Galaxy Note 7, kartëmonedha 500 euroshe… 2016-ta ishte viti i tyre i fundit!

Ligjet për ruajtjen e mjedisit të miratuar gjatë 2016, disa vendime institucionale, evoluimi i teknologjive si dhe ndryshimi i modelit të konsumit kanë sjellë zhdukjen e disa objekteve të jetës sonë të përditshme.

Fundi i videoregjistruesit

Pas 60 vitesh ekzistence, videoregjistruesit nuk do të prodhohen më. Prodhuesi i fundit në botë, marka japoneze “Funai Electric”, njoftoi ndërprerjen e prodhimit korrikun e kaluar. Arsyeja?

“Një prej furnizuesve tanë kryesorë e shihte si shumë të vështirë vazhdimin e prodhimit të një pjese për shkak të sasisë shumë të vogël, që na detyroi të marrim këtë vendim”, theksoi grupi japonez, uzina e të cilit gjendet në Kinë.

Disa prej byzylykëve teknologjikë nuk do të shiten më

Prodhuesi i orave smart “Pebble” anuloi prodhimin e produkteve të tij të ardhshme dhe tërhoqi produktet ekzistuese nga tregu. Kjo kompani që u bë e famshme për nxjerrjen në treg të “smart watch”-it të parë në vitin 2012, dy vite para “Apple Watch”, u ble nga kompania “Fitbit”, e specializuar në prodhimin e byzylykëve për përdorim kryesisht në sporte. Por, edhe kompania “Motorola” ka vendosur të ndërpresë prodhimin e “smart watch”-ëve të saj.

Jeta e shkurtër e Galaxy Note 7

Pas shumë rastesh për marrje zjarr, “Samsung”-u tërhoqi nga tregu “Galaxy Note 7” dhe ndërpreu prodhimin e tij tetorin e kaluar. “Galaxy Note 7” ka hyrë në histori si një prej dështimeve më të mëdha në sektorin e teknologjive të reja për një prodhues të smartfonëve. Sipas “Reuters” kostot e këtij dështimi arrijnë rreth 17 miliardë dollarë.

Zhdukja e kartëmonedhës 500 euroshe

BQE-ja (Banka Qendrore Evropiane) vendosi në maji që të mos prodhojë më kartëmonedha të reja 500 euroshe duke filluar nga fundi i vitit 2018, kur të shfaqen prerjet e reja të 100 dhe 200 eurove. Por stoku ekzistues do të vazhdojë të jetojë dhe kartëmonedhat do të ruajnë gjithë vlerën e tyre. Në fakt kjo kartëmonedhë konsiderohet se favorizon financimin e aktivitetit kriminal dhe të terrorizmit./ATA/

SHKARKO APP