Futja e fesë në shkolla, thikë me dy teha

Nga Zef Shtjefni/Futja e fesë nëpër shkollat tona, më duket se do t´i ngjajë kaosit të përhapjes së xhamive dhe kishave nëpër Ballkan e Shqipëri gjatë viteve të tranzicionit post komunist. Në vendet me shtete të dobëta dhe ku fetë janë përdorur gjithnjë për qëllime politike, fetë kanë prodhuar historikisht konflikte të mëdha. Mjafton të kujtojmë dramën e tmerrshme të Bosnjës. Por, jo pak probleme ka sot edhe në Maqedoninë me shumë etni. Edhe Kosova po ashtu është bërë han pa porta për xhihadistët, turqit, arabikët, të cilët investojnë fuqishëm për të qenë prezent politikisht përmes feve të tyre në këto troje. Sado që Kosova thotë se ka deshirën të udhëtojë drejt Europës, ajo sot duket e islamizuar. Nga Kosova e Maqedonia rryma e fraksione radikale islamo-ortodokëse hynë me shpejtësi edhe në Shqipërinë berishiane gjatë këtyre 25 viteve, pa asnjë lloj kriteri e kontrolli, deri sa mbërritëm tek xhamitë private të xhihadistëve, gruoet e isistëve dhe pallatet e Bin Ladenit.

Të mësosh historinë e feve nëpër shkolla, siç po predikojnë ideatorët e kësaj nisme, nuk është gjë e keqe. Por të mësosh historinë e feve, siç bëhet prej kohësh në vende të zhvilluara dhe të emancipuara, siç është Europa apo Amerika, kjo sigurisht nuk ka se si të sjellë ndonjë gjë të keqe. Por në vende tashmë të radikalizuara dhe ku fetë, ditën për diell dhe sheshit, përdoren për qëllime politike, e kam vështirë ta besoj se nuk do të keqpërdorin dhe shkollat për këto qëllime. T’u mësosh fëmijëve historinë e feve, do të thotë tu mësosh atyre çfarë thonë historianët e mëdhenj të botës për ta. Do me thënë tu mësosh se Grinbergu i madh thoshte se Jezu Krishti ishte njeri i zakonshëm si të gjithë ne, por me dhunti të jashtëzakonshme. Në kohën e tij, kur njerëzit shiteshin njësoj si bagëtia në pazarin e Milotit a të Tepelenës, ai tha se para zotit është njësoj si skllavi dhe skllavopronari, si burri dhe gruaja…

Këto korifenj të historisë thonë se sot është e vështirë që rinia e shkolluar të pranojë se një njeri lind prej një gruaje të virgjër dhe se vetëm vepra e madhe mendimtare e tij, që u ndoq më pas nga gjithë bota e krishterë, e bëri Jezu Krishtin perëndi. Në fakt nuk ke se si të mos u besosh historianëve, kur ne shqiptarët, deri tani vonë, mendonim se dhe Enveri ishte perëndi. . ! Pale pastaj tu thuash myslimanëve se kurani u krijua 500 vjet pas biblës. Ti mbushësh mendjen sot brezit tëri të elektronikës, se Muhameti foli një natë para se të shkruante Kuranin me zotin, është fort e vështirë… Apo se zoti i tha se myslimanët nuk duhet të hanin mishin e derrit e as të mos pinin verën e rakinë. Që i tha se myslimanët duhet të martoheshin me shtatë gra etj., etj. Historianët thonë se Muhameti ishte gjeni dhe u bë perëndi për botën arabe, sepse kuptoi se po të mos fuste këto norma në kuran në kohën e tij, bota arabe do të shfarosej. Imagjinoni vende, ku temperaturat mbërrijnë 50 gradë dhe të pihet edhe raki e verë, apo të hahet mish derri. . ! Imagjinoni se çfarë do të ndodhte me ato popullsi, në kohën kur luftërat dhe sëmundjet bënin kërdinë te burrat dhe gratë fshatrave masivisht plakeshin vejusha…

T’u mësosh fëmijëve nëpër sholla historinë e feve, do të thotë t’u mësosh këto që thonë historianët dhe historia botërore për ta, si shkenca të pakontestueshme. Nëse do t’u mësojmë ato që predikojnë islamikët apo fanatikët e feve të tjera nëpër kisha e xhami, kjo vërtetë do të jetë një thikë me dy teha të rrezikshëm për ne, sepse në vend që t’u mësojmë fëmijëve historinë e vlerat pozitive të feve, do tu mësojmë atyre përralla, do t’u mbushim kokat fëmijëve me predikime dhe do t’i bëjmë fetar të verbër që në moshë të njomë.

Zhvillimi botëror sot ecën në një kah krejt tjetër, ecën drejt progresit shkencor galopant e jo drejt predikimeve të hoxhallarëve e priftërinjve. Shpresojmë të mos ndodhë kështu, por do të jetë e vështirë të shmanget gara dhe problematika mes feve nëpër shkolla se cila fe është më e mirë, cila ka histori e kulturë më të bukur, cila ka lindur e para e cila e fundit etj. Gara e çmendur e Maqedonisë, se kush i qon më lart minaret e kishave dhe xhamive, kam frikë se do të na futët edhe nëpër shkollat tona. Ndaj druhem se është ide e mirë kjo e futjes së mësimit të historisë së feve nëpër shkolla. Po futën dhe lëndë të tjera për to, jam i sigurt se do bëjmë një çorbë të keqe dhe shqiptarët do kërkojnë shpejt të ringjallet Enveri.

SHKARKO APP