Gënjejnë, izolojnë apo informojnë?
Lajme E Shtunë, 17 Prill 2021 14:24
Nga Gëzim Mekuli
Do të ishte e panevojshme që të përsërisim se, gazetarët dhe gazetaret nuk do të duhej të gënjenin, pra do të duhej të jenë të besueshëm. Këtë e dimë që kaherë! Besueshmëria gazetareske, para së gjithash, matet me atë se ç'mendojnë tjerët për ne, gazetarët. Etika është tregues i asaj se, c’farë njerëzish jemi ne; si jemi të brymosur ne.
Është me rëndësi, dhe njëkohësisht jo e lehtë, që të kemi gazetari të pavarur, objektive dhe jo partiake. Dihet se, vetëm një shoqëri që ka gazetari profesionale dhe objektive është një shoqëri e informuar mire; është komb i mirë. Walter Lippmann, që në vitin 1920 tha: "Liria, qetësia, mirëqenja dhe siguria sociale nuk mund të egzistoj në një shoqëri, po që se aty nuk egzistojnë mekanizma dhe/apo mjete që do të zbulonin dhe dekonspironin gënjeshtrën".
A e zbulojnë mediat shqipe gënjeshtrën?
Egzistojnë ca media në hapsirën shqiptare, që janë duke prodhuar radio e TV programe me përmbajtje edukative, historike, kulturore e hulumtuese. Por kjo nuk vlenë për shumicën e mediave tona. Pa nguritje mund të vijmë në përfundim se, shumë industri mediale i gjasojnë gazetave antishqiptare serbe të viteve të '70,’80,'90-ta, si ”Politika” e Beogradit apo ”Pravda” dhe ”Izvestia” ruse.
Çfarë është karakteristikë e këtyre mediave?
Zakonisht ky grupim i madh medial prodhon lajme të pakontrolluara, të deformuara dhe shpesh të falsifikuara. Sidoqoftë, qëllimi i gënjeshtrave, të lansuara nga këto media, është që ta bëjë sa më atraktiv shpërnarjen e sajë, ta dezorientoj, dhe të instaloj pasiguri në rrethe të caktuara politike, ekonomike e kombëtare… Këto gënjeshtra, jo rrallë, fabrikohen e sofistikohen në zyra të specializuara, e që kanë për qëllim të arrijnë ndikim në opinionin politk apo kontrollë të lajmit publik: Shumë shkencëtarë shpërndarjen dhe ndikimin e gënjeshtrave e konsiderojnë si epidemi; Ato janë të errëta, të pashëndosha e dinake. Këto shpërndahen ngadalë por sigurtë. Gënjeshtrat mediale janë të "ngjyrosura" dhe mund të drejtojnë në tronditje të opinionit publik. Këto mundë të çojnë ne trazira me pasoja politike, ekonomike e sociale. Per shkak te gënjeshtrave dhe shpifjeve të prodhuara nga lapsi e mendja e “gazetarucëve tanë”, sot, me të drejtë, mund të themi se hapsira jonë publike është tejmase e politizuar dhe e rrezikuar.
Për fat të keq kjo formë e përmbajtje "informimi", që po "gjallon" në shumë media shqiptare, dhe që po ushqehet nga shumë organizma ndërkombëtare, do të mund të definohej edhe si “treg i zi” e krejtësisht joetik i informatave. Shtrohet pyetja: a do të përjeton opinioni publik tiranas e ai prishtinas që gënjeshtra të mos i definohet (nga mediat) si e vërtetë, dhe e vërteta si gënjeshtër?
Izolimi
Shumica e njerëzve nuk pëlqejnë të jenë të vetmuar, të braktisur apo të konservuar për së gjalli vetëm e vetëm për shkak të pikëpamjeve, qëndrimeve dhe vlerësimeve të veta publike. Nga frika e izolimit intelektual e social këta ndrydhin dhe, nëse është nevoja, edhe tradhtojnë mendimet dhe qëndrimet e tyre politike, mendime të cilat do të ishin në kundërshtim me klimën mbizotëruese të opinionit publik.
Shumica e njerëzve dhe e "intelektualëve burracakë" i bashkëngjiten qëndrimit dhe mendimeve të grupimeve dominuese. Kjo ndodh edhe atëherë kur hapur e qartë shihet se ky vlerësim është i gabuar. Për shembull, shqiptarëve të Kosovës, nga disa mediume të caktuara u imponohet përdorimi dhe futja e fjalëve ideologjike dhe copëtuese "histori kosovare", "letërsi kosovare" etj., në vend të asaj “histori shqipe nga Kosova”, “letërsi shqipe nga Kosova”. Kjo politikë ka qëllim të vetin krijimin dhe formësimin e një identiteti dhe populli të paqenë, duke e shkëputur qëllimisht dhe artificialisht atë nga populli antik shqiptar. Pakkush ngrihet ta kundërshtojë me këmbëngulje këtë sajesë.
Edhe një shembull shkollor nga historia moderne e tregon më së miri se ku të çon heshtja dhe pajtimi i detyruar me mendimin e shumicës. Është fjala për ”Rajhun e Tretë”. Shumë intelektualë, akademikë dhe punonjës të kulturës heshtën, ndihmuan dhe madje iu bashkëngjitën klimës dominuese politike gjatë sundimit të NSPD-së hitleriane të vitit 1939. Edhe pse botërisht flitej e dihej se ky orientim politik ishte i gabuar politikisht dhe i varrosur historikisht.
Fituesit dhe humbësit
Në këtë etapë, nga mediat tona, është duke u aktivizuar frika nga izolimi dhe kjo krijon qëndrime të ndryshme kundrejt ndodhive në rrafshin politik dhe shoqëror. Ata të cilët po gjejnë përkrahje për mendimet dhe qëndrimet e tyre, po fitojnë vetëbesim të fuqishëm, po bëhen më aktivë dhe po marrin pjesë në debatet që zhvillohen çdo ditë. Ata të cilët po "e kuptojnë" se i përkasin klimës "së opinionit pakicë", vetëtërhiqen, bëhen pasivë dhe ndjejnë se është vështirë të mbrohen dhe të thuhen pikëpamjet dhe mendimet e tyre në media edhe kur janë të sigurt se kanë të drejtë.
Mund të thuhet se debati i shoqërisë shqiptare në hapsirën ballkanike, debat i lindur dhe i brumosur nga rrethanat shoqërore, ekonomike e politike të kohës dhe i nxitur nga mediat, ndahet në dy drejtime krejt të kundërta. Nga njëra anë ndodhet shumica që është në sulm dhe nga ana tjetër është pakica, e detyruar që të mbrohet. Se sa do të mbijetojë kjo "klimë gladiatorësh" në hapësirën shqiptare, i mbetet kohës ta gjykojë.
Por, prodhimi gazetaresk nuk do të duhej të ishte "religjion i ri" i shtetit apo politikës, i cili po udhëhiqet nga personat "e pavarur" e "të paangazhuar" në politikë.
Shteti apo politika ditore nuk do të duhej të bënte gabimin e madh, që përmes radiotelevizionit publik, andej e këtej kufirit, të tentoj të udhëheq dhe të kontrolloj rrymat, temat dhe agjendat e të gjithave diskutimeve publike në Shqipëri e Kosovë. Sepse kjo “i detyron” gazetarët të gënjejnë.
E gazetarit dhe gazetares që gënjen e izolon s'i beson askush… apo jo?