Goditja e ISIS dhe sulmet e paralajmëruara të Brukselit
Nga Hysni Gjergji/Analistët antiterror dhe ekspertët e sigurisë pas valës së sulmeve në Europë, gjithnjë e më shumë po pranojnë se sulmet Bruksel të ISIS ishin të pritshme. Nëse analizohet veprimtaria dhe gjithë aktiviteti i kësaj organizate deri tani, del qartë se sulmet në Europë nuk janë surprizë por të planifikuara, organizuara, sponsorizuara dhe deklaruara rreth një vit më parë. Sulmi në Bruksel tregoi se ISIS synon të tregojë forcën duke goditur pikën më të fortë dhe zemrën politike (BE) e ushtarake (NATO) të Europës. Ky sulm nuk ishte i shkëputur, por në radhë pas sulmeve në Francë dhe Turqi si dy vende anëtare të NATO-s.
Inteligjenca dhe policia Europiane nuk e kane vlerësuar sa duhet, mesazhin e shkruar në mënyrë eksplicite nga zëdhënësi Isis Ebu Muhamed el-Adnani në shtator të vitit 2014 ku ai i drejtohet të gjithë luftëtarëve dhe mbështetësve të IS ne disa gjuhe (edhe ne shqip); “Në qoftë se ju mund të vrisni një amerikan ose evropian jobesimtar por sidomos një francez të lig dhe të ndyrë,…vriteni atë në një mënyrë apo një tjetër, sido që të jetë. Mos pyesni për këshillat e askujt dhe mos kërkoni vendimin e askujt.”
Të paktën që nga janari 2015, ISIS ka sponsorizuar celulat për sulme në vendet e huaja”, thotë Harleen Gambhir, analist i kundër-terrorizmit në Institutin e Studimeve të Luftës. Vlerësohet se ka disa dhjetëra celula terroriste që lëvizin të lira nëpër Europë, të cilat janë formësuar vite më parë dhe që funksionojnë si një rrjet që përfshin disa kryeqytete të Europës.
Zyrtarët e zbulimit dhe të kundër-terrorizmit te Evropës dhe Lindjes së mesme e vlerësojnë dinamike, dhe kërcënim shumëplanësh atë që mund të përballet Europa në të ardhmen e afërt. Agjencitë e zbatimit të ligjit janë duke luftuar për të marrë kontrollin e taktikave të lëvizjes së celulave të ISIS, por lidershipi i IS e ka zhvendosur jashtë vendit, disa muaj më parë drejtimin e goditjes dhe eksportimin e dhunës.
Arrestimet e bujshme në Francë dhe Gjermani shpejt u pasuan me sulmet e së martës në Belgjikë, ndërsa policia vazhdonte të zgjeronte punën në zbulimin e rrjetës së këtyre celulave. Por, edhe pse Agjencitë e zbatimit të ligjit janë shumë të angazhuara në këtë sfidë, ISIS vazhdon të ndryshojë vazhdimisht strukturat dhe objektivat si dhe të bëhet më i adaptueshëm për situata të ndryshme, dhe në kushte të ndryshme. Vlerësohet të jenë rreth 450 xhihadiste nga Belgjika në Siri dhe rreth 1100 xhiahidiste franceze në Siri dhe Irak.
Bernard Squarcini, Shefi i Shërbimit Sekret të Francës nën Presidencën e Nicolas Sarkozy, thotë: “Është si të tundësh një sasi e madhe pleshtash.” Bernard Squarcini tregon për ngjarjet që pasuan bastisjen e Verviers në janar të vitit 2015. Këtu policia belge u angazhua për të goditur një qelizë terroriste dhe që më vonë çojë në sulmet e nëntorit në Paris. “Belgët, evituan një sulm të madh dhe arrestuan një numër të të dyshuarve, por disa prej tyre u arratisën dhe u rigrupuan. Kjo ishte e mjaftueshme për të krijuar një celulë të re”,- thotë zoti Squarcini.
