Gjermania dhe gjenocidi ndaj armenëve

Gjermanët dinin çdo gjë – dhe nuk ndërmorën asgjë: Ata qenë krejtësisht e informuar për politikën shfarosëse të Perandorisë Osmane ndaj popullsisë armene në vitin 1915 ku humbën jetën deri në një milionë vetë.

Më 29 shtator 1916 diplomati gjerman Gottlieb von Jagow raportoi në Rajshtag për ngjarjet e tmerrshme që lidheshin me dëbimet masive dhe vrasjet që ndodhën në Anadoll në territorin e Perandorisë Osmane. Perandoria gjermane ishte atje fuqi koloniale dhe aleate e qeverisë osmane, e cila kishte filluar një vit para fillimit të Luftës së Parë Botërore me dëbimin masiv të armenëve të krishterë. "Ne bëmë gjithçka që mundëm" e mbrojti Jagow-i qëndrimin pasiv të gjermanëve.

Pikërisht kjo mbyllje e syve ndaj vrasjeve masive ishte tani temë e një një kongresi ndërkombëtar historianësh. Që perandoria gjermane ishte e përfshirë në dëbimin e armenëve, konsiderohej në mesin e historianëve për një kohë të gjatë si fakt. I diskutueshëm qe megjithatë, roli i gjermanëve. A ishin vetëm dëshmitarë – apo madje edhe bashkëpunëtorë? Sipas vlerësimeve prej këtij gjenocidi gjetën vdekjen 300.000 deri në 1.5 milionë armenë. Në Armeni kjo fatkeqësi quhet "aghet" – gjenocid. Kurse në Turqi shteti pasues i Perandorisë Osmane i konsideron deri sot zyrtarisht vuajtjet e atyre ditëve si një "zhvendosje për shkak të luftës dhe si masë sigurie". Turqia e mohon edhe numrin e viktimave dhe ky qëndrim e pengon deri sot pajtimin mes dy vendeve.

Gjermanët dinin çdo gjë dhe nuk ndërmorën asgjë

Historiani armen Ashot Hayruni nga Universiteti i Erivanit mendon se gjermanët janë bashkëfajtorë, sepse ata kanë heshtur dhe mbyllën sytë para gjenocidit të përgjakshëm. Qeveria gjermane bëri sehir kur qeveria xhonturke filloi të zbatonte planin e saj për shpërnguljen masive të armenëve në shkretëtirat e Mesopotamisë. Edhe pse gjermanët kishin informacione mjaft të mira, ata thanë se nuk duan të përzihen në punët e brendshme.

Edhe studiuesja Christin Pschichholz nga Universiteti i Pocdamit mendon që "qeveria gjermane qe krejtësisht e informuar për politikën shfarosëse të Perandorisë Osmane ndaj popullsisë armene. Sipas studimeve të saj në arkivin e Ministrisë së Jashtme Gjermane, diplomatët gjermanë i kishin shënuar me skrupolozitet të gjitha ato që shihin: aksionet e vrasjeve masive, të ekzekutimeve dhe të punës së detyruar. Mjaft domethënës është një mesazh që dërgon ambasadori gjerman në Kostandinopojë më 7. korrik 1915 për kajzerin, ku thuhet se qeveria osmane synon "shfarosjen e racës armene në Perandorinë Osmane". Edhe sot në Gjermani reflektohet kjo përgjegjësi e atëhershme. Për të mos rrezikuar marrëdhëniet me Turqinë, që është partnere e NATO-s, përfaqësuesit e qeverisë gjermane nuk e përdorin fjalën "gjenocid" po flasin për "masakër" apo "shpërngulje".

Qëndrimi i pavendosur

Para një viti, kryeministri turk Recep Tayyip Erdoğan e theu heshtjen shumëvjeçare të Ankarasë zyrtare dhe u kërkoi falje pasardhësve të viktimave. Ai u shpreh për "pasoja çnjerëzore" por jo për gjenocid. Sipas studiuesve ajo që ka ndodhur me armenët është gjenocid, sipas përfytyrimeve të Konventës së OKB-së të vitit 1948.

Edhe parlamenti gjerman u mor para dhjetë vjetësh me dëbimet masive dhe vrasjet ndaj armenëve. Në deklaratën zyrtare u tha pas shumë ngurimesh se gjermanët kërkojnë falje për "rolin e palavdishëm të Perandorisë Gjermane", por fjala gjenocid nuk u përmend. Ashot Hayruni mendon se qeveria gjermane dhe parlamenti të dalin me një deklaratë që ta pranojnë gjenocidin si të tillë dhe ta dënojnë atë, dhe të ndikojnë ndaj Turqisë që edhe ajo të ndryshojë qëndrim. Sipas vëzhguesve, qeveria gjermane edhe në festimet e 100 vjetorit të gjenocidit ndaj armenëve, më 24. prill, do të dërgojë atje vetëm ambasadorin, ndërkohë që Franca do të përfaqësohet nga presidenti Francois Hollande. Sipas historianit Jürgen Gottschlich, ky është një skandal.

DWelle

SHKARKO APP