nga e gjithë piramida shtetërore, reagim i cili e lidh atë me “keqkuptime të mëdha”, “manipulim njerëzish”, “aktivitet kriminal i organizuar”. Policia e Shtetit e përforcoi reagimin kur ditët e fundit ktheu pas disa qindra udhëtarë të rinj që do udhëtonin drejt vendeve perëndimore, me pretekstin e mungesës së argumenteve bindës për udhëtimin jashtë vendit.

Për shqiptarët fenomeni i emigrimit nuk është i ri, dhe madje brenda të njëjtit brez ka ndodhur të përsëritet më shumë se tre herë. Ashtu si në fillimet e shekullit të kaluar, ashtu edhe gjatë tranzicionit, ikjet u bënë permanente, të motivuara nga kriza të thella politike ose sociale. Më 1991 shqiptarët ishin headline në mediat perëndimore në zbarkimin biblik drejt brigjeve italiane. Më 1997 fenomeni u përsërit, me pasoja tragjike dhe humbje të mëdha njerëzore. Pas procesit të liberalizimit të vizave dhe sidomos vitet e fundit, fenomeni u rikthye, tashmë në përmasa më të vogla, por me natyrë kolektive e familjare largimesh.

Një analizë e burimit të valës së re të emigrimit do të arrinte në përfundimin se kriza e thellë ekonomike në vend e fshehur prej 2-3 vitesh dhe ajo rajonale janë burimi primar i rënies ekonomike dhe kështu, e kushteve të vështira për mbijetesë normale të një numri gjithnjë e më të madh familjesh.

Në këto rrethana, gabimisht emigrimi shihet nga një pjesë e qytetarëve si shpresë dhe zgjidhje, siç gabimisht pjesa tjetër mendon se mund të krijojë demokraci konkurrues e funksionale në një vend ku grupe masive qytetare emigrojnë për shkak të varfërisë dhe pamundësisë për jetë normale. Në shoqëri të brishta dhe sidomos të varfra demokracia mbetet aspiratë, dhe natyrshëm oligarkia është stacioni më i afërt. Siç edhe po ndodh tek ne.

Shteti shqiptar nuk ka arritur tu përgjigjet pritshmërive qytetare dhe as të prodhojë mekanizma e reforma produktive për kufizimin e krizës dhe krijimin e shpresës për një të ardhme më të mirë. Elitat politike në mënyrën më paradoksale, kanë krijuar hendek të madh me qytetarët, sidomos me ata në nevojë, dhe ka humbur sensin e reagimit, përgjegjësisë dhe detyrimit në raste të tilla.

 

Nominalisht politikanët kryesorë vendimmarrës shqiptarë bëjnë pjesë në 100 VIP më të pasur në Shqipëri, anipse shumica e tyre nuk kanë biznese dhe as transparencë të burimeve të tyre të fitimit. Parlamenti shqiptar ka përqindjen më të lartë të deputetëve biznesmenë në rajon, madje, dyfish më të lartë sesa parlamente shumë më të mëdha, siç janë ai gjerman apo francez. Gjithsesi, biznesi kryesor vijon të jetë politika dhe politika si burim biznesi, e ka thuajse të pamundur të prodhojë politika pozitive për shumicën qytetare në nevojë.

Në këto rrethana, politika vendimmarrëse në mënyrë konsensuale e ka braktisur debatin mbi emigrimin, pasojat dhe gjetjen e rrugëzgjidhjeve të mundshme. Në kushte normale për shtetin dhe demokracinë funksionale do të duhej të kishte masa reagimi institucionale dhe afatgjata, për shembull, të mblidhej Këshilli i Sigurisë Kombëtare, qeveria të propozojë një strategji konkrete masash ndaj minimizimit të burimit emigrues, shteti të ndalojë dhe penalizojë çdo subjekt të përfshirë në trafikun e emigracionit, qeverisja lokale, komunitetet dhe çdo aktor tjetër publik të angazhohej direkt në sqarimin e qytetarëve përkatës dhe hapjen e debatit publik mbi të ardhmen e ekonomisë shqiptare, qeveria do të duhej të ndërhynte me një paketë masash fiskale lehtësuese për shtresat më të prekura nga varfëria dhe së fundi, por me rëndësi, të gjitha palët politike në parlament, të diskutonin për një platformë shtetërore afatgjatë veprimi dhe reagimi ndaj valës emigratore. Nuk ka ndodhur as njëra dhe as tjetra.

