Gara për AMA, Basha: Institucioni t’i kthehet publikut
Nënkryetari i Komisionit, Alfred Peza, bëri me dije se pas seancës dëgjimore me 4 kandidatët e përzgjedhur për kryetar të AMA-s, sipas procedurave ligjore në përfundim të procesit, kandidaturat do t’i dërgohen seancës plenare nga ku do të votohet për të zgjedhur kryetarin e ri të AMA-s. “Në këtë mënyrë do t’i japim fund një ngërçi disavjeçar institucional në drejtimin e AMA-s. Nga ana tjetër ky është momenti për t’iu njoftuar se pas këtij procesi do të fillojmë me procesin e përzgjedhje të anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues të Radio-Televizionit Shqiptar, kryetarit të ri të këtij këshilli dhe më pas do të procedohet me zgjedhjen drejtorit të ri të RTSH-së”, tha Peza.
Anila Basha
Kandidatja, Anila Basha, në prezantimin e saj u fokusua në luftën ndaj piraterisë dhe u shpreh se nëse do të zgjidhet në krye të AMA-s, si fillim do të ngrihet Këshilli i Ankesave pranë këtij institucioni. Basha tha se do të zhvillohen edhe projekte konkrete për investime në teknologji. Duke folur për transparencën, Anila Basha shtoi se mbledhjet e këshillit të AMA-s do të jenë të hapura, ndërsa do të ndërtohet një sistem transparent në përdorimin e të ardhurave financiare të institucionit. Ajo theksoi se ky institucionet duhet t’i kthehet publikut dhe të mbrojë interesat e qytetarëve “Do të synoj bashkëpunimin intensiv me institucionet europiane të së njëjtës fushë dhe luftimin e piraterisë në fushën e medias etj”, tha Basha, e cila parashtroi shkurtimisht para komisionit se cilat ishin përparësitë e saj për t’iu besuar ky post, në krahasim me kandidatët e tjerë, duke nisur nga karriera e gjatë prej dy dekadash në gazetari. “Figura ime, eksperienca, profili profesional, por mbi të gjitha pasioni dhe vullneti femëror janë cilësitë e domosdoshëm për pasjen e këtij pozicioni drejtues”, – u shpreh Anila Basha, e cila iu përgjigj edhe pyetjeve të anëtarëve të komisionit, që pas prezantimit të kandidaturës së saj kërkuan të dinin diçka më tepër lidhur me mënyrën sesi ajo do të mund të drejtojë AMA-n. “AMA do të funksionojë sipas standardeve strikte të përcaktuara në ligj, respektimi dhe garantimi i pavarësisë së institucionit, duke e çliruar nga çdo varësi politike dhe duke ia kthyer publikut dhe interesave të tij, transparencë në vendimmarrje. Mbledhjet e Këshillit të AMA-s do të jenë të hapura për publikun dhe për të gjitha grupet e interesuara. Angazhimi maksimal për realizimin më madhor të kalimit në transmetimet dixhitale në përputhje me kërkesat e parashtruara nga BE”,- tha kandidatja, Anila Basha.
Gentian Sala
Seanca dëgjimore nisi me kandidatin, Gentian Sala, i cili tha se do të mbështetet mbi 4 kolona, nëse i besohet një detyrë e tillë: ligji për autoritetin e mediave, qartësia në zbatimin e strategjisë, zbatimi i ligjit në këtë fushë, si dhe niveli i kualifikimit të stafit të AMA-s. Më tej Sala gjatë seancës shtoi se ka eksperiencë në fushën e jurisprudencës dhe të biznesit. “Nëse përzgjidhem si kryetar i AMA-s, do kërkoj verifikimin dhe zbatimin e plotë të kontratave të gazetarëve. Liria e medias nuk është çështje abstrakte. Një nga problemet kryesore është Radio Televizioni Publik. Ku ka shumë ankesa nga qytetarët”, thekoi Sala, i cili shtoi se sa i përket piraterisë dhe mosrespektimit të së drejtës së pronës intelektuale, problemi në këtë çështje mbetet tek institucioni monitorues.
Gentian Skënderaj
Kandidati, Gentian Skënderaj, në prezantimin e tij, u ndal te mënyra e funksionit të AMA-s. Sipas tij mosfunksionimi i AMA-s ka pasur ndikim në tregun mediatik. – “Kalimi nga sistemi analog në atë numerik duhet të kryhet sa më shpejt sipas afateve. Nuk do të tolerojmë fenomenin e piraterisë dhe do të ndalojmë transmetimet pirate veçanërisht për kabllorë”. Gjithashtu Skënderaj evidentoi problemet e etikës nëpër televizione, përdorimin jo të saktë të gjuhës shqipe, mungesën e etikës në reklama. – “Për shkak të mungesës së funksionimit të AMA-s, nuk është krijuar Këshilli i Ankesave, i cili është i domosdoshëm. ”, tha Gentian Skënderaj.
Bers Hado
Kandidati i katërt, Bers Hado, u shpreh para anëtarëve të komisionit se platformën e tij e ka strukturuar dhe bazuar në studimin e akteve ekzistuese shtetërore që janë strategjia e kalimit nga transmetimet analoge dhe numerike, ligji përkatës për AMA-në si dhe raportin e fundit vjetor të AMA-s. Edhe z. Hado e vuri theksin te procesi i kalimin teknologjik nga transmetimet analoge në atë numerike, që duhet nisur sa më parë. Duke u ndaluar tek situata aktuale në AMA, z. Hado tha se gjendja është emergjente dhe institucioni duhet të kthehet brenda kuadrit ligjor sa më shpejt që të jetë e mundur.