Gjyqi në Hagë, flet Kadri Veseli: Nuk mund të qëndroja indiferent ndaj vuajtjes së popullit tim. Urime Pavarësia, ta gëzoni lirinë!
Këtë të mërkurë në tribunalin e Hagës po thonë fjalën e tyre ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Fjala e secilit prej tyre do të zgjasë 20 minuta. Më parë kanë dhënë deklaratat e tyre mbrojtësit ligjorë të të akuzuarve.
Në fjalën e tij para gjykatës në Hagë, Veseli tha se duhet të mbizotërojë drejtësia dhe paanshmëria e së vërtetës. Ai u shpreh se e vërteta s’ka arsye të ketë frikë nga e vërteta, ndërsa kjo e fundit mund të vonohet, por jo të mohohet. Po ashtu Kadri Veseli u ndal te ngjarjet e Prekazit, ku tha se nuk mund të qëndronte indiferent ndaj vuajtjes së popullit të tij.
”Tragjedia në Prekaz nuk ka qenë një akt i izoluar, por vazhdim i masakrave të kryera nga forcat serbe. Ishte akt terrori që tejkaloi frikën normale të popullit të thjeshtë dhe tronditi edhe intelektualët e politikanët. Terrori dhe masakrat, si ato në Srebrenicë, kishin nisur të shfaqeshin edhe në vendin tim”.
Veseli foli për rrethanat që e shtynë të përfshihej në luftë, duke theksuar se nuk ishte një zgjedhje e motivuar nga dëshira për konflikt. ”Pjesëmarrja ime në luftë nuk lindi prej dëshirës sime për konflikt. Kam dëshiruar një jetë të thjeshtë, të jetoja në paqe me familjen time. Kam qenë student kur u shfuqizua autonomia e Kosovës dhe universiteti u sulmua nga forcat serbe. Të gjitha të drejtat na janë mohuar, autonomia e Kosovës u hoq dhe ne studentët u përjashtuam nga konviktet. U përfshiva për të jetuar si qytetar i lirë dhe i barabartë. E vërteta e asaj që po ndodhte dihej botërisht: Serbia dhe Millosheviçi kërkonin kontrollin mbi të gjithë popujt e Jugosllavisë”,-tha Veseli.
KOHA JONË SONDAZH

