Gjiknuri në Azerbajxhan: Mbështesim realizimin e projektit TAP
Diskutimet për ecurinë e Korridorit Jugor të Gazit mblodhën të enjten në Baku Ministrat e Energjisë së Azerbajxhanit, Shqipërisë, Gjeorgjisë, Greqisë, Italisë, Turqisë, Bullgarisë dhe zv/presidentin e Komisionit Evropian, Maros Sefcovic.
Sipas deklaratës për shtyp të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Ministri Gjiknuri gjatë këtij takimi deklaroi se qeveria e shqiptare ka mbështetur fuqimisht realizimin e projektit të gazsjellësit TAP, pjesë e Korridorit Jugor të gazit. Gjiknuri theksoi se së fundi qeveria ka miratuar edhe kalimin e tokave shtetërore nga ku kalon tubacioni duke mundësuar tanimë nisjen e fazës së punimeve në terren për ndërtimin e rrugëve të aksesit. Në këtë linjë, Ministri insistoi se është me rëndësi të madhe që kompanitë vendase të mund të bëhen pjesë direkte e fazës së ndërtimit të rrugëve të aksesit në Shqipëri, por edhe në çdo fazë tjetër të projektit si nënkontraktorë. Një hap ky, që sipas tij do të mund të ndikonte edhe më shumë në rritjen e përfitimeve për ekonominë tonë.
“Qeveria shqiptare e sheh projektin TAP si një mundësi për diversifikimin e burimeve energjetike në vend dhe ndihmë për konsolidimin e sigurisë së furnizimit”, -është shprehur ministri Gjiknuri. Ai është ndalur dhe tek marrëveshja e nënshkruar me Azerbajxhanin dhe kompaninë shtetërore të naftës SOCAR për financimin dhe kryerjen e studimit të fizibilitetit për gazifikimin e Shqipërisë. Paralelisht do të mund të hartohet edhe masterplani i gazit në Shqipëri me fondet tanimë të garantuara nga Bashkimi Evropian.
Dy hapa këto që në vlerësimin e ministrit janë me rëndësi dhe e ndryshojnë rrënjësisht hartën energjetike të Shqipërisë, duke ndikuar gjithashtu si një shtysë e konsiderueshme për zhvillimin ekonomik të vendit.
Ministri tha se më 17 shkurt, në Tiranë do të mblidhen përfaqësues të lartë të kompanive SOCAR, BP, SHELL etj, në një tryezë ku do të diskutohet posaçërisht për çështjen e masterplanit që kontribuon në gazifikimit të Shqipërisë.
Ministri Gjiknuri zhvilloi takime me homologët e tij dhe drejtuesit e projektit TAP, kompanive SOCAR dhe BP. Ministri i Energjisë së Azerbaxhanit Natig Aliyev, në fjalën e tij deklaroi se bashkëpunimi i deritanishëm i Shqipërisë është mjaft i mirë dhe se ai do të intensifikohet me projektin e gazifikimit.
Në deklaratën e konkluzioneve të përbashkëta, ministrat theksuan edhe njëherë mbështetjen e plotë për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit Jugor të gazit si njëobjektiv i rëndësishëm në garantimin e një burimi të ri të furnizimit me gaz nga Azerbaxhani në Evropë.
Ministrat nënvizuan se siguria dhe qëndrueshmëria e linjës së transportit të gazit drejt tregjeve botërore është faktori më i rëndësishëm dhe thelbësor për një zhvillim ekonomik të këtyre vendeve. Ata ritheksuan rëndësinë e bashkëpunimit strategjik për zgjerimin e aktivitetit dhe zbatimin sa më të shpejtë të projektit të korridorit Jugor të Gazit. Mes tyre u dakordësua përpjekja për të gjetur mekanizmat sa më efiçent për të angazhuar edhe institucionet financiare evropiane për pjesë të caktuara të projektit, përfshirë krijimin e kushteve për një rregullator të qëndrueshëm dhe transparent.
Takimin e përshëndeti edhe Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliev i cili kërkoi solidaritet mes vendeve në të cilat kalon ky projekt mjaft i rëndësishëm.
Në takimin e mbajtur në Baku ishin të pranishëm edhe përfaqësues kompanitë BP, SOCAR, drejtuesit e projektit TANAP dhe TAP, përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, EBRD, IFC etj