Gjiknuri me emigrantët në Greqi: Vota juaj me rëndësi që PS të qeverisë e vetme
Drejtuesi politik i Qarkut të Vlorës Damian Gjiknuri ka kërkuar votën e emigrantëve shqiptarë në Greqi për zgjedhjet e 25 qershorit. Gjiknuri bëri thirrje për një mbështetje masive me synim bërjen të mundur që Partia Socialiste të qeverisë e vetme.
Gjiknuri: Ne po ju themi shqiptarëve na jepni mundësinë, na vini në provë të qeverisim të vetëm. Na jepni mundësi të mos kemi njerëz që na mbajnë. Ka dalë metafora e timonit, po more makina ka një shofer dhe një timon. Nëse një njeri tjetër ta vë dorën tek timoni dhe ka mendje tjetër për ta kthyer, patjetër që makina do gremiset ose do dalë nga rruga e duhur. Të bëjmë një kontratë që dikush të mbajë përgjegjësi, jo të dalin të gjithë tjerët kritikojnë qeverinë kur janë brenda në qeverisje.
Për të bërë të mundur vazhdimin e reformave pa pengesa, Gjiknuri u shpreh se është e domosdoshme që çdo emigrant të kthehet në atdhe për të votuar më 25 Qershor.
Gjiknuri: Emigrantët kanë një rol kyç dhe emigracioni gjithnjë ka patur një rol kyç. E di që mund të ketë edhe zhgënjime e unë vet i pranova disa nga ato por kemi dhënë prova se dimë të bëjmë edhe më shumë. Që ta çojmë përpara këtë, na duhet vota e çdo emigranti, duhet tu thoni vëllezërve dhe motrave hajdeni në 25 Qershor sepse së paku e keni një mundësi.
Një apel të veçantë, Gjiknuri e dha edhe për minoritarët duke sqaruar se e vetmja alternativë që respekton të drejtat e minoritetit në Shqipëri është Partia Socialiste.
Gjiknuri: Ta çojnë votën tek Partia Socialiste e cila ka treguar se edhe për minoritetin ka bërë më shumë se çdokush tjetër, është garanci që do të ketë një zhvillim harmonik. Minoriteti do të ketë zhvillimin e tij dhe do të jetë një urë lidhëse midis Shqipërisë dhe Greqisë.