Gjiknuri fton investitorët e huaj të bëhen pjesë e kërkimit të naftës

Në Tiranë nisi të martën samiti dyditor “Albania Oil, Gas & Energy 2015″ me pjesmarrjen e disa prej kompanive më të njohura botërore në fushën e energjisë.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri duke prezantuar potencialet që ka Shqipëria, ftoi investitorët e huaj të bëhen pjesë e kërkimit të naftës, duke shfrytëzuar edhe avantazhin që ofron Shqipëria, sa i takon kuadrit ligjor, klimës ndaj biznesit si dhe lehtësive fiskale që ofrohen për investitorët e huaj.
Përtej zhvillimeve jo pozitive të tregut të naftës, gjithsesi në Shqipëri ka patur sinjale pozitive në këtë drejtim. Për këtë ai i referohet zbulimit të fundit të Shell Petromanas ku vetëm nga pusi i Shpiragut 2, u arritën kapacitetet rreth 1300 barrela në ditë si dhe gazin që e shoqëronte. “Ky zbulim materializoi përpjekjet e mëdha të kompanive që kanë operuar prej vitesh në Shqipëri dhe në të njëjtën kohë kanë hapur një prespektivë reale për kërkimet në det dhe në tok.

Prodhimi i naftës bruto në Shqipëri gjatë vitit 2014, arriti në 1.4 milionë ton nga 1.2 milionë ton që ishte në vitin 2013. Industria përpunuese u zhvillua më tej ku në vitin 2014 u përpunuan 260 mijë ton naftë në vitin 2015, kjo shifër pritet të arrijë në 700 mijë ton naftë të përpunuar në Shqipëri.

Duke shprehur bindjen se Shqipëria ka potencial të pazhvilluar, ministri iu referua faktit historik . Në vitin 1974, sipas tij, prodhimi i naftës bruto arriti 2.2 milionë tonë, gati dyfishi i asaj që nxirret sot. Studimet e hershme gjeologjike, vijoi Gjiknuri, sygjerojnë se rezervat e naftës dhe gazit arrijnë rreth 300 milion tonë nga të cilat 40 milionë tonë janë lehtësisht të nxjerrshme.”

Aktualisht në Shqipëri janë 13 blloqe të lira në tokë dhe në det ku mund të kërkohet për rezerva nafte dhe gazi. Vetëm pak ditë më parë Parlamenti miratoi ndryshimet ligjore që i japin mundësi ministrisë, përmes AKBN-së, të fillojë të japë këto zona për kompanitë e interesuara.

Në dritën e këtyre zhvillimeve, shumë shpejt MEI do të fillojë procedurat për dhënien e 3 blloqeve të para për kërkim për shoqëritë e interesuar nëpërmjet procedurave kompetitive, duke synuar afrimin e shoqërive më serioze e që mund të përballojnë investimet në kërkimet e reja në Shqipëri. Kjo do të evitojë dështimet e së kaluarës, ku blloqe nafte iu dhanë aktorëve jo seriozë, të cilët nuk ishin në gjendje të realizonin angazhimet e marra”, tha Gjiknuri.

Sipas tij, qeveria do të angazhohet të kryejë sizmikën e blloqeve të lira detare me qëllim përgatitjen e bazës së nevojshme të të dhënave për të realizuar ankandet e blloqeve të lira në det.

“Ftoj kompanitë e interesuara që ndodhen në këtë sallë apo jashtë saj të bëhen pjesë e këtij procesi, duke shfrytëzuar pse jo edhe avantazhin që ofron Shqipëria për eksplorimin e hidrokarbureve. Vendi ynë garanton kuadër ligjor fleksibël që mundëson zhvillimin e aktivitetit hidrokarbur në një mjedis miqësor ndaj investitorëve të huaj. Ekzistojnë klauzola të stabilitetit fiskal të cilat mbrojnë investitorët e huaj nga ndikimet ekonomike negative apo për shkak të ndryshimeve të kuadrit ligjor. Sipas legjislacionit fiskal, kompanitë kanë terma tërheqës fiskal gjatë fazës së eksplorimit ku përjashtohen nga TVSH-ja, ndërsa ekziston mundësia e rritjes së periudhës së kërkimit me 7 vjet dhe prodhimit nga 25 deri 30 vjet, informoi ministri Gjiknuri.

Paralelisht me nxitjen e investimeve në kërkim-prodhim të lëndëve hidrokarbure, ai bëri të ditur se Shqipëria po ndërmerr hapa për diversifikimin e burimeve energjike.

Vendi ynë e vijoi fjalën ministri Gjiknuri, është bërë pjesë e projekteve strategjike si TAP apo Jonian Adriatic Pipeline. I pari, shpjegoi ministri, sjell gazin e Shah Denizit në tregjet europiane, ndërsa i dyti synon të lidhë sistemin shqiptar apo këtë gazsjellës me vende si Kroacia, Mali i Zi apo Bosnja Hercegovina, duke e kthyer Shqipërinë edhe në një hap energjitik rajonal.

“Kemi nisur punën për hartimin e masterplanit me mbështetjen e BE-së si dhe marrëveshjes bilaterale që kemi me qeverinë e Azerbajxhanit për të përfunduar studimin e plotë të tregut të gazit në Shqipëri. Kreu i MEI-t tha se ne kemi angazhimin për të marrë vendimet e drejta duke iu besuar shfrytëzimin e burimeve hidrokarbure kompanive të cilat kanë mundësinë financiare dhe ekspertizë për të pasur suskes, i cili përkthehet njëkohësisht edhe në rritje të investimeve të uaja për Shqipërinë por edhe më shumë të ardhura për buxhetin dhe qytetarët shqiptarë.

SHKARKO APP