Gjykata e Lartë, thellohet përplasja mes kreut të shtetit dhe mazhorancës
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka rikthyer për rishqyrtim ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, miratuar nga mazhoranca në seancën e 18 dhjetorit të vitit të kaluar. Duke thelluar në këtë mënyrë përplasjen e tij me këtë kamp politik lidhur me këtë institucion të drejtësisë së vendit tonë. Teksa e ka arsyetuar rikthimin për shqyrtim nga Kuvendi me mungesën e konsultimeve dhe gjithëpërfshirjes në këto ndryshime. “Ligji nuk është konsultuar më parë me Presidentin e Republikës sikur pretendohet dhe duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Presidenca lidhur me një fakt të tillë. Më në detaje, kreu i shtetit sqaron në argumentimin e tij ligjor për dekretin në fjalë se ai u ka kërkuar të gjitha palëve një reformë tërësore dhe gjithëpërfshirëse referuar ekspertizës së partnerëve ndërkombëtarë, duke filluar nga Bashkimi Europian përmes misionit Euralius IV dhe për t’u certifikuar në fund nga ana e Komsionit të Venecias. “Por si President i Republikës evidentoj se iniciativa më e fundit në hartimin e ndryshimeve të tilla ligjore ndaj ligjit për Gjykatën e Lartë, nuk është në kuadrin e pritshmërive të Komisionit të Bashkimit Europian, referuar progresraportit më të fundit”, konstaton ai. Për të shtuar se edhe në këtë rast, sipas tij, ashtu si edhe me tre ligjet në fushën e drejtësisë të miratuara nga Kuvendi në muajin korrik të këtij viti, iniciativa është e përshpejtuar dhe jo e konsultuar paraprakisht herët në kohë nga Euralius, OSBE dhe për më tepër Komisioni i Venecias. “Progres-raporti thotë qartë se reforma në Gjykatën e Lartë duhet të paraprihet nga ndryshimet kushtetuese dhe për më tepër është i nevojshëm një rishikim gjithëpërfshirës i kuadrit legjislativ të zbatueshëm”, sqaron Nishani saktësisht mbi një fakt të tillë. Për të vijuar gjithashtu se “është e vërtetuar katërcipërisht që ky ligj i kaluar në mënyrë të përshpejtuar, nuk i shërben qëllimit për të cilin u draftua dhe për më tepër krijon një imazh negativ para partnerëve ndërkombëtarë referuar pritshmërive të tyre sa i takon reformës në drejtësi”.
Së dyti, gjithmonë sipas kreut të shtetit, rezulton se në asnjë nga rastet nuk ka ndodhur që të ketë një vendim të arsyetuar lidhur me rastet e refuzimit dhe për më tepër, të bërë publike. Gjithashtu, nuk rezulton që Kuvendi referuar propozimeve të Presidentit të ketë paraqitur një udhërrëfyes në lidhje me kriteret objektive dhe ato shtesë që duhen vlerësuar në rastin e përzgjedhjes së një kandidati për anëtar të Gjykatës së Lartë. Pra, edhe në planin praktik të zbatimit të ligjit sipas tij rezulton se nuk ka asnjë arsye objektive që justifikon ndryshimin e përshpejtuar të ligjit jashtë reformës tërësore dhe gjithëpërfshirëse në sistemin gjyqësor. Përkundrazi, Kuvendi duhet të respektojë parimin e luajalitetit kushtetues në këtë proces të rëndësishëm, ashtu siç është orientuar edhe nga Komisioni i Venecias dhe vendimet 2/2005 dhe 24/2011 i Gjykatës Kushtetuese. Për të përfunduar me argumentin tjetër se organet këshillimore, si në çdo rast, edhe për Presidentin e Republikës krijohen dhe funksionojnë me iniciativën e këtij të fundit sipas nevojës dhe vlerësimit përkatës për çështje të caktuara. E referuar në këtë rast krijimit, organizimit dhe funksionimit të Këshillit të Emërimeve në Gjykatën e Lartë, ai vlerëson se është tërësisht e papranueshme që pushtete të tjera të krijojnë organizma këshillimore për Presidentin e Republikës, në një kohë që sipas tij, vetë ky institucion nuk e shikon të nevojshme dhe aq më shumë të detyrueshme krijimin dhe funksionimin e tyre. “Në këtë linjë edhe ndryshimet e tjera të bëra përmes nenit 4 të ligjit 177/2014, të cilat ekzistojnë në funksion të krijimit të strukturës ligjore “Këshilli i Emërimit” nuk do të kenë më asnjë kuptim”, konkludon Nishani.
"Kufizohet numri i gjytarëve kandidues"
Sipas kreut të shtetit, kushti në ligjin e paraqitur që së bashku me vlerësimin në përfundim të arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 si dhe vlerësimi përfundimtar në shkollën e magjistraturës si kritere objektive detyruese në përzgjedhjen e tyre në Gjykatën e Lartë, kufizon numrin e gjyqtarëve që do të kandidojnë si anëtarë të Gjykatës së Lartë.
“Vërej se brezi i parë i magjistratëve është diplomuar në vitin 2000, kurse neni 3 i ligjit kërkon që kandidati të ketë eksperiencë pune si gjyqtar jo më pak se 13 vjet. Pjesa më e madhe e trupës gjyqësore si në gjykatat e rretheve gjyqësore ashtu edhe në gjykatat e apelit nuk kanë përfunduar shkollën e magjistraturës, por ky fakt nuk mund të përbëjë pengesë për këta individë me eksperiencë të gjatë pune dhe nivel të lartë profesional që të kandidojnë për një post të tillë. Sistemi gjyqësor shqiptar është ndërtuar duke patur ‘karrierën’ si elementin themelor të promovimit të gjyqtarëve, qëndrim i cili është sanksionuar edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, argumenton Nishani lidhur me një kriter të tillë. Duke shtuar se këto kufizime duhet të bëhen vetëm për një interes publik, për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve me mënyra dhe forma që të jenë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar ndryshimin dhe pa prekur thelbin e të drejtës dhe garancisë. Sipas Nishanit, edhe Karta Evropiane për statusin e gjyqtarit në parimet e përgjithshme evidenton se statusi i gjyqtarëve ka si qëllim garantimin e pavarësisë dhe paanshmërisë, të cilat, sipas relacionit shoqërues të Kartës, duhet të garantohen edhe në sferën e karrierës. Nëse nuk bazohet në vjetërsi, sistemi i promovimit është i bazuar ekskluzivisht në cilësitë dhe meritat që konstatohen gjatë ushtrimit të detyrës, nëpërmjet vlerësimeve objektive të organit përkatës.
“Po pengohet rekrutimi i juristëve shumë të mirë”
Lidhur me përfshirjen e kriterit kufizues “deklarimi i … konfliktit të interesit” në ligjin e ri, kreu i shtetit ka vlerësuar se ai bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 40/2014, i cili e ka shfuqizuar këtë kriter kufizues nga dispozita përkatëse në ligjin që është aktualisht në fuqi. Sipas tij, konflikti i interesit është një element që vlerësohet rast pas rasti në çështje konkrete dhe nuk mund të jetë një kriter kufizues në momentin e përzgjedhjes së kandidatëve. Ndërsa lidhur me për përbërjen e trupës gjyqësore duke synuar balancën ndërmjet përvojave personale të anëtarëve është e njëjtë me përmbajtjen e nënndarjes “iii”, e cila me ndryshimet e paraqitura mbetet e paprekur, Nishani ka vlerësuar se nga ana substanciale sërish referuar jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese vendimit 40/2014, kjo mund të përbëjë një kufizim në karrierën e gjyqtarëve dhe për më tepër mund të shërbejë si një pengesë për rekrutimin e juristëve shumë të mirë.