Gjergj Luca dhe Bled Mane në janar 2026 vijnë me podcastin tronditës “Allishverishi”, që do të tronditë Shqipërinë me të vërtetat pa filtra

Nga Albert Vataj
Sipërmarrësi Gjergj Luca, një nga zërat më autentikë të reagimit publik dhe figurë e lidhur ngushtë me sfidën e punës, disiplinës dhe suksesit, nuk e sheh të përmbushur misionin e tij vetëm me ndërhyrje sporadike në rrjetet sociale për çështje të ditës. Ai ka sinjalizuar një fazë të re komunikimi publik, duke njoftuar përmes një videomesazhi, së bashku me gazetarin antikonformist dhe polemistin e njohur, Bled Mane, një rikthim të fuqishëm në skenë, të menduar, të strukturuar dhe me ambicie më të larta ndikimi.

Këtë herë, Luca nuk vjen thjesht si individ që reagon, por si pjesë e një tandemi editorial. Përkrah Bled Manes, ai synon të hapë një hapësirë të re ballafaqimi me publikun: përmes medias, përmes dialogut të drejtpërdrejtë dhe përmes nevojës për të futur një risi në komunikimin publik.

Projekti që po ndërtojnë synon të imponojë një zë të ndryshëm, të pakompromis, në vetëdijen e opinionit shqiptar, një zë që nuk mjaftohet me retorikë, por kërkon të artikulojë përgjegjësi, transparencë dhe të vërteta që rrallë thuhen.

Dy figura të ndryshme në profil, por të bashkuara nga një ide e vetme, ta thyejnë rutinën e fjalës publike dhe ta kthejnë Fish City, jo vetëm në qytetin e punës dhe të vërtetës, por edhe në epiqendrën e një mediaje të lirë, kurajoze dhe pa kompromis.
Nga kjo nismë lind “Allishverishi”, një podcast që premton të shkundë opinionin, jo vetëm në qytet, por në mbarë vendin. Do të jetë një hapësirë dialogu ku fjala nuk filtrohet nga interesat, ku temat nuk shmangen dhe ku e vërteta trajtohet pa zbukurime.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në mikrofonat e Lucës dhe Manes do të ulen njerëzit e punës, sipërmarrës, personalitete publike, politikanë dhe figura që zakonisht nuk e kanë pasur fjalën e tyre në qendër të vëmendjes. Secili do të ftohet të thotë versionin e vet të realitetit, pa frikë dhe pa autocensurë.
“Gjatë festave hani gjelin e detit, shijoni bakllavanë dhe ngrini gotat me gëzim,”, paralajmëron me humor Bled Mane. “Sepse në janar do t’ju duhet të digjni kaloritë dhe të qëndroni zgjuar me podcastin më të ri dhe më tronditës: ‘Allishverishi’.”
Mes stilit të drejtpërdrejtë të Gjergj Lucës dhe energjisë polemizuese të Bled Manes, secili i ftuar do të ndihet i lirë të flasë. Dhe publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë më shumë se sa thjesht lajme: do të dëgjojë prapaskena, rrëfime personale, përvoja suksesi dhe dështimi, të gjitha të vendosura në një prizëm që nuk kërkon të manipulojë, por të dëshmojë.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Allishverishi” synon të bëhet jo thjesht një format mediatik, por një kulturë e re bisede, pa patetikë, pa frikë, me respekt për inteligjencën e publikut dhe me bindjen se e vërteta nuk frikësohet nga drita.
Në janar, qyteti i punës hap derën për qytetin e fjalës së lirë. Dhe ky është vetëm fillimi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?