Gjiknuri: Konfliktet me pronat marrin zgjidhje nga reforma në drejtësi

Himara dhe Dhermiu ishin ndalesa e rradhës e drejtuesit politik të Qarkut të Vlorës Damian Gjiknuri në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit. Gjatë bashkëbisedimit të zhvilluar me banorët, Kryebashkiaku Jorgo Goro deklaroi se është me shumë rëndësi fitorja e Partisë Socialiste dhe Edi Ramës Kryeministër për vazhdimësinë e investimeve në zonë.

“Është e rëndësishme që këto projekte që kanë filluar, të vazhdojnë edhe më tej. Nëse këto projekte nuk do të financohen nga qeveria, ky shesh, ky zhvillim, ai ujë i Kuçit për të cilin jemi ende në procesin e diskutimeve, këto rrugët që kanë filluar, këto fshatra që kemi filluar ti kthejmë në identitet, sheshet që kemi filluar të ndërtojmë, të gjitha do të mbesin në mes të rrugës”, theksoi Goro.

Drejtuesi politik Damian Gjiknuri vlerësoi qëndrimin e Partisë Socialiste në mbështetje të reformës në drejtësi.

“Reforma në drejtësi do të japë përgjigje edhe shumë problemeve e padrejtësive që ka pësuar zona e bregut. Një drejtësi e pastër dhe me gjyqtarë të rregullt do të zgjidhë shumë nga konfliktet individuale që janë krijuar këtu shpesh herë nga mungesa e dokumentacionit, falsifikimeve, korrupsionit në drejtësi e shumë e shumë probleme tjera”, u shpreh Gjiknuri.

Më tej, ai komentoi edhe çështjen e qeverisjes së ardhshme të pas 25 Qershorit. “Tani kanë dalë teori thonë duam të jemi edhe ne pjesë e timonit. Por mirë, mund të jesh pjesë e timonit por jo sa herë unë eci drejt ti të më kthesh timonin siç ka ndodhur me aleatët tanë në qeverisje”, tha Gjiknuri.

SHKARKO APP