Goditet rrjeti i prostitucionit, rekrutonte vajza shqiptare për në Itali
Goditet një grup i strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e femrave, me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit. Në kuadër të operacionit të koduar “Ekspres”, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pas një hetimi disamujor e çuan dosjen në gjykatë e cila ka vendosur masën e sigurisë ”arrest me burg” për 4 shtetas, të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale “trafikim i personave të rritur” dhe ”shfrytëzim prostitucioni”. Hetimi, i cili është zhvilluar në bazë të referimit nga Policia e Shtetit dhe me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda çoi në arrestimin e personave të dyshuar shtetasit: Qemal Rusi, Amarildo Rusi, Donald Saraçi dhe Ismail Gjineci.
Hetimet
Nga hetimi i deritanishëm i këtij procedimi rezulton se Amarildo Rusi, banues në Tiranë, në bashkëpunim me babain e tij, Qemal Rusi dhe, me persona të tjerë dyshohet se është i përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikimit të femrave jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion. Nga të dhënat, shtetasi Amarildo Rusi dyshohet se kryen rekrutimin e femrave, asistimin e tyre në pajisjen me dokumente udhëtimi dhe, më pas, dërgimin e tyre në drejtim të Italisë. Në Itali ato priten nga babai i tij, i dyshuari Qemal Rusi dhe nga persona të tjerë, të cilët i strehojnë dhe i shfrytëzojnë për prostitucion. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se Amarildo Rusi komunikonte vazhdimisht me babain e tij shtetasin Qemal Rusi, të ndodhur në Itali, duke e informuar për veprimet e kryera në funksion të rekrutimit të shtetases me inciliae A.M, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion. Pas krijimit të lidhjes intime, Amarildo i kërkoi A.M të shkonin të jetonin në Itali. Biseda e Amarildos me babin e tij, Qemal, të ndodhur në Itali dha të dhëna se qëllimi i udhëtimit të Andjas në Itali ishte shfrytëzimi për prostitucion. Dyshohet se Qemal Rusi dhe persona të tjerë, bashkëpunëtorë të tij, ishin duke shfrytëzuar edhe shtetaset me iniciale G.S dhe A.LL të cilat, paratë e fituara ia dërgonin Amarildos nëpërmjet agjencive të transferimit të parave.
Të dyshuarit
Në ecurinë e hetimit rezulton se i dyshuari Amarildo komunikonte hapur me babain e tij Qemalin në lidhje me qëllimin e tyre për rekrutimin e vajzave të ndryshme. Gjatë muajit Korrik në Shqipëri rezulton të ketë ardhur Qemali, cili ka kryer takime të shumta për rekrutimin apo sigurimin e ndonjë vajze me qëllim që ta merrte me vete në Itali dhe të punonte si prostitutë. Qemal Rusi dhe Amarildo Rusi flasin shumë qartë për veprimtarinë e tyre të shfrytëzimit, në Itali dhe Shqipëri, për shtetasen me iniciale E.R dhe për planifikimin për të ikur në ndonjë vend tjetër të Evropës, diskutohet Zvicra. Mbi bazën e provave të grumbulluara deri në këtë fazë, u dyshua se shtetasi Amarildo së bashku me të dyshuarit e tjerë Donard Saraçi dhe Ismail Gjineci zhvillonin aktivitetin kriminal të shfrytëzimit të disa vajzave si prostituta.