Gjiknuri: Kudhësi destinacion turistik
Në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit, drejtuesi politik i Qarkut të Vlorës Damian Gjiknuri ishte në fshatin Kudhës.
Kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro u ndal në fjalën e tij tek projektet e investimit që janë realizuar gjatë viteve të fundit në këtë fshat.
“Ne ndërhymë në pothuajse të gjithë sistemin e shtëpive, rrugicave të kësaj zone këtu. Projekt i cili me mbështetjen që duhet ti jepni ju, me mbështetjen që duhet ti japim ne qeverisë së re duhet të mos ndalojë. Ne kemi gati edhe projektet e tjera për të vazhduar dhe ndërhyrë në të gjithë fshatin, në modelin që ne kemi këtu përpara, në modelin që ne kemi prezantuar dhe në këtë model që është shumë i rëndësishëm të jetësohet për këtë fshat duke e kthyer në një pikë të veçantë turistike”, premtoi ai.
Ndërkaq, Gjiknuri tha se përspektiva e fshatit është tashmë më e qartë për shkak edhe të një investimi mjaft të rëndësishëm si rruga e Lumit të Vlorës.
“Kudhësi ka një fat sepse është shumë afër detit dhe do të ketë edhe një infrastrukturë rrugore shumë të mirë. Ju e dini se tashmë ka filluar edhe rruga e Lumit të Vlorës e cila do të lidhë edhe Qeparoin me pjesën në Kudhës dhe do ta afrojë shumë edhe me Tiranën. Kudhësi nuk do jetë më shumë se 2 orë nga Tirana dhe shumë e shumë njerëz do vijnë ta vizitojnë këtë vend të mrekullueshëm. E kam vënë re se shumë turistë vendas e të huaj kanë nisur ti vizitojnë këto fshatra dhe do keni një përspektivë të mrekullueshme”, nënvizoi Gjiknuri.
Duke ju referuar viteve të ardhshme, Gjiknuri tha se janë nënkontraktuar 8.5 milion euro për ndryshimin e rrjetit elektrik në gjithë bregdetin e jugut ku përfshihet dhe Kudhësi. “Kuptohet, Himara e Dhermiu kanë pësuar përmirësime të mëdha por patjetër do të përfshihet edhe ky fshat e furnizimit me energji do ta keni shumë më të mirë. Do vazhdojnë edhe investimet në ujësjellës, sepse mundësitë janë për të marrë ujin dhe projekti tashmë është i përfunduar me kfË dhe do të fillojë duke përmirësuar cilësinë e jetës”, u shpreh Gjiknuri.