Gara për Drejtorin e Përgjithshëm të Gardës së Republikës, nis intervistimi i 8 kandidatëve
Në Ministrinë e Brendshme po zhvillohet ditën e sotme intervistimi i kandidatëve që kanë aplikuar për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, pas dorëheqjes së Ermal Onuzit në qershor të vitit të shkuar.
Intervistimi i 8 kandidatëve në garë do të bëhet sipas rendit alfabetik, Arian Sopiqoti, Denis Deliu, Faik Basha, Ilirjan Hasanaj, Liman Hoxha, Simon Zereci, Vasil Çuni dhe Zaje Osma. Intervistimi po bëhet përpara një komisioni vlerësimi, i përbërë nga zv/ministri i Brendshëm, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme dhe Drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Gjatë seancës dëgjimore, kandidatët do të prezantojnë platformat dhe vizionin e tyre për drejtimin e Gardës së Republikës. Anëtarët e Komisionit do t’u drejtojnë pyetje kandidatëve, në përputhje me kriteret e vlerësimit të përcaktuara në udhëzimin e Ministrit të Brendshëm.
Në përfundim të procesit, komisioni do të bëjë vlerësimin me pikë dhe renditjen e kandidatëve më të vlerësuar, bazuar në dokumentacionin e paraqitur, informacionin e administruar dhe performancën gjatë intervistës. Renditja, së bashku me vlerësimet me shkrim për secilin kandidat, do t’i përcillet ministrit të Brendshëm, i cili do t’ia dërgojë propozimin Kryeministrit, për emërimin përfundimtar.
KOHA JONË SONDAZH

