Gjiknuri: Interkonjeksioni me Kosovën, inaugurohet në qershor
Linja e interkonjeksionit 400 kilovolt mes Shqipërisë dhe Kosovës përfundon në mesin e muajit qershor.
Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri i cili së bashku me administratorin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Engjëll Zeqo inspektoi punimet për vendosjen e shtyllave të fundit në segmentin Koman-Fierzë.
Administratori i OST, Zeqo deklaroi se gjithësej janë 4 shtyllat e fundit për të mbaruar. Sipas tij, pjesa tjetër është shtrirja e përcjellësit, e cila deri më sot ka mbaruar rreth 30 kilometra dhe është planifikuar për të përfunduar e gjitha në fillim të qershorit.
“Është një nga investimet më të rëndësishme që OST po kryen në këto vitet e fundit ku së bashku me linjën e Podgoricës rrit shumë gatishmërinë e sigurinë e furnizimit, rrit besimin jo vetëm tek tregtarët dhe prodhuesit e energjisë por edhe tek vendet fqinje pasi është një element më i lartë sigurie për pjesën e Ballkanit”, u shpreh Zeqo.
“Po bëjmë unifikimin fizik të tregut energjitik shqiptar me tregun energjitik Kosovar. Ajo që e kemi quajtur ‘autostrada energjitike’ do të fillojë të funksionojë. Do të ketë avantazhe për të dyja vendet për shkak të natyrës së prodhimit të energjisë që kanë ata, me qymyr dhe natyrës sonë hidrike. Forcon lidhjet e Shqipërisë me rrjetin ndërkombëtar, duke e bërë Shqipërinë të avantazhuar në shumë drejtime si nga pikëpamja e tregtimit të energjisë, nga pikpamja e sigurimit të furnizimit, por mbi të gjitha do të sjellë siguri më të madhe edhe nga pikëpamja tarifore për konsumatorët shqiptarë sepse mundësitë e mëdha të tregtimit dhe shkëmbimit të energjisë sjellin stabilitet në çmime”, nënvizoi Gjiknuri.
Ministri Gjiknuri njoftoi se do të vazhdohet edhe me projektet e tjera ndërsa vitin e ardhshëm fillon linja me Maqedoninë për të cilën është siguruar tashmë financimi.
“Këto janë zhvillime shumë të rëndësishme për sistemin elektroenergjitik shqiptar gjë që e bën atë akoma më solid. Një sistem i cili po thith akoma më shumë investime dhe po krijon platformën e nevojshme edhe për investime private, një shtyllë e qëndrueshme për zhvillimin ekonomik”, vlerësoi Gjiknuri.
Linja e re e interkojneksionit 400 kV Tirana2 – Kosova b është financuar nga qeveria e Republikes Federale Gjermane nëpërmjet Bankës KfW, me një vlerë prej 42 milion Euro për pjesën shqiptare të projektit. Linja 400 kV do të ketë një gjatësi prej 242 km nga të cilat 155.5 km në territorin e Shqipërisë dhe pjesa tjetër rreth 90 km në territorin e Kosovës. Projekti, përveç rritjes së kapacitetit të shkëmbimit të energjisë elektrike dhe besueshmërisë së rrjetit në rajon, do të mundësojë shfrytëzimin optimal të burimeve të përbashkëta të prodhimit të energjisë elektrike të Kosovës dhe Shqipërisë duke patur parasysh natyrën komplementare të tyre.