Gjata e Ismailgeci: Kombëtarja një ëndërr, synojmë transferimin jashtë vendit!

Në prag të sfidës më 27 mars në miqësoren me Tiranën, 21-vjeçarët e Shqipërisë kanë nisur grumbullimin e parë në vigjilje të eliminatoreve të Europianit 2023. Alban Bushi ka grumbulluar 14 futbollistë nga Kategoria Superiore, teksa një bazë prej 8 lojtarësh janë nga eliminatoret e kaluara. Në konferencën e parë për shtyp kanë qenë të pranishëm Marsel Ismailgeci i Tiranës dhe Mario Gjata i Apolonisë. Për ta është një emocion i madh prezantimi me fanellën kuqezi.

“Është gjithmonë kënaqësi të marrësh ftesë nga ekipi kombëtar dhe të japësh maksimumin në fushë. Objektivi im është të paraqitem sa më mirë në këtë grumbullim, por edhe më vonë nëse do të më jepet rasti.

Besoj që në ftesë ka ndikuar si paraqitja e ekipit, ashtu edhe paraqitjet e mia individuale. Shumë lojtarë nga Kategoria Superiore janë shitur jashtë dhe kjo është një shenjë e mirë, pasi do të thotë që kampionati po zhvillohet e po rritet. Edhe unë dua të bëj paraqitje sa më të mira dhe pse jo, të shitem në një kampionat më të fortë”, deklaroi Ismailgeci.

Gjata – “Kam marrë ftesën për herë të parë nga Shqipëria U21 dhe jam shumë i kënaqur për këtë. Kombëtarja është ëndrra e çdo lojtari dhe shpresoj që të arrij të luaj me skuadrën e parë. Një lojtar që dua t’i ngjaj është Bekim Balaj, pasi kemi tipare të ngjashme loje.

Më vjen keq për situatën te Apolonia, pasi po mundohemi të bëjmë ndeshje të mira, por jemi në vendin e fundit sërish. Kur të përfundojë grumbullimi, do të ndeshemi me Tiranën dhe u kam thënë Ismailgecit e Celhakës që nuk do ta kenë të lehtë.

Objektivi im tani është të ndihmoj Apoloninë të qëndrojë në Superligë, ndërsa më pas pse jo, të provoj një eksperiencë të re jashtë vendit”, deklaroi talenti i Apolonisë.

SHKARKO APP