Gjeniu i humbur, gjeniu i shfaqur
-Me Petro Zhejin sipas shënimeve 30 vjet më parë
Nga Zija Çela
Prag vere, mot i thatë, bënte nxehtë. E takova pak ditë, pasi libri po qarkullonte në Tiranë, mu në këmbësoren e parkut të Namazgjasë, që e priste rrugën shkurt. E pse përktheve pikërisht atë libër, Petro, nga ai autor mund të kishe përkthyer një tjetër. Cilin?, pyeti. Ia thashë titullin, që përmbante dy fjalë. Por të dytën, epitetin, ia thashë me kast në dy versione: turbulente dhe troublante. Këtu tek ne, ma ktheu sipas të fundit, na turbullohet puna, se nuk përkthejmë çfarë kemi qejf, por çfarë na detyrojnë me plan. Edhe qeshi, thua se në atë çast po e hidhte pas shpine, pa e çarë kokën, gjithë punën që kishte bërë me librin. Kush është plot me pesha të rënda, mendova, s’e ka për gjë shkarkimin nga të lehtat.
Ai roman tashmë më mungon në bibliotekën time. Ndërsa në anglisht do ta shihja pas ‘90-tës në Gjenevë. Po endesha në panairin e librit, kur më zunë sytë emrin e një shkrimtari të huaj dhe njoftimin për konferencën e tij. Në çast m’u ndërmend përkthyesi ynë, prandaj më ngjalli interes konferenca. Por…
Por më duhet të ndalem, sepse ky episod që më erdhi kaq përpara, në të vërtetë e ka vendin mbrapa. Aq më tepër që as pyetja më ballore nuk ka marrë ende përgjigje.
Çfarë janë këto shënime?
Me Petron Zhejin më kanë njohur miqtë e mi, që paskëshin qenë edhe miqtë e tij, poetët Ndoc Gjetja, Rudolf Marku dhe Preç Zogaj. Duhet të ketë qenë viti 1984. Për këtë njohje kam mbajtur shënime. Dhe për fat në atë kohë, pa e lënë kujtesën që ta tjetërsojë faktin e jetuar. Në një bllok, i cili kishte edhe tekste të tjera, shënimet janë hedhur nga fundi. Prandaj, me shkallëzim në zbritje, përmbajnë faqet 176-163. Faqja 177 ka shërbyer si kopertinë. Aty lexohet: Shënime për romanin Ai. Tash vonë, duke sistemuar disi arkivin vetjak, për të qenë i vëmendshëm se çfarë përmbanin, kam shtuar me një stilolaps që i ndryshon edhe ngjyra e bojës: “Për arsye sigurie kështu i pata quajtur shënimet që mbaja nga takimet me Petro Zhejin.” Bëhet a s’bëhet një dyzinë takimesh, ndonjëri i rastit, si dhe një vizitë me Ndoc Gjetjen në shtëpinë e tij në Allias. Por janë dhe dy darka të paharrueshme, një natë në shtëpinë e poetit (banonte nga Varri i Bamit), një natë në shtëpinë time (banoja diku pranë Kinostudios). Vetëm për vetëm, Zheji, Gjetja dhe unë.
Bisedat e darkave i inçizonim me UHR. Mua më besohej bobina, më lejohej ta zbardhja duke e hedhur në letër, pastaj fshija shiritin. Askund nëpër rreshta, gjithnjë për arsye sigurie (Sa qesharake tingëllon tani!), nuk kam përmendur emrin e Petros, madje përveç timit, asnjë emër tjetër. Kishte pjesë që i fshija me urgjencë, pasi duheshin zhdukur. Tani më vjen keq, por atëherë ka qenë maturi. Vetëm pak vite më parë dosja për arrestimin tim ishte firmosur nga Nusret Dauti, drejtor i Drejtorisë për policinë e Tiranës. (E kam rrëfyer këtë në shkrimin “Një shkrimtar i kërkoi dorëheqjen Xhelil Gjonit”, botuar në gazetën Albania, 22 prill 2007.) Çdo gabim në këto shënime është imi. Prandaj kërkoj ndjesë, nëse ndonjë fjalë s’ma ka kapur veshi mirë gjatë zbardhjes. Që prej asaj kohe, për herë të parë shohin dritën e diellit.
E di, e di, miq të tjerë e kanë takuar Petron më shpesh. Di gjithashtu se mjaft të tjerë e kanë njohur më herët e më gjerësisht. Por shpresoj se, sado modeste, edhe njohja ime ka pasur shenjën e vet. Zakonisht, shkrimtarët pyeten për librat që pëlqejnë dhe që kanë ndikuar në formimin e tyre. Unë kam përmendur jo vetëm libra, por edhe njerëz realë. Dhe për shembullin më të pazakontë e më ndikues tek unë, kam pohuar Petro Zhejin. Veçse ky tekst nuk tregon si shkruante, as çfarë shkruante. Ky tekst tregon si sillej e si fliste Petro Zheji. Ju lutem, përfytyroni sikur po dëgjoni drejtpërdrejt zërin e tij, teksa flet këtu e tridhjetë vjet të shkuara.
Festë dhe sfidë
Takimi i parë na bëri bashkë, çka ishte festë. Dhe ai, si prej një pozite të epërme, nuk vonoi të më thoshte: “E kuptoj, ty të intereson mendimi im. Në një tavolinë ngjitur me mua, në Bibliotekën Kombëtare, dikush po lexonte librin tënd të ri. Ai u ngrit e doli, me sa duket për kafe. Meqë të kisha dëgjuar si emër, e tërhoqa librin dhe fillova të lexoja tregimin e parë. Lexova një faqe duke pritur që të të kapja gabim. Pastaj të dytën, të tretën, faqen e pestë… Më pëlqen: ti ke Dashuninë njerëzore.” M’u duk sikur po tallej, sidomos me përdorimin në gegërisht të fjalës dashuni. Por ai përsëriti: “Po, ke Dashuninë njerëzore!”
