Gafë te doganat, krahasojnë 6-mujorin me 9-mujorin dhe shohin rritje
Me sa duket, edhe shefit të qeverisë i raportojnë të dhënat e krahasuara sipas muajve të ndryshëm, që e nxjerrin dhe rënien si rritje të ndjeshme!
Ndërsa Financat kanë përdorur si një nga argumentet për ecurinë e dobët të të ardhurave, rënien e importeve të mallrave të akcizës, panorama vjen krejt e ndryshme nga të dhënat e Doganës. Nga grafikët e publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në buletinin fiskal të 9 mujorit tregohet një rritje e ndjeshme me bazë vjetore e importeve të mallrave të akcizës për periudhën janar-shtator të një viti më parë.
Kjo rritje na tingëlloi e palogjikshme, pasi të dhënat e raportuara nga financat për të njëjtën periudhë janë krejt të ndryshme, shkruan "Monitor".
Nga një vëzhgim i detajuar i të dhënave, rezulton se në grafiket e tyre doganat kanë krahasuar të dhënat për 6 mujorin 2011-2014 dhe 9 mujorin e vitit 2015, çka ka sjellë dhe rritjen e lartë. Nuk është hera e parë që doganat bëjnë një gafë të tillë, që mund të kapet me një sy të lirë, teksa edhe një vit më parë krahasuan të dhënat e katërmujorit me tremujorin, duke i nxjerrë sërish mallrat e akcizës me rritje të lartë.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, për 9 mujorin, importet e mallrave të forta të akcizës, karburante dhe cigare kanë vijuar me rënie në fund të periudhës 9-mujore në krahasim me një vit më parë.
Edhe eksportet me deklarata kontradiktore
Përgjatë gjithë këtij viti, ministri i Ekonomisë dhe kryeministri kanë deklaruar disa herë për një rritje të fortë të eksporteve, ndërkohë që të dhënat e INSTAT kanë treguar se gjatë gjithë vitit eksportet kanë qenë me rënie, që për 9 mujorin ishte gati 4%. Një deklaratë të tillë kryeministri Edi Rama e bëri dhe të premten e kaluar në konferencën e organizuar nga Banka e Shqipërisë me Universitetin e Oksfordit, kur tha se eksportet për 6 mujorin janë rritur me 11% (të dhënat e INSTAT raportojnë një rritje prej rreth 5% për periudhën në fjalë).
Me sa duket, edhe shefit të qeverisë i raportojnë të dhënat e krahasuara sipas muajve të ndryshëm, që e nxjerrin dhe rënien si rritje të ndjeshme, shkruhet në artikullin e "Monitor".