Në politikën e ditës më shumë energji, debat dhe investime publike bëhen për të diskutuar se kush do jetë p.sh, kandidati i bashkisë në një qytet periferik sesa mbi faktin sesi qytetet dhe periferia po zbrazen nga qytetarët votues drejt një aventure dramatike për vetë individët dhe për vendin.

Të vetmet raste të reagimit kanë qenë kryesisht në kuadër të këshillës apo kërkesës perëndimore ndaj politikës sesa si zgjedhje e vullnet i tyre personal. Vetë këto dalje, kryesisht nominale të titullarëve të institucioneve, në vend të frenimit e kanë nxitur procesin emigrues, edhe nga fakti se ndonjë prej tyre dhe modeli politik që përfaqësojnë elitat drejtuese shihen gjerësisht si katalizator të rënies ekonomike, zhgënjimit dhe ikjes në kërkim të mbijetesës ekonomike.

Vetë simbolika, – politikanë të pushtetshëm që bëjnë jetë luksoze dhe që apelojnë qytetarët të qëndrojnë këtu nën drejtimin e tyre, qoftë në qeveri apo opozitë, është fyese, ironike, kundërproduktive. Distanca midis mesazhit të tyre “politikisht korrekt” dhe sjelljes së tyre, aspak korrekte në ushtrimin e pushtetit dhe përgjegjësive, mbetet dëshmi se nga valët e ikjes gjithnjë përfitojnë jo vetëm trafikantët, por edhe ata sundues lokalë që kanë bezdi e përbuzje ndaj të varfrit, që kontrollojnë më lehtë një vend e shoqëri të përulur nga varfëria sesa një vend të lirë, në mirëqenie dhe me energji konkurruese idesh e ndjesi përgjegjësie ndaj të ardhmes.

Nga ana tjetër vendet e BE po ndjekin rrugën më të lehtë: politikë radikale refuzimi, dëbim kolektiv dhe presion që të ndalohet vala e ikjes. Evropa humane nuk është më në mode, dhe projektet perëndimore për kapërcimin e krizave ekonomike në vende si Shqipëria nuk janë më në axhendën prioritare.

Në mënyrë paradoksale kriter vlerësues nuk është më identiteti, vullneti për ndryshim, sistemi i vlerave shoqërore dhe as projekti i të ardhmes së bashkuar, sa është nevoja që secili të banojë në shtëpinë e tij, në lagjen e tij, me standardet e tij dhe me fuqitë e tij. Entuziazmi pas Samitit të Berlinit, përveç bilancit diplomatik rajonal, nuk ka dhënë ende fryt ekonomik dhe social, dhe se mënyra sesi po trajtohet emigracioni, edhe për një vend të vogël si Shqipëria, duket paradoksal, e sforcuar, pa strategji dhe me siguri, edhe pa të ardhme funksionale.

Perëndimi ende nuk ka një ofertë apo këshillë tjetër, për shembull, se cilat masa ndërmerren në raste të tilla (përveç këshillës arkaike dhe protokollare për ndërhyrje policore), dhe se termat “humanizëm”, solidaritet social, përgjegjësi kontinentale, etj, duken të huaj, gati demode.

Së fundi, por me rëndësi, Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve lokale. Asnjë nga kandidatët e deritanishëm, në asnjë zonë dhe parti, nuk kanë shprehur ende asnjë artikulim publik për valën e re të emigrimit. Siç, duket, llogaria elektorale është e ndryshme nga ajo institucionale dhe qytetare. Politika llogarit ata që mbeten, jo ata që po largohen drejt aventurës.

Në situata të njëjta do duhej që e gjithë fushata lokale të ishte më modeste në shpenzime, më e shkurtër në kohë, më konkrete në problematika dhe sidomos, e fokusuar në shanset, mundësitë, kapacitetet dhe projektet për t’i bërë bashkitë e reja vende të jetueshme për banorët e tyre.

Një kod etik midis palëve që refuzon fushatat luksoze, që merret me problemet dhe jo fasadat, që gjen gjuhë bashkëpunimi në kohën e krizës, që ngushton diferencën midis pakicës sunduese të pasur dhe shumicës së nënshtruar të varfër, që jetëson përgjegjësinë shtetërore për kujdes social ndaj qytetarit dhe që adreson debatin mbi perspektivën afatshkurtër dhe afatgjatë të zhvillimit do të kishte qenë këshilla më e mirë për ata që ende përbetohen në sloganin e “Rilindjes për Shqipërinë” apo ata që u patën premtuar qytetarëve se “ju jeni të parët”.("Shqiptarja.com")

SHKARKO APP