Gjatë bisedës vura re lehtësinë e tij fluturuese për të kaluar nga një objekt apo koncept tek tjetri, dhe gjithnjë duke i ndërlidhur, dhe gjithnjë me elipse e parabola. Çfarë kishte qenë aq komplekse dhe e ndërlikuar, ta jepte në pëllëmbë të dorës si të ishte thelbi i një arre. Po më ndërmendej se edhe ligjet, që zbulojnë shkencëtarët e mëdhenj, te thelbi depërtojnë. Ato burojnë nga aftësia e tyre për ta thjeshtuar kompleksitetin e natyrës. Kur Njutoni përkufizoi forcën e rëndesës, përmblodhi të gjitha rëniet, që nga molla prej degës e deri te meteoritet prej qiellit.
Kisha dëgjuar për një dorëshkrim të tij mbi gjuhën shqipe dhe sanskritishten. Prandaj tani isha unë që nuk ia zgjata. Nga pozita e epërme e botuesit, i premtova se isha i gatshëm t’i publikoja dhjetë faqe në gazetën Drita. E priti mirë. Më pas më dha edhe tekstin. E kam lexuar në shtëpi, shtrirë në brinjë, duke mbajtur shënime në ca skeda të vogla, që edhe sot e kësaj dite i ruaj. Kur e rilexova herën e dytë, pata përsëri të njëjtën rrëmbesë. Sepse çfarë mund ta rrëmbejë më tepër një shkrimtar, sesa sfida për të depërtuar në shpirtin e gjuhës?!.. Mjerisht, në gazetë nuk u botua. S’i mësova deri në fund shkaqet, por Petro u tërhoq.
Ah, më duhet të kujtoj një hollësi. Ndoshta pikërisht me këtë rast, atij sfidantit i bëra edhe unë një sfidë, si të më shpëtonte goja: “Përderisa nuk boton gjë prej gjëje, ose je një zero, ose një gjeni i humbur. Shfaqu”, i thashë. “Shkruaj, përse nuk shkruan edhe letërsi?!” Ma ktheu: “Askush nuk më ka fyer në sy kaq rëndë. Ne mund të bëhemi miq, ose të urrehemi.”
Zoti na dha miqësinë.
Kur i di të gjitha…
Në takimin që pasoi, sapo u pamë, ma hodhi silurën si me të qeshur: “Nuk do të më kërkoje, po të mos më kishe gjetur.”
U ulëm sërish në atë lokalin si bimës (bodrumi i një ndërtese pranë Cirkut) dhe filluam të pinim një gotë. Në vazhdim të bisedës së dikurshme, tha:
“Hë-hëë, përse nuk shkruaj unë letërsi?! Dikur mund të kem pasur ndonjë ëndërritje për të shkruar. Por vetëm dikur. Sot nuk e kam më. Dhe nuk e kam, sepse sot i di të gjitha. Ai që i di të gjitha, nuk mund të shkruajë, nuk ka përse të shkruajë. Unë nuk shkruaj dot, sepse jam si puna e avullit. Për të prodhuar energji, avulli duhet të hasë në një shtysë. Rrota ime, për shëmbull, do të vërtitej në vetvete, ajo nuk do të ndeshte rezistencën e fërkimit… Ja përse unë nuk mund të shkruaj. Loja është e fortë!” Do të vija re se këtë shprehje e përsëriste herë pas here gjithë ngazëllim e nënkuptim. Ai vazhdoi: “Kurse ti mund të shkruash pikërisht se nuk i di të gjitha… Shkruaj! Po të ecën. Ja, kishe botuar një novelë (“Për kë ngrihet busti”, Drita, shkurt 1984) dhe im bir më tha: Sa bukur. Por si ka guxuar ta shkruajë?!.. Hë-hëë, shkrimtari nuk është ai që shkruan bukur, por ai që krijon formë!”
“Forma?”, ia bëri pastaj. “Forma janë gjërat e ngjashme, të cilat bashkohen. Dhe krijojnë përsëritje. Esenca? Esenca janë gjërat e pangjashme, të cilat bashkoji dhe krijon!” Këto fjalë i tha në frëngjisht, duke përsëritur në shqip: “E fortë loja! Ja, ti shkruan edhe sepse kërkon të dish se si është e vërteta. Unë e kam gjetur të vërtetën, prandaj nuk mund të bëj letërsi.”
E pyeta se përse i shprehu në frëngjisht mendimet për formën dhe esencën, mos i kishte lexuar gjëkundi? Jo, tha. Nuk e di, shtoi pastaj. Unë ashtu i mendoj.
Pimë edhe nga një gotë. Ra fjala për fëmijërinë e tij dhe më tregoi disa episode, që më tërhoqën: ambienti familjar, si i thërriste i ati “Hajde, alegri djema!” – dhe me këtë ai duhej t’i binte mandolinës; si e theu mandolinën; si ra në kontakt me libra filozofie, etj. Një kapitull më vete këto kujtime.
E ndjeva si m’u ndez një shkëndijë. Ndoshta nxitova, por i thashë se mund të bëja një roman, duke e patur atë personazh. “E bën, – tha. – Dhe ti ende s’më ke njohur, por unë mund të t’i jap të gjitha.” “Atëherë atë roman s’do ta kem bërë unë, po ti”, thashë. “Jo”, kundërshtoi ai, “ta bësh ti, sepse ti ke mundësi ta bësh. Kurse emrat tanë nuk kanë asnjëfarë rëndësie. Ti mund ta bësh pikërisht se nuk i di të gjitha. E fortë loja! Unë e kam topin dhe ta jap ty, ty që ke mundësi ta bësh gol. Kjo ka rëndësi!”
Një kredo
Sot pata një takim të rastit. Ai ishte me dy të tjerë dhe po shëtisnin. Mes tyre kishte rënë fjala për mua dhe Ai kishte thënë: “Z ka një kartvizitë të bukur në fytyrë. Z ka ca llambushka përbrenda dhe, kur më sheh, i ndizet një llambushkë për mua.” Dhe menjëherë: “Z ka Dashuninë njerëzore.”
