Gjiknuri: 690 biznese kanë thyer aktmarrëveshjet me OSHEE-në

Numri i bizneseve që ka thyer aktmarrëveshjen me kompaninë e shpërndarjes së energjisë OSHEE, është tejet i lartë. Sipas të dhënave, janë plot 690 bizneseve që i kanë thyer ato. Për këtë arsye, OSHEE-ja kërkon që të rikthehet ose të aktivizohet përmbarimi.

Nga ana e tij, ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri lidhur me një fakt të tillë deklaroi se këto biznese e kanë shkëputur në mënyrë të njëanshme këtë marrëdhënie dhe ndaj tyre do të fillohet me procedurat ku nuk përfshihet vetëm ndërprerja e energjisë elektrike, por dhe vendosja e barrës hipotekore, e cila ndalon transferimin e pronësisë pa likuiduar detyrimet ndaj Operatorit të Shpërndarjes.

“Do të fillojë të vihet në zbatim legjislacioni i ri i energjisë elektrike që ka të bëjë me vendosjen e barrës hipotekore për të gjithë ato biznese që kanë një vlerë detyrimi të prapambetur mbi 1.5 milionë lekë të reja. Do të fillojnë njëkohësisht të gjitha procedurat përmbarimore për të vjelur këto detyrime ndaj të gjitha bizneseve që kanë thyer aktmarrëveshjet. Përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje bizneseve pasi kanë njoftim, kanë afat 5 ditë kohë nga njoftimi për të rilidhur kontratën dhe të vazhdojnë me këstet e lehtësirat që janë krijuar nga aktmarrëveshja. Përndryshe do të penalizohen në mënyrë të menjëhershme pasi nuk është normale që qytetarët të tregohen të rregullt ndërsa bizneset të devijojnë nga lehtësirat që u ka krijuar shteti”, tha ai.

Të dhënat u bënë të ditura nprej tij dhe administratorit të OSHEE-së, Ardian Çela, gjatë inaugurimit të përfundimit të investimit 600 mijë euro për ndërtimin e rrjetit të ri 20 kV në zonën e ish-Nisherakut në Tiranë. Investimi përmirëson cilësinë e furnizimit për 15 mijë abonentë ndërsa prek një zonë të rëndësishme që shtrihet nga Selita, një pjesë e Komunës së Parisit, zona rreth Vasil Shantos, Bulevardi “Gjergj Fishta” dhe zona e ish-nisherakut.

SHKARKO APP