Rrjeti i celulës së ISIS-it është ndërtuar sipas konceptit taktik “i vogël dhe i shpejtë”, duke marrë udhëzime nga departamenti i planifikimit të operacioneve të jashtme ose “matrica e goditjeve”, me qendër në Siri. Zbulimi i treguesve dhe elementëve të tjerë të kësaj matrice, nuk është e lehtë pasi nuk ka një organizator të vetëm pas saj. Një numër i grupeve të planifikuara për të drejtuar operacionet terroriste në Evropë, mendohet të jenë duke punuar në mënyrë të pavarur dhe decentralizuar nga “qendra”. Secili nga këto grupe, është i varur nga njësi të ndryshme goditëse të ISIS. Kjo mënyrë e fragmentarizuar organizimi e bën të vështirë zbulimin e anëtarëve të grupit dhe organizatorëve të tyre nëpërmes, të penduarve apo terroristëve të kapur rob. Ndjekja e kësaj linje gjithmonë ndërpritet dhe nuk çon drejt kupolës së lidershipit.
Sir John Saëers, ish-kreu i Inteligjencës së Jashtme britanike MI6, flet për një “udhëheqje qendrore” që i jep vetëm një “drejtim të gjerë strategjik për anëtarët e ISIS, por nga ana tjetër i lejon ata të marrin vetë vendimet taktike goditëse të tyre”. “Ky ishte rasti me pengjet dhe prerjet e kokave, ku është urdhëruar në mënyrë të qartë drejtimi strategjik për ekzekutimin e pengjeve dhe tradhtarëve, por për zbatimin praktik i është lënë terren njësive individuale apo celulave për të pasur iniciativën dhe zgjedhur kohën”,- thotë Sir John.
Vlerësimet e inteligjencës perëndimore për disa muaj kanë gjykuar ambiciet e ISIS, pa prova të detajuara të objektivave të strukturuara nga Siria dhe Iraku. Në këtë mënyrë u arrit në konkluzione të gabuara, duke mos e vlerësuar sa duhet fuqinë e tyre në Europë. Vetëm në mesin e vitit të kaluar kur sulmet dhe kërcënimet për sulme u vërtetuan, qeveritë europiane u morën seriozisht duke shkatërruar disa celula. Inteligjenca europiane vlerësonte se propaganda e ISIS dhe përdorimi i gjerë i medias, e bënte këtë organizatë të dukej më e fuqishme dhe më vrastare se sa ishte realisht. Nuk ishte e vërtetë që ISIS është vetëm imazh mediatik, por tashmë ishte një realitet kërcënues edhe për Perëndimin, ndoshta më i madhi dhe më i paprovuari më parë. Media bëri që fjala e tyre të përhapet, idetë e tyre të dëgjohen dhe rrjeti i përkrahësve të rritet. Imazhet me fëmijë dhe gra të vrara nga perëndimi me sulme ajrore, shërbyen si justifikim për vrasjen e të pafajshmëve në Europë. Para disa ditësh një luftëtar i penduar i ISIS i dorëzon televizionit Sky Nevvs, një USB me emrat e 22,000 xhihadistëve në Siri dhe Irak. Por, pyetja shtrohet nëse vete IS publikon emrat e luftëtarëve të tij? Eksperienca ka treguar se kjo organizatë përdor shumë mirë si propagandën, informacionin ashtu dhe dezinformacionin për qëllime strategjie dhe shantazhi mbi luftëtarët e saj.
Pika e kthesës e vlerësimit të ISIS nga Perëndimi, ishte në Qershor 2015, kur në prag të Ramazanit ka pasur sulme të njëkohshme në Tunizi dhe Kuvajtit, të cilët treguan qartë një aftësi operacionale që ISIS e kishte të vendosur atë përtej kufijve të saj. Deri atëherë, shumë vlerësime të inteligjencës kanë qenë të fokusuara në grumbullimin e informacionit, që lidhej me zgjerimin e territoreve të këtij shteti dhe krijimin e kalifatit islamik, duke e vlerësuar deri diku si një kërcënim të strukturuar dhe jo asimetrik. Deri në mesin e 2015, kohë kur ISIS u vlerësua si organizata terroriste më e pasur dhe më e mbështetur financiarisht në botë, por jo si organizatë që do t’i godiste armiqtë e saj jashtë territorit të saj. Përpjekja e ISIS për të goditur në Perëndim janë parë kryesisht si të ashtuquajturit “ujq të vetmuar” të frymëzuar për të bërë akte terroriste të pavarura, me çmim dhe shkallë të ulët jo të përmasave të sulmeve të Turqisë, Francës dhe Brukselit. Sulmi në Europë, është bërë një nga tre prioritetet kryesore ISIS-it të cilët janë: 1.Të mbrojnë territorin në Irak dhe Siri. 2. Të sulmojnë shtetet rajonale në përpjekje për të nxitur çrregullim më të gjerë në to, si dhe 3. Të sulmojnë dhe të ndëshkojnë perëndimin për sulmet ajrore që po ndërmerr kundër tyre.
Viti 2015 është koha kur agjencitë evropiane të inteligjencës filluan të shikojnë ISIS, si një kundërshtar shumë më të rrezikshëm të brendshëm se sa konvencional, pasi xhihadistët kishin muaj në ndërtimin e rrjeteve dhe celulave brenda kufijve të BE-së. Abdelhamid Abaaoud, belg-marokeni, i cili organizoi qeliza përgjegjëse për sulmet e nëntorit në Paris, ishte në kontakte të ndërtimit të celulës së tij në Evropë qysh në fillim të vitit 2014. Abdelhamid Abaaoud vlerësohet të ketë pasur rreth 90 operativë nën komandë, numër ky jo qesharak për nga rëndësia e një individi në sulmet terroriste.
Agjencitë britanike kundër-terrorizmit e përshkruajnë kërcënimin e ISIS tani të konfiguruar në tri dimensione: “I drejtpërdrejtë, inkurajues dhe frymëzues”. Analizimi i secilit dimension është detyrë e shërbimeve të sigurisë, pasi në këtë mënyrë shkohet në zbulimin e autorëve, mbështetësve, ideatorëve, rekrutuesve dhe vend strehimit të tyre.
Në thelb të shqetësimeve, janë mbajtësit e pasaportave evropiane, të cilët janë kthyer nga Siria. Disa nga të kthyerit nuk përbëjnë kërcënim, por shumica kanë më shumë gjasa të jenë të radikalizuar, të trajnuar në luftime, me eksperiencë nga lufta dhe të pajisur me një numër të madh, ndërkombëtar të kontakteve të krijuara gjatë qëndrimit në Siri dhe Irak. Sipas shifrave zyrtare të inteligjencës ka mbi 1,200 të luftëtarë të kthyer nga Siria brenda kufijve të BE-së. Britania ka rreth 350, France 500, Gjermania 270, Belgjika 118 dhe Skandinavia rreth 200. Për fat të keq edhe shqiptarë etnikë të kthyer nga lufta në Siri, mendohet të ketë në një numër më të vogël, por gjithsesi të konsiderueshëm.
Robert Wainëright, drejtor i Europol-it, thotë se agjencia e tij ka një bazë të dhënash prej 5.000 europianësh që kanë udhëtuar për në Siri që mund të kërkojnë të kthehen. Më shqetësuese, është mënyra në të cilën ISIS ka qenë në gjendje të bashkohet me rrjetet ekzistuese radikale në Europë. Luftëtarë që kthehen, shihen në vendlindjen e tyre si heronj, duke i bërë ata lehtësisht të aftë për të ndërtuar qeliza të reja terroriste, si dhe të vendosin kontakte të reja me individë që ata mund të kenë njohje, në komunitetet nga ata vijnë duke rritur numrin e simpatizantëve dhe mbështetësve.
Për shembull, në Belgjikë, qelizat Molenbeek pas sulmeve të Parisit dhe Brukselit duket të jetë rekrutuar nga individë të njohur në rrjetin ekzistues “Sharia4Belgium radikal”. Të kthyerit si Abaaoud ose Najim Laachraoui, i dyshuar si kamikaz në sulmin në Bruksel, kanë qenë të lirë për të vendosur kontakte me individë të tillë si vëllezërit El Bakraoui. Vëllezërit El Bakraoui janë të dyshuar si sulmuesit vetëvrasës të Brukselit, dhe kanë ndërtuar qelizat sulmuese, të cilat mund të jenë të pajisur dhe të trajnuar, në mënyrë që të mobilizohen në kohë sa më të shkurtër.
Analistët antiterror thonë se duke u fokusuar në çdo qelizë sulmuese, është një qasje e gabuar. Çdo shtet duhet të përqendrohet në identitetin, background-in e luftëtarëve të vendit të tij; në individët e përfshirë në rekrutimet dhe përgatitjen e operativëve brenda vendit; në mbështetësit aktivë dhe pasivë të këtyre celulave si dhe; në ideologët dhe frymëzuesit në komunitetet kryesisht myslimane, ku ata jetojnë.
Ekspertët operacionalë në çështje të tilla, si artizanët e përgatitjes së bombave, ekspertët e komunikimit të sigurta dhe logjistikës janë shtylla kurrizore e kapacitetit të ISIS, për të sjellë terror në Europë. ISIS deri tani ka provuar se është i aftë në mbajtjen e këtyre treguesve, të fshehur shumë mirë. Nëse kapen ekspertët e përgatitjes së shpërthimeve apo siguruesit e komunikimit të sigurt mes tyre, sulmi terrorist është i destinuar të dështojë.
Anëtarët e thjeshtë te celulave të sulmit, nuk mund të dinë apo të njohin përgatitësin e bombave të tyre apo financuesin e sulmit. Ata thjesht mund të marrin udhëzime për ta vendosur dhe përdorur bombën, në një vend të caktuar dhe një kohë të caktuar.
Vdekja e Laachraoui, që prokurorët francezë dhe belgë thonë se ishte përgjegjës për aktivitetet përgatitjes së bomba, në sulmet e Brukselit është vetëm një ngushëllim. Ka vdekur një luftëtar dhe jo një ekspert bombash. Ka vdekur një kamikaz, por jo një rekrutues, jo një frymëzues. Është e pazakontë për një përgatitësi bombash, ideolog, rekrutues ose lider i një grupi të hedhë veten në erë. Pra rrjeti nuk dëmtohet kur vriten dy a më shumë kamikazë, pasi organizuesit, financuesit dhe ekspertët e përgatitjes së jelekëve shpërthyes janë të gjallë dhe po përgatisin sulme të tjera.
Rrjeti i terroristëve belge është vetëm një pjesë e një organizate të madhe. Anëtarët e saj kanë udhëtuar në të gjithë Evropën, duke u takuar me të kthyerit e tjerë dhe radikalët e krijuar në frontin e luftës. Agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të nxitojnë për të gjetur se kush janë të kthyerit, kontaktet e reja, dhe planet e tyre. Natyra e pavarur dhe gjysmë-autonome e grupeve evropiane të ISIS, do të thotë se është një detyrë jo e lehtë e inteligjencës, për të gjetur xhihadistët, të cilët kanë humbur rreth një të pestën e territorit të tyre që nga Janari i vitit të kaluar.
Humbja e ISIS në territore nuk do të bëjë dekurajimin e tyre, por e kundërta ka më shumë gjasa të ndodhë, të rritet fushata terroriste në Europë në kompensim të humbjeve në Siri e Irak.