U takuam më këmbë, ai mori në bibliotekë një Fjalor të hebraishtes dhe pastaj e përcollëm. Rrugës më pyeti: “Ç’ke shkruar? Je tip motorik, të shoh se harxhon shumë energji, por gjithnjë më vjen keq: Sa energji shkojnë për krijimin?” Pastaj më tregoi historinë e një njeriu që, kur ishte i ri, premtonte shumë në fushën e shkencës. Tani ka dalë në pension, tha, tërë jetën nuk bëri asnjë shpikje, sepse hyri dhe mbeti në administratë.
E ka si kredo këtë mendim: “Njeriu ushqehet me mishin e vet. E fortë loja!”. Dhe me këtë do të thotë se njeriu tërë jetën duhet të punojë, të kërkojë, të krijojë.
Sesi ra biseda për origjinalitetin dhe, prej ndonjë konteksti që kishte në mendje, pati një shfrim. Mirëpo dikush po më përshëndeste në rrugë dhe më shpëtoi shfrimi i plotë. Arrita të kapja fjalët këmbësoria, fusha të minuara, derra, çka mund të më ndihmojë për ndonjë riprodhim të përafërt.
Pas pak, u kthye befas nga dy të tjerët dhe më habiti, kur tha: “E dini ju si shkruan ZÇ?!” Sigurisht nuk priste përgjigje, veçse po përgatiste përgjigjen e vet… Në gazetë më vjen zor, por gjetkë i kam cituar ato fjalë. Ishte një mendim fringo, kurrkush s’ma kishte thënë dhe kurrkund s’e kisha dëgjuar. Mbas atyre fjalëve, ndoshta një shkrimtari i vinte të thoshte “Mjaft!”, e pastaj prej qejfit t’ia mbathte vrapit.
Kujtesa e zemrës
Ai e çmon shumë poezinë. Ai thotë se poezia nuk mund të të mësojë, por të bën të ndiesh. Poezia është diçka e afërt me radioaktivitetin, thotë. Ja, poeti ndien një gjendje të caktuar, ai “tronditet” dhe, përmes poezisë së tij, të bën edhe ty të tronditesh, të ndiesh një gjendje. Duke ia kaluar poezinë lexuesit, poeti i ka futur në shpirt një “agjent”, si ai agjenti kimik i Pjer dhe Mari Kyrit që çlironte radioaktivitetin.
Ai çmon shumë sidomos dashurinë njerëzore, zemrën. E ç’janë robotët? Ata programohen, thotë, pra mund ta zëvendësojnë disi trurin njerëzor, po kurrë zemrën e tij, ndjeshmërinë e tij. Nuk thotë kot populli: Ma ndien zemra. Në italisht fjala ricordo do të thotë kujtoj, por kjo fjalë ka si rrënjë fjalën cuore, zemër. Kujtesa më e fortë është ajo e zemrës. Dy njerëz, për shembull, mund të jenë shumë afër, ta zëmë dy fqinjë, dhe njëkohësisht shumë larg: ata i mban larg zemra. Kur takon një njeri të dashur, tjetri gëzohet. Është zemra. Dhe atë që nuk e do, s’ke dëshirë as ta takosh. Është prapë zemra.
Dera e një bote tjetër
Do të shkruaja romanin “Mali i tejdukshëm” dhe gjatë darkës, ndërsa magnetofoni punonte, e kalova fjalën në temën që më interesonte: guri i shpuar, tuneli, pusi. (Pusi më duhej për metaforizimin e ashensorit të minierës.) Hodha pyetjen: Përse thuhej dikur se kufiri ynë ishte deri te Guri i Shpuar, çfarë është ky gur me vrimë?
Ai tha: Vrima. Lidhet me fatin. Anglisht: lack = vrimë, luck = fat. Ligjet e rastit, ato të fatit, janë ligjet e inkoshientit. Në plan shpirtëror vrima do të thotë hapje, me dalë në botën tjetër. Te njeriu ajo përfaqëson syrin e trashendencës. Vrima shënon një kufi; gur i shpuem do të thotë materie e shpuar. Kur materia kondensohet shumë, kolapsohet, atëherë imitohet akti i parë. Akti i parë është vrima e trashendencës. Kufiri është një vrimë, një derë për të kaluar në një botë tjetër. Kufiri kozmogonik, vrima e zezë. Bestytnitë, përrallat, mitet, që janë konsideruar dokrra, tani përputhen me zbulimet moderne. Hog (anglisht) = golle (shqip). Le të marrim në shqip fjalën shpoj. Ç’rëndësi luan shkronja p këtu. Kur shqiptohet p, hapet në gojë një vrimë e vogël, nuk ndihet zhurmë si me shkronjën b; hapet një vrimë mes dy buzëve, si mes dy botëve: buza e sipërme një botë, e poshtmja një tjetër. Sot dy botët, tokësorja e qiellorja, shprehen si dy botë të tilla: (ndërkaq vizatoi në letër një skemë). Vrima mes tyre është mbyllur, dy botët nuk komunikojnë me njëra-tjetrën. Sot askush nuk ia di numrin e telefonit Zotit, kurse dikur ia kanë ditur.
Ndalemi te pusi. Thamë se vrima në plan shpirtëror është hapje, vazhdoi ai, do të thotë me dalë në botën tjetër. Ja, të kujtojmë një përrallë çame, ku është edhe pusi. Një mbret kishte tre djem dhe një mollë që bënte kokrra të arta. Vinte kuçedra dhe i hante kokrrat. Një mot djali i madh merr armët dhe i thotë babait se do ta vrasë kuçedrën. Shkon te molla dhe ruan gjithë natën. Në të zbardhur, vjen kuçedra dhe ha mollët. Kur i del gjumi, gjithçka kishte mbaruar. Kthehet në shtëpi me turp. Vitin tjetër vendos ta ruajë mollën djali i dytë, por ndodh e njëjta histori. Kur mollët bëhen prapë, vendos t’i ruajë i treti, Qerozi. Qerozi gjithmonë është i përjashtuari, ai përfaqëson zgjuarësinë por edhe aburën për të tjerët. Dy vëllezërit e tallin, kur nuk e ruajtën mollën ata, si mundet që… (Vijon përralla.) Po ç’nxorëm nga përralla? Gjithë heronjtë e Greqisë së lashtë, për të qenë heronj të vërtetë, shkonin në Ades, dhe ktheheshin përsëri nga bota tjetër. Qerozi e mundi kuçedrën, simbolin e vdekjes. Kur vëllezërit ia prenë litarin dhe e lëshuan në pus, ai gjeti rrugën për në botën tjetër, shkoi dhe u kthye duke u bërë i përjetshëm… Ky është pusi, vrima, guri i shpuem: dera që të nxirrte në botën tjetër. Në Ibë ka një vend që quhet Skuterrë, thua se atje do të ketë qenë dikur vrima që të çonte në Skëterrë. Ekziston Trekëndëshi i Bermudës, një hapësirë ajrore ku thuhet se janë zhdukur aeroplanë dhe anije, si të ekzistonte atje një rrugë për në Ades… Këto mund të merren për pallavra, dakord. Por ja që lidhen me njëra-tjetrën dhe duket se ka një formë që i organizon.
