Gëzuar gjithëshqiptarë kudo që jeni, kudo që ndjeheni kuqezi
Tashmë Tirana, kryeqendra e gjithëshqiptarëve e ka veshur petkun e vet festiv të 102-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe 70-vjetorit të Çlirimit. Qendra dhe rrugët që të derdhin në të, janë të veshura të gjitha kuqezi. Flamuj pambarim, billborde e postera që evokojnë Luftën Nacional-Çlirimtare, kanë zënë vend në fasadën e Teatrit të Operas dhe Baletit e kumtojnë këtë manifestim madhështor.
Ndjenjat tona delikate të atdhetarit shpeshherë gjenden të pushtume prej nji përqafimi dalldisës, një ndjenje marroke që të ysht përshkënditur me gaz e me dritë. Përflakemi këto ditë prej zjarrmisë që hedh mbi ne kjo penelatë e beftë ngjyrash të flamurit, të gjakut që u derdh si çmim lirie. Gjendje dhe situata të ndryshme, ngasin për me çu peshë llavën që lëvrin thellë pamjeve tona të praruara, pranive përgjuese që pipëtijnë në poterën tokësore të kryeqytetit, si shkas përditësimi dhe kremte solemne festimi. Festat e Nëntorit na hedhin në një përjetim si mbi prush që shpuzit e ne përpushemi. E tuj u djeg përshkëndijmë me ngjyra dhe dritë përreth. E në vështrimin e gjithkujt, sot, nesër e gjithherë kjo atmosferë, kjo e kremte i ndërmend një për një të gjitha historitë, një për një i shfleton bëmat e mbrumuna kuqezi. Na kredhin në kujtime që kundërmonin erë gjaku dhe baroti, në rrëfenjat që etërit tanë na kanë përkundur e plagët që dëshmuan përpjekjen e tyre ngadhnjimtare. Kurrçka s'ka që e përshkruan atë që zemra ta thotë e shpirti ta ndjell në këtë marrëdhënie, në këtë ngulm valimtar, që del prej thell teje dhe shpalon në këtë pëlhurë dhe ngjyra kuqezi. Në këtë manifestim që të mallëngjen e të mbush përplot me ndjesi të hovshme. Nevoja për të qenë të mikluar prej një komunikimi të tillë, anipse në kushte jo fort të andshme, nuk buron vetëm prej limfës historike, por prej një gjendje që na ngre peshë së brendshmi nesh. Është një emocion brenda teje që të sëmbon, duke të hedhur në këtë përballje, në këtë betejë dëshirash flakëruese, në këtë pjesëmarrje festive kuqezi.
Ke nevojë dhe ëndërron të fluturosh si ky zog, si kjo shqiponjë dykrenare, që fluturon në atë flamur që rroku me valëvimë ajrin e arbrit 571 vite të shkuara, më 28 nëntor të vitit 1443 në Krujë nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Për të mbërritur 102 vite më parë në Vlorë nga plaku i urtë, Ismail Qemali. E sot ky flamur që nusëron kremtet festive, ky simbol nacional, të sëmbon të hidhesh në krahët e dëshirës dhe të ndjehesh me shpirt dhe zemër, flamur kuqezi, në jetë të jetëve kuqezi.
Mos ngurro, fluturo gazmueshëm e përjeto në këto ditë që kanë hedhur supeve petkun kuqezi, të drejtën tënde për të festuar, detyresën për të qenë mirënjohës për kontributin, mundin, gjakun dhe jetën që nuk e kursyen bijtë dhe bijat e kësaj toke. Para emrit dhe veprës së tyre ne përkulemi sot me respekt. Ata ishin etërit tanë, ajo është historia që e shkruan ata me gjak, memorja, të cilën nuk e errësojnë as zemërata shpirtrash të trazuara e gjakrash të prishur, inatesh politike, dasish e turbullimesh kuturisëse. Sot, nesër, feston Tirana, Vlora dhe e gjithë Shqipëria. Gëzuar gjithëshqiptarë kudo që jeni, kudo që ndjeheni kuqezi.