Gjakmarrja, shifrat e të ngujuarve nuk përputhen

Të dhënat zyrtare për fenomenin e gjakmarrjes nuk përputhen me ato të mbledhura nga organizatat e shoqërisë civile. Teksa ato të institucioneve shtetërore për përhapjen e saj dhe për personat e ngujuar duket se janë kontradiktore. E pikërisht sepse nuk ka statistika të sakta për këtë fenomen dhe pasojat e tij, organizmat shtetërorë ende nuk kanë arritur të bëjnë përcaktimet e duhura të situatës së krijuar prej ekzistencës së gjakmarrjes dhe pasojat e saj në vendin tonë. Një fakt i tillë pohohet në rezolutën e posaçme që institucioni i Kuvendit ka hartuar së fundmi për parandalimin e fenomenit të gjakmarrjes në Shqipëri. Duke shtuar më tej, se Kuvendi konstaton që  gjakmarrja është një fenomen i lokalizuar në disa zona të Shqipërisë. Dhe se shpërndarja demografike e fenomenit të gjakmarrjes është kryesisht në zona urbane, edhe pse ky fenomen është me origjinë rurale. Kjo dëshmon, sipas deputetëve, dështimin e mekanizmave dhe instrumenteve urbane të integrimit social nga zhvendosja demografike ndër vite, cilësia e edukimit në sistemin shkollor dhe problemet ekonomike të familjes shqiptare. “Ligji nr. 9389, datë 4.5.2005, “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Koordinues në luftën kundër gjakmarrjes”, nuk ka gjetur zbatim, për shkak se aktet nënligjore në zbatim të tij nuk janë miratuar”, shton gjithashtu ky dokument. Duke shtuar më tej se mosfunksionimi i Këshillit Koordinues për këtë çështje për vite me radhë tregon se fenomeni nuk është adresuar si duhet nga institucionet shtetërore, lidhur me parandalimin dhe zhdukjen e fenomenit.  “Programet e parandalimit të gjakmarrjes nuk zbatohen në të gjitha zonat ku fenomeni ka shtrirje gjeografike dhe nuk ka informacion të plotë për programet dhe organizatat që veprojnë në terren për parandalimin e gjakmarrjes dhe pajtimin e palëve.  Mosparandalimi i konflikteve familjare, të pronësisë, hasmërive të vjetra, si dhe atyre me motive të tjera të dobëta kanë ndikuar në kryerjen e veprave penale për hakmarrje dhe gjakmarrje”, apelojnë gjithashtu deputetët në lidhje me treguesit e këtij fenomeni aktualisht në vendin tonë. Pa harruar të përmendin edhe faktin se niveli i ulët i rasteve të proceduara dhe të dënuara për vepra penale me motive gjakmarrjeje dhe hakmarrjeje, në fakt, sipas tyre, është tregues i një politike penale joefektive për parandalimin dhe dënimin e këtij fenomeni.

 

 

 

APELI

 

Kuvendi i kërkon:

 

– Qeverisë, që organet e administratës publike të vlerësojnë seriozisht fenomenin e gjakmarrjes, të forcojnë bashkëpunimin dhe të bashkërendojnë mes tyre dhe me organizatat joqeveritare për parandalimin e gjakmarrjes dhe hakmarrjes.

 

– Institucionit të Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, që të koordinojnë punën e tyre dhe të zhvillojnë hetime më të shpejta, të plota dhe objektive, duke zbatuar një politikë penale efektive, ndaj personave që përfshihen në vepra penale të gjakmarrjes ose hakmarrjes.

 

– Organeve të Policisë së Shtetit, që të marrin masa për parandalimin e konflikteve, për zbulimin dhe dërgimin e personave të akuzuar tek organi e prokurorisë, duke forcuar bashkëpunimin me organet homologe dhe me Interpolin për ekstradimin e personave në kërkim ose të dënuar nga gjykatat shqiptare për veprat penale me motive gjakmarrjeje ose hakmarrjeje.

 

– Këshillit Koordinues në Luftën Kundër Gjakmarrjes funksionimin, me qëllim hartimin e një strategjie kombëtare në luftën kundër gjakmarrjes, marrjen e masave në planin ekonomik, social dhe legjislativ dhe përgatitjen e akteve nënligjore për funksionimin e këtij këshilli.

 

 

 

 

KËRKESA

Kuvendi vlerëson nevojën e ndryshimeve, me qëllim përmirësimin e kuadrit ligjor ekzistues për parandalimin dhe zhdukjen e këtij fenomeni primitiv. Sikundër kërkon edhe angazhimin e të gjitha institucioneve shtetërore, në nivel qendror dhe vendor, medias dhe shoqërisë civile të veprojnë bashkërisht për dhënien fund të plagës sociale të gjakmarrjes.

 

 

SHKARKO APP