Kisha përpara një postmodern, që dukej sikur fliste havadan. Por në të vërtetë, duke jetuar mes nesh dhe duke folur me ne, nëpërmjet së kaluarës Ai komunikonte me fantazmën e së ardhmes.
Mbreti fle, drejton vejusha
Vrima te njeriu është gjëndra pineale, që është quajtur Syri i tretë i Shivës. Lidhet me shqipen: sheh, me pa. Syri dhe dielli janë e njëjta gjë. Po të mos ishte syri diell, si mund të shihte diellin, thotë Gëte.
Ta shprehim gjëndrën pineale me figurë (vizaton në letër). Gjëndra pineale, epifiza, është mu në qendër të trurit, mu në qendër të gravitetit. Mes epifizës dhe hipofizës ka një shtresë që i ndan, si një dyshek, talamus. Siç dihet pra, këto dy qendra nuk “flenë” bashkë, janë të divorcuara. – Kështu po flasim për mitin në biologji, po përkthejmë gjuhën e vjetër të mitit në gjuhën e sotme moderne. – Hipofiza është si në rolin e gruas, ka vetë hormone e rregullon gjithë hormonet e trupit, u çon hormone organeve, sinjalizon hormonet e këtyre organeve dhe i “komandon” për të bërë veprime. Pra, kjo sillet si Mbretëreshë. Po Mbreti? Mbreti (epifiza, gjëndra pineale) është vrarë shumë i ri. – Miti është mishërim i gjuhës më të vjetër të njerëzimit. – U vetëvra apo e vranë, si te Hamleti? Kjo lidhet me kurbanin, me sakrificën. Kozmogonia – lindja e botës. Ka shpjegime të ndryshme kozmogonike sipas popujve, bestytnive të ndryshme. Numri më i madh i kozmogonive vë në bazë sakrificën kozmike… Pra s’ka mundësi të krijohet pa sakrifica, s’mund të ketë jetë pa pasur vdekje. Këtu është origjina e flijimeve në lashtësi (ndoshta dhe legjenda e Rozafës). Ja pse duhej vrarë, sakrifikuar “mbreti”.
Mirëpo sot ai ka nisur të zgjohet. Po të zgjohet, shumë gjëra marrin fund, prandaj dhe loja është që duhet bërë gjithçka që të mos zgjohet. Në shqipe fjala flijim lidhet me fle. Ai që flijohet nuk vdes, por flen. Kështu edhe heronjtë e legjendave: kur vriteshin, nuk thuhej se vdiqën, por po flenë. E ruajnë këtë edhe këngët e vjetra e vajtimet.
Ç’ndodh sot me gjëndrën pineale? Mbreti u vra… Merre me mend ta fillosh sot kështu shpjegimin për gjëndrën pineale në fakultetin e mjekësisë! Kjo gjëndër, Syri i tretë i Shivës, quhet ndryshe edhe Syri i Eternitetit, me të cilin sheh përtej vellos. Orgjina e saj ka qenë sy, por është invertuar, dalëngadalë është futur brenda. Dikur flitej për syrin e qiklopit, djalin me yll në ballë; ende themi: në lule të ballit; grave u del një si tumor i vockël mes vetullave; indianet bëjnë një nishan në ballë, etj. E pse, pse pra?
Unë i shpjegoj këto, tek unë vijnë faturat. Gjithçka që shfaqet nuk e mohoj, sepse nuk është e plotë, është në proces, s’ka arritur në fund, prandaj si mund ta gjykoj?!..
Qendra dhe periferia
Për gjëndrën pineale Dekarti ka bërë libra. S’kam pasur rast t’i lexoj, por i kam ndeshur në studiues që e citojnë. Është folur edhe nga të vjetrit. Por për shumë kohë mendimet e Dekartit u panë me qesëndi, u lanë në harresë. Tani ka filluar një diare librash për këtë çështje. Ç’thuhet? Gjëndra pineale është qendra. Po ç’është qendra? Centre. Të largohehesh nga periferia për të shkuar në qendër, është njëlloj si të lëvizësh nga e jashtmja tek e brendshmja, nga forma te soditja, nga multipliciteti tek uniteti, nga hapësira te pahapësira, nga koha te pakoha, kështu thuhet në një libër modern. Për shembull, në gjendje ekstaze, njeriu vendoset në qendër dhe për të sikur nuk ekziston as koha, as hapësira.
Por për ta provuar këtë, është shumë e vështirë dhe ndodh rrallë, njerëzit ecin në mënyrë këmbësorike, janë të paktë ata që fluturojnë… Provohet dhe me një rreth: po ta vendosim kameran andej-këtej nëpër periferi, planet dalin sfukato, një të ngjan më i shkurtër, një më i gjatë, etj. Kurse po e vendosëm kameran në qendër, të gjitha largësitë e rrethit janë të barabarta. Në qendër ekziston harmonia. Qendra është ajo që Aristoteli e quan lëvizësi i palëvizshëm, ndërsa Dantja e quan dashunia që lëviz diellin tek yjet e tjerë. Doktrina indiane thotë se Zoti qëndron në qendër. Edhe uragani ka qendrën, syrin e uraganit. Qendra: pika ku rrezet e një rrote takojnë aksin e vet. Në diagramet e kozmosit vendi qendror i rezervohej krijuesit… Çdo veprim që bëhet në qendër përhapet, transmetohet menjëherë. Merret me mend se çfarë pasojash kanë veprimet e gabuara!..
