GJKKO jep dritën jeshile: SPAK të kontrollojë celularët dhe laptopët e lidhura me dosjen Balluku

Në kuadër të hetimeve që po kryhen ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, Gjykata e Posaçme, përmes një vendimi të firmosur më 19 mars, ka lejuar SPAK të kqyrë të gjithë celularët dhe pajisjet kompjuterike të sekuestruara.

Në zbatim të një vendimi të Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, prokurorët e posaçëm i janë drejtuar gjykatës për të lejuar zbërthimin e të gjitha pajisjeve që u janë marrë si personave nën hetim, siç janë ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, dhe ish-administratori i KESH, Erald Elezi, por edhe të atyre në dijeni, në mesin e të cilëve janë edhe disa biznesmenë.

Më herët, zbërthimi i celularëve bëhej pa marrë miratimin e gjykatës, por, nisur nga vendimi i Kushtetueses, u vendos një praktikë e re, sipas së cilës prokurorët e SPAK janë të detyruar të kalojnë në çdo rast filtrin e gjykatës.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në rastin konkret, pasi ka marrë kërkesën e SPAK për të lejuar hapjen dhe aksesimin e pajisjeve, gjyqtari Erjon Çela ka njoftuar palët dhe ka marrë në shqyrtim prapësimet e avokatëve të personave nën hetim dhe në dijeni, të cilët përmes memove kanë kërkuar të lejohet kqyrja e pajisjeve dhe marrja e të dhënave që lidhen me çështjen hetimore ndaj ish-numrit dy të qeverisë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjyqtari Erjon Çela, pasi e ka shqyrtuar çështjen, ka miratuar marrjen e të gjitha të dhënave, duke argumentuar se ato janë me interes për hetimin.

Të dhënat që do të nxirren nga telefonët apo laptopët do të analizohen në harmoni me të dhënat e tjera të dosjes “Balluku”.

Ish-zëvendëskryeministrja po hetohet për paracaktim të procedurave tenderuese të rrugëve në vlera miliona euro.

Gjatë kqyrjes së telefonëve të Ervis Berberi, ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, i konsideruar i afërt me Ballukun, janë zbuluar mesazhe që, sipas SPAK, tregojnë se Balluku ka ndikuar në paracaktimin e kompanive fituese për tenderët për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe të të gjitha loteve të Unazës së Madhe të Tiranës.

Ndërkohë që Erjon Çela i ka dhënë dritën jeshile SPAK-ut në drejtim të hetimeve, me shumë interes pritet vendimi i Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë për çështjen e Ervis Berberi, i cili kërkon papërdorshmërinë e të dhënave të siguruara nga kqyrja e telefonëve të tij celularë.

Shpallja e vendimit për këtë çështje nga Kushtetuesja u shty për shkak se një prej anëtarëve të saj ndodhej jashtë vendit.

Seanca e radhës pritet të zhvillohet më datë 26 mars dhe, me gjasë, do të ketë edhe një vendim lidhur me këtë çështje, e cila ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në hetimet për dosjen “Balluku”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ikja e Berishës nga kryetar e dëmton PD apo e shpëton?