Gjiknuri: Të krijohen stacionet e shitjes së bombolave të gazit

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri zhvilloi sot një takim me përfaqësuesit kryesorë të shoqërive të tregtimit me shumicë të gazit të lëngshëm. Temë e diskutimit ishte zbatimi i vendimit më të fundit të Këshillit të Ministrave për rregullat e reja në tregtimin e bombolave të gazit.

“Është shumë e nevojshme që ky proces të disiplinohet akoma në favor të mbrojtjes së konsumatorit por edhe në favor të biznesit të ndershëm. Jemi dëshmitarë që shpesh herë bombolat mbushen në mënyrë ilegale dhe kjo është një tregti e paligjshme, me evazion fiskal por humbasin mbi të gjitha konsumatorët”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Ministri kërkoi nga drejtori i Inspektoratit Shtetëror, Teknik dhe Industrial vënien në zbatim sa më shpejt të V.K.M-së ndërsa ftoi publikun e median të jenë gjithashtu vigjilent për të denoncuar çdo lloj abuzimi për raste ku kryhet tregtim i bombolave të gazit jashtë rregullave të caktuara me ligj.

“Stacionet e shitjes së bombolave duhet të ngrihen. Të gjitha kompanitë sh.a, qoftë ato që kanë stacione karburanti të ngrenë pikat për tregtimin e bombolave.  Do të ketë ndëshkime të ashpra për ata që nuk respektojnë tregtimin e bombolave të gazit në mënyrë të rregullt”, paralajmëroi Gjiknuri.

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të shoqërive të tregtimit me shumicë të gazit, ministri Gjiknuri tha se ato kanë përgjegjësinë tashmë për të ndjekur deri në fund sigurinë e bombolave.

“Duhet të jenë nën mbikëqyrjen tuaj. Do të thotë se nuk ka më mbushje në karburante e kjo nuk do të lejohet. Nuk do lejohen në asnjë mënyrë pasi mundësitë tanimë janë. Është bërë e mundur që tregtimi të bëhet edhe afër pikave të karburantit por jo më mbushja në ato pika. Do jetë stacioni për shitjen e bombolave, do jepet bombol boshe dhe do merret bombol e mbushur. Mbushjet do bëhen në vendet e veçanta, sipas parametrave që kërkon industria”, nënvizoi Gjiknuri ndërsa këmbënguli se duhet patjetër të jenë të çertifikuara bombolat.

SHKARKO APP