Prandaj, edhe kur ndërtohej një tempull, një faltore, një kishë, një xhami etj., synohej gjithnjë të ngrihej në qendër. Qendra është e priviligjuar. Qendra mund të ketë shumë, por ato janë njësoj, sepse përsëritet struktura. Jo më kot thuhet: më mirë i parë në katund, se i dytë në qytet. Pra qendra përsëritet. Qendra e një rrethi, për shembull, është e fiksuar. Ajo s’ka ligj, prandaj dalin privilegjet e saj. Po të mos ishte e zgjidhur ajo, si mund të lidhte pikat e tjera , të vinte ligje për ato: ndryshe rrethi do të shpërbëhej. I zgjidhur mund të jesh edhe duke u pozicionuar sa më larg qendrës, pra duke dalë nga periferia e saj, por atëherë s’ke më asnjë lidhje me rrethin, ke dalë jashtë tij.
Por qendra është pika e vdekjes. Në shumë plane, zhvillimi i jetës e ka mohuar. Edhe syri nuk sheh me qendrën e vet, se pika e qendrës së syrit është e vdekur. Kështu ndodh me trurin. Drejtuesi duhej të ishte qendra, epifiza, por në fakt drejton “vejusha”, hipofiza.
Epifiza, qendra pineale, për shumë kohë nuk studiohej. Njeriut i rudimentohet epifiza në fëmijërinë e hershme. Gjer në atë moshë fëmija është trashendent. Nga studimet që bëhen tani, është gjetur se epifiza prodhon gjithashtu hormone, por që janë të kundërta me hormonet e hipofizës. Epifiza, ja, kjo është vrima te njeriu, syri i trashendencës. Po kryhet një mbyllje e rrethit, koha moderne po arrin në disa nga zbulimet e të parëve tanë të lashtë. E fortë loja!
Pesë, pas, pjesë, pus – mund të bëhet një lidhje mes tyre, sepse në fakt duhet të jenë e njëjta fjalë. Ato kanë të përbashkëta bashkëtingëlloret, ndërsa zanoret s’kanë rëndësi, ato mund të ndryshojnë.
Gjuha si kanal komunikimi
… Gjuha është konsideruar si mjet komunikimi, por jo edhe si kanal për të nxjerrë informacion prej saj. Me gjuhën ne marrim e japim zarfe të mbyllura, pa i hapur, pra s’dimë ç’kanë brenda. Po ndodhi që u hap njëri, atëherë fillon t’i hapësh edhe të tjerët. Por kështu je në kundërshtim me logjikën, se gjuhës nuk i njihet ky funksion. Megjithatë, vazhdoi Ai, unë mendoj se te zbërthimi i fjalës mund të gjesh si ka jetuar njerëzimi, ç’ka ndier lashtësia. E fortë loja!.. Malak: engjëll (meleq), i mallkuar, mbret. Ka pra tri kuptime. Del: mbreti është një engjëll i mallkuar, sipas gjuhës së shpjeguar me anë të mitit. Kurse një gjuhëtar do të thoshte se tri kuptimet janë një rastësi.
Rasti edhe ekziston, por ndokush e absolutizon, në mënyrë të veçantë kur nuk është në gjendje të japë shpjegime. Rasti është zonë injorance, në një kuptim, është turpi ynë. Njeriu kërkon ta vrasë rastin, ta racionalizojë jetën e tij. Njeriu do dritën, shpjegimin, kurse rasti është errësirë. Kur shkon te miti, s’ka më koincidencë.
Sa më e vjetër të jetë inkoshienca e një populli, aq më i vjetër është ai popull. Inkoshienca është kujtesa e njerëzimit. Shqiptari është njeri me potencë intelektuale. Forca intelektuale e shqiptarit nuk lidhet me territorin e vogël të vendit, por me vertikalitetin e historisë shumë të vjetër të popullit tonë. Ne s’jemi, siç na quan ndokush jashtë, popull aborigjen apo indogjen, por një popull me një qytetërim shumë të lashtë të invertuar përbrenda. Gjuha e zotave, kështu e quanin gjermanët shqipen në shekullin e kaluar.
Krijuesi dhe imitatori
Ka një raport mes krijuesit dhe imitatorit, tha Ai. Po përmend: vallja, daullja. Po kaloj te një nga teoritë e fundit, ajo e Big Bang-ut, që e shpjegon krijimin e rruzullit tokësor si rezultat i një shpërthimi. Pra, ka ndodhur një hapje.
Ç’lidhje ka daullja e vallja? Daullja është një lloj qendre. Ajo bie: bam, bam! Kështu, ajo përfaqëson shpërthimin. Pas tij fillon spiralja: vallja që përfshin edhe lëvizjen rrethore, edhe atë drejtvizore. Vallja është spiralja që hapet, pra imitimi i krijimit të parë, që është krijimi i Tokës me anë të një hapjeje, shpërthimi, sipas Big Bang-ut. Çdo krijim do të imitojë disi krijimin e parë. Çdo dans është pantomimë e metamorfozës. Kur valltarët kërcejnë vallet e vjetra, nga shprehja e fytyrës dhe nga gjestet ata duken si perëndi, sepse duke kërcyer, ata në fakt po krijojnë.
Sasia është në sipërfaqe të gjërave, jo në vertikalitet, ajo ikën. Kjo koincidon edhe me fizikën moderne: të gjitha planet po s’ranë në unison, po s’korresponduan, atëherë ka shkatërrim. Si merren vesh këto plane? Nuk është një marrëveshje trupore, por ndonjë ligjësi tjetër. Për shembull, në kohën e Moxartit edhe muzika, edhe letërsia, edhe matematika etj., sikur u harmonizuan.
Gjërat ndryshojnë që të korrespondojnë, pra të duhen, të arrihet harmonia. Por kur dy veta dashurohen, në thelb njëri dashuron, tjetri është ai që dashurohet. Është thuajse e pamundur që të dashurojnë njëkohësisht të dy, edhe pse atyre ashtu u duket.
Koncepti është më i qartë se simboli, por është më steril se ai. Koncepti është saktësi e shkencës. Me krahët e konceptit nuk kalon, ta zëmë, nga matematika në linguistikë, kurse me simbolin fluturon ngado, ai sikur i bashkon gjërat me ligjin e harmonisë, të korrespondimit, të dashunisë. Për shembull: ponte (ura) dhe punto (pika) në italisht. Me logjikën konceptuale këto s’i lidh dot, do të thuhej se është rastësi. Kurse me asosacione simbolike lidhen: ura lidhet me pikën (skema – ura e parë që bashkon dy botët, pika ku bashkohen), sepse të gjitha urat janë në një kuptim ura e parë, njëfarë kopjimi i strukturës së urës së parë.
Moszotërimi i gjuhës bën që, kur dikush shprehet, shkruan a përkthen, ndjeshmëria të ketë firo. Në art prandaj ka shumë rëndësi të arrish të jesh i saktë, i plotë. Një libër, për shembull, të jep thellësinë, kurse nga paaftësia ti jep në përkthim sipërfaqen. Artisti është ai që bën procesverbalin më të plotë, më të saktë. Kur artisti e përdor gjuhën në mënyrë figurative, fjala bëhet tjetërlloj fjale, bëhet zbulim, i jepet pasaportë universale. Artisti nuk shpjegon me koncepte, por me imazhe dhe, në mund të shprehem kështu, është më pranë mitit, më barbar, më primitiv. Fjala e transporton strukturën në të gjitha planet. Të folmet figurative tregojnë potencën e fjalës… Unë po ia dorëzoj gjuhës komplet trurin tim. Besoj shumë te shqipja, pra unë po “mendoj” me gjuhë.
Thoshin se isha skizofren…
Unë e kam memorien, por s’e përdor, se nuk më duhet, shpesh më lipset të harroj.
Unë u çmenda (shtoi Ai menjëherë), por në çmendinë (Klinika 5) nuk më çoi marrëzia, më çoi mendimi. Në sytë e disave, natyrisht, kjo ishte një “njollë” për personalitetin tim. Po shprehem me figurë, pra ata më thoshin ti s’je i ndershëm, ti shkove në bordello. Unë këmbëngula, bëra përpjekje dhe dola në qendër. Vërtetova kështu se isha i ndershëm. Por në rast se unë dal i ndershëm, ata dalin të pandershëm.
Këmbëngulja që atëherë, por ata nuk e kuptonin gjuhën time, thoshin se isha skizofren, se nuk e perceptoja këtë kontradiktë. Unë vazhdova të punoja me durim, jo për lavdi, por nga dashuria për punën, si dhe për të vërtetuar se unë isha i ndershëm. Puna qe terapia ime.
Gëtja thoshte se çka është brenda, është edhe jashtë. Por po të koincidonte çfarë është brenda me atë çfarë është jashtë, bota mbaron. Vetëm te Zoti, thotë Hegeli, subjektiviteti është baraz me objektivitetin, pra S = O, domethënë subjektiviteti nuk e ka më armik objektivitetin. Kjo arrihet kur njeriu të hyjnizohet. “Faji” i njeriut është se nuk është perëndi. Do të bëhet. Zbulimet që po kryen e tregojnë. Për njeriun shkenca është edhe pasion, edhe qejf. Ajo nuk e detyron njeriun aspak që të jetë i ngrysur. Kur rri i ngrysur, i krefosur, nuk do të thotë se je edhe i ditur. Ai që ka gjetur diçka, ai qesh. Kur zbulon, heq një vello, dhe kjo është një gjë e këndshme, si në rastin kur zbulon vellon e nuses.
Njeriu pa u bërë “perëndi” nuk është i qetë; këtu i ka rrënjët edhe ambicia. Në gjenezë njeriu ka rënë (Adami dhe Eva), prandaj lufton të ngrihet. Ja pse shpesh ai arrin gjëra të mëdha, të mrekullueshme, siç janë shpikjet e mëdha. Ajnshtajni thoshte se kush nuk mrekullohet nga mrekullitë e njeriut, ka vdekur me kohë, sepse njeriu është një mrekulli.
Në shenjën e Yllit të Plakave
Tani i përgjigjem pyetjes përse nuk e shkrova romanin, ku protagonisti do të ishte shëmbëlltyra besnike e Petro Zhejit. (Ndoshta nxitova, por i thashë se mund të bëja një roman, duke e patur atë personazh. “E bën, – tha. – Dhe ti ende s’më ke njohur, por unë mund të t’i jap të gjitha.” “Atëherë atë roman s’do ta kem bërë unë, po ti”, thashë. “Jo”, kundërshtoi ai, “ta bësh ti, sepse ti ke mundësi ta bësh. Kurse emrat tanë nuk kanë asnjëfarë rëndësie. Ti mund ta bësh pikërisht se nuk i di të gjitha. E fortë loja! Unë e kam topin dhe ta jap ty, ty që ke mundësi ta bësh gol. Kjo ka rëndësi!”)
Pas leximit të “Arkipelagu Spiritus” (2014), duke bërë njëfarë krahasimi për fundin e personazhit kryesor, Rudolf Marku ka përmendur edhe Faustin. S’më kishte shkuar ndër mend kur e shkrova romanin. Aq më pak mund të më shkonte tridhjetë vjet më parë, teksa shkruaja “Ylli i plakave” (janar-shkurt 1985). Por duket se intuita e shkrimtarëve është vetëvepruese. Babushi Gëte, kur ia doli të realizonte kryeveprën e tij, nuk i bëri në një, por krijoi dy figura veç e veç, Fausti nga njëra anë, Mefistofeli nga tjetra. E pra, Petro Zheji ishte i parrokshëm, prandaj dhe i papërballueshëm për mua, pikërisht pse ishte Faust dhe Mefisto bashkë.
Kështu, në vend të romanit, shkrova aso kohe një novelë. Me rezistencë nga redaksia dhe me dashamirësinë e P. Mishës, me pak prekje taktike e ndonjë heqje, u botua në vëllimin “Eklips dhe proza të tjera” (1987). E ribotova te “Pika drite në Eklips” (2012).
Ka në atë novelë dy protagonistë që plotësojnë njëri-tjetrin, por me realen e tyre të fshehur. Ardian Muslia jam unë, Pirro Zhegu është Petro Zheji. Shkrimtari Ardian Muslia (im atë quhej Musli) ndihet i sëmurë, ka rritje të gjëndrave limfatike (e kam kaluar atëherë këtë sëmundje), është i pakënaqur me krijimtarinë e tij sepse kërkon diçka tjetër (e kërkoja), ndien mall për shoqet e nënës dhe udhëton drejt Shkodrës (vendlindja ime). Atje u bën vizita plakave të mëhallës (i kam bërë). Po cilat janë dhe çfarë përfaqësojnë marrëdhëniet e tij me Petro Zhejin, allias Pirro Zhegun, personazhin për të cilin shfrytëzova shënimet që kisha mbajtur? Janë si marrëdhëniet e stuhisë me motin e vrenjtur. Fuqia e saj e ndihmon qiellin të shkarkohet e të kthjellet pastaj. Ja dy fragmente të shkëputura, qoftë për test të karakterit. I pari ka të bëjë me një zhgënjim sarkastik, kur Pirro Zhegu shpërthen:
“Ke dëgjuar ndonjëherë për ata derrat që përdoreshin në Luftën e Parë Botërore? Në fushat e minuara, më parë se të kalonte këmbësoria, lëshonin derrat. Kafshët e mjera vërshonin përpara me vrap, shkelnin nëpër mina dhe i bënin të pëlcisnin. Ato vërtet i çminonin fushat, por hidheshin vetë në erë. Nganjëherë, një derri të tillë i ngjan edhe ai që, i joshur nga e reja, kuturis të shkelë i pari mbi minat e kërkimit dhe vë veten në rrezik për t’i hapur udhë një turme parazitësh… Ha-haaaa!”
Fragmenti i dytë bazohet në vizitën që, bashkë me Ndoc Gjetjen, i pata bërë Zhejit në Allias: “Ai vuri mbi tryezë bagazhin e zakonshëm të udhëtimit, çantën me libra, si të ishte çantë e ndihmës së shpejtë. Pas kësaj qeshi me zë të lartë, duke harruar se ndodhej në publik. Pastaj brofi më këmbë dhe i tha Ardian Muslisë: “Ta kam zili, or mik.” “Çfarë më ke zili?”, u habit Ardiani. Dhe Pirro Zhegu: “Sëmundjen pra, nëse mund ta quajmë kështu gjendjen tënde.”
Atij i ndërroi shprehja e fytyrës dhe që nga balli i zbriti një hije, e cila ia errësoi tiparet. Ardian Muslia e ndjeu se atë çast në kokën eshtërmadhe të Pirro Zhegut, të ngjashme pak me kokën e kaut, po merrte jetë një mendim i ri. Çdo embrion i një jete fillestare del në dritë duke depërtuar përmes errësirës, ngulmonte shpesh miku i tij.
Ai nuk është më këtu, mendoi Ardiani, është ngjitur në re, në qiellin e vet. “Pa ulu, ulu të lutem”, i tha duke treguar karrigen.
Megjithëse i foli me butësi, iu duk se do të merrte po atë përgjigje si atëherë, pesë ose gjashtë vjet të shkuara. Ajo kishte qenë vizita e parë në shtëpinë e Pirros. Ardian Muslia nuk kishte njohur gjithë apartamentin në atë pallat, që ishte ndërtuar me parafabrikate betoni, por kishte parë dhomën e tij. Dhe i kishte ardhur për të qeshur, sepse kishte gjetur aty “dërrasën e zezë” të Floberit. Dhoma ishte thuajse e zhveshur, një tavolinë, një divan me mbulesë damasku dhe një etazher i lartë, ku mbante fjalorë dhe enciklopedi. Një pjesë e murit, pjesa përballë divanit, ishte patinuar dhe lyer me bojë të zezë. Pirro Zhegu qëndronte më këmbë, me kalemin e shkumësit në dorë, shkruante dhe prishte, pastaj shkruante përsëri. Flokët e pabindur i hallakateshin, si prej asaj furtunës që kishte në kokë. Asgjë sikur nuk ekzistonte më për atë, përveç gjuhës shqipe dhe sanskritishtes. Në fytyrë i kishte rënë një hije mistike, që Ardian Muslisë i bëhej se i vinte së largu dhe i jepte një mundim, i cili ia errësonte tiparet. Por ishte një mundim plot shpresë. Polifemi jetonte çastin e kthimit të dritës së syrit. Tashti shihe çfarë kam shkruar, thoshte, kjo glosë… ja dhe kjo glosë! Pirro Zhegu këmbëngulte se disa fjalë të sanskritishtes mund të shpjegoheshin vetëm nëpërmjet shqipes. Daru – dru, asthi – ashti, përsëriste si një sfinks i lashtë enigmën e vet. “Pa ulu, ulu”, i thoshte Ardiani. Ndërsa ai: “E përse të ulem? Jo, nuk dua të zbres, ky është qielli im dhe këtë e pushtoj më lehtë!” Dhe zgjaste duart ndaj dërrasës së zezë, njërën për të shkruar, tjetrën për të fshirë. Lëvizja e krahëve dukej sikur e mbante vërtet lart dhe Ardian Muslia mendonte se ai njeri…”
Panairi i librit, Gjenevë
Në Gjenevë, me Petro Zhejin në mendje, ndërsa po kërkoja pavionin e konferencës nëpër panair, më doli përpara piktorja Natasha Bega, e cila atëherë kishte emigruar në Zvicër. E mora me vete, duke ngulmuar ta gjeja patjetër Andre Brink-un. Dhe më në fund e gjetëm, por konferenca kishte mbaruar. Duke pyetur, e identifikuam shkrimtarin në largim e sipër. Iu paraqita menjëherë për t’i dhënë lajmin. E dinte ai se “Një stinë e thatë dhe e nxehtë” ishte botuar në gjuhën shqipe?
Vërejta se, përveçse nuk e dinte, lajmi iu duk i gëzueshëm. Kishte aty menaxherin e tij dhe prita që ky “të protestonte” për botimin pirat të “Naim Frashërit”. Por nuk bëzajti. Atëherë gjithë vëmendjen e përqendrova te përkthyesi. I thashë autorit se kishte qenë me fat, libri i tij ishte shqipëruar nga një përkthyes i madh. I thashë se Petro Zheji kështu, Petro Zheji ashtu, studiues, mendimtar, enciklopedist si francezët e dikurshëm. Akademik? Jo zyrtarisht akademik, por publikisht edhe mit edhe mik, një superashik i letrave të përbotshme… Brink-u dëgjonte. Veçse, për shkak të neutralitetit të tij gjithnjë të ngurosur, dreqi e di pse të vinte të haje veten me dhëmbë. Petros sonë s’i kishte shkuar nami deri në Afrikën e Jugut, prej nga vinte shkrimtari. Dhe s’kishte faj afrikani i bardhë, por ne patriotët shpirtzinjë.
Megjithatë, vetiu më erdhën në majë të gjuhës Servantesi, Tolstoi dhe Asturiasi, por këta emra nuk i shqiptova zëshëm para autorit. Vetëm i kujtova: “Një përkthyes i madh, por jo dhe një roman i madh. Sipas meje, ju keni një vepër më të mirë.” “Cila është?”, pyeti kureshtar Brink-u. Sapo përmenda “Une silence…”, më ndërpreu. Dukej se e kishte më për zemër romanin tjetër. Dhe ishte e drejta e tij. Por nuk e përtypja dot mungesën e kureshtjes për përkthyesin, ndërkohë që vazhdonte të mbrohej, duke thënë se “Një stinë…” ishte përkthyer në kaq e aq gjuhë të botës, se romani ishte bërë film, se në film kishte luajtur një mbret i ekranit si Marlon Brando, etj. Medet, bluaja me vete, medet që s’është këtu ai “mbreti” ynë shafitës, për t’iu drejtuar auditorit me një ligjëratë simultane në dhjetë gjuhë. Do të shihnim pastaj se si gjatë pelegrinazhit linguistik drejt gjenezës, duke kaluar referencë më referencë, çfarë turbulancash do të prafullonin në konferencë… “E fortë loja!”, më mbërriti jehona nga larg.
U ndamë miqësisht me Brink-un, më dha kartëvizitën dhe shfaqi dëshirën për një kopje të romanit në shqip. Ia premtova aty për aty. Por kur u ktheva, s’di pse, ende më kishte mbetur një peng. Ndoshta ky ishte shkaku që m’i lidhi duart për ca kohë. Një ditë e hoqa librin nga rafti i bibliotekës sime, vajta në postë dhe e nisa për në Kep Taun. Nuk vonoi dhe më erdhi një zarf prej atje. Ishte një letër normale, me të thatën që ka standardi, por nuk mungonte as shpuza e nxehtë ndaj pengut tim.
O Zot, në vend të mirënjohjes për përkthyesin, falënderohej dërguesi!
De Profundis
Po përse, përse nuk e mbyll këtu tashmë?! Përse po këmbej pikën (punto) me urën (ponte)?!.. Po kaloj te libri “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”. Prej tij më vjen ky pasazh:
“Duhet të kenë qenë vitet 1984-87, kur bëja ca biseda intime me Petro Zhejin… Hidh e prit, një natë biseda na çoi tek ameba njëqelizore, qenia e parë e gjallë ndër gjallesat. Qeniet e tjera, pra shumëqelizorët e mëvonshëm, e kanë amebën përbrenda. (Njëshi krijoi gjithçka nga hiçi, e kam hasur më vonë këtë shprehje të Lajbnicit për ta pohuar tashti në këtë konteskt.) Edhe njeriu brenda vetes e ka amebën, sado të ndrydhur e të transformuar, po thoshim ne. Mirëpo ndodh që, herë te njëri dhe herë te tjetri, njëqelizori zgjohet papritur, trembet, mahnitet nga shtypja e hatashme që i është bërë dhe, në furinë e tërbimit, u vërsulet për t’i ngrënë qelizave që e rrethojnë. Ha e ha, vjen duke u fryrë, bëhet një varr kolektiv, një tumul, një tumor… Ne ishim letrarë, luanim kështu me metaforën dhe parabolën. Sipas nënkuptimeve që nuk i shqiptonim, nëpërmjet hakmarrjes dhe pushtetit të njëqelizorit primitiv, aludonim për diktaturat moniste që janë të papajtueshme me pluralizmin.”
Por në atë libër, duke shkruar për tim bir në onkologjikun e Parmës, janë dhe këto rreshta:
“Ai burrë u përlot rrallë, fort rrallë dhe doemos fort butë. Për këtë kam tri dëshmi, në njërën nuk kam qenë i pranishëm. Ditën e dytë që ishte shtruar në spital, kujton Lona, kur po ndaheshim tek ashensori, kishte lot në sytë e tij dhe këtë s’ia harroj. Kujtoj edhe unë se, kur ia çuam Livian në spital, bijëzën që sapo kishte lindur, ajo e bardha e syve të tij të mëdhenj u plasarit si një kristal, u bë gjithë bulëza. Pse ta mbaj të tretën? Edhe kur po vdiste, ia kemi parë dy sumbulla lotësh që po i rrëshqisnin nëpër faqe. O Zot, ne po qanim për Dritanin, kurse ai qante për ne!”
I shtrenjti Petro, m’ia ço djalit matanë një Mirupafshim. Ishte përkthyes si zotrote dhe të adhuronte në të gjallë. Me vdekë, po, është detyrë. Por si çdo detyrë, përveç angarive, ka edhe ritet e veta. Për një baba që e shihte skenën, kur yt bir ta kumtonte gjithë drithërimë Lamtumirën te varri, ishte sa një radhë hyjnore, po aq përmbushje prindërore. Por po them gjithashtu kënaqësi ose, siç do të thoshim të dy bashkë, ishte edhe qejf. Qejf në zi, mik i ndjerë!.. E mos harro pra, im bir nuk e pati këtë fat.
Gazeta